Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Projektligji për amnistinë fiskale pritet me kundërshtime dhe dyshime për pastrim parash

Sot në ambientet e Europe House u mbajt një takim me përfaqësues biznesi, ekspertë ekonomikë, organizata të shoqërisë civile dhe diplomatë të huaj mbi projektligjin për amnistinë fiskale. Projektligji u prit me kritika dhe dyshime.

I pranishëm në diskutim ishte ambasadori i Holandës në Shqipëri Reinout Vos, i cili u shpreh se diskutimi nuk ka të bëjë me të drejtën për të ndërmarrë një nismë të tillë ,por me mënyrën se si do të bëhet ligji.

Ai theksoi shqetësimet që ka ngritur Komisioni Evropian për këtë projektligj. Më 29 qershor, përfaqësues të KE shprehën shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Të njëjtin qëndrim mbajti sot edhe ambasadori Vos.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e qeverisë këmbëngulën se ligji ka për qëllim gjallërimin e ekonomisë duke e cilësuar si një nevojë në kohën që po jeton Europa “për shkak të agresionit rus”.

Klotilda Bushka, deputete e PS u shpreh se ligji është i rëndësishëm dhe është në funksion të thithjes së parasë në vend.

“Unë mendoj që ky ligj, garanton procedura për procesin e indeksimit të pasurve të padekalruara ose paregjistruara, është i rëndësëishëm në fakt sepse është një nismë në funksion të thithjes së parasë në vend”, tha ajo.

Klotilda Bushka, deputete PS

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi e cilësoi ligjin si të rrezikshëm për ekonominë, shoqërinë dhe vendin.

“Dispozitat e projektligjit nuk ofrojnë garanci që individi me aktivitete kriminale serioze si droga, trafikimi i qenieve njerëzore, pastrimi i parave, janë të përjashtuara nga amnistia”, tha ajo.

Sipas saj miratimi i këtij ligji do të sillte efekte negative në afatgjatë “si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie dyfiskale”. Çupi e cilësoi problematik dhe të padrejtë tatimin 5-10%.

Dhurata Çupi, deputete PD

“Tatimi i ulët 5-10% është i padrejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar në legjislacionin në fuqi me përqindje shumë herë më të lartë”, tha Çupi.

Ndërsa Monika Meça nga zyra e kryeministrit në përgjigje ndaj kritikave tha se projektligji nuk ka për qëllim të amnistojë pastrimin e parave.

Presidenti i Dhomës Amerikane në Shqipëri, Enio Jaço deklaroi se qëndrimi i organizatës nuk është i një personi të vetëm dhe shtoi se ata janë të hapur për rekomandime dhe propozime për draftin.

Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania ngriti shqetësimin për marrëveshjen që do të ketë Shqipëria me vendet e tjera të BE-së.

“Këta qytetar shqiptar apo edhe të huaj të cilët janë rezident në Shqipëri që do të sjellin para drejt Shqipërisë do të kenë një deklarim të dyfishtë dhe do të njoftohen nga organizmat partnere apo nga vendet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje”, tha Brahaj.

Aranita Brahaj, Open Data Albania

Zef Preçi, ekspert ekonomie tha se ajo që nuk thuhet në draftligj dhe as në debat është që paratë lëvizin lirisht nga njëri komponent i ekonomisë te tjetri.

“Ekonomia shqiptare prodhohet nga analizat tona në tre komponentë kryesor. Ka ekonomi formale është 50-70% e ekonomisë. Ka ekonomi informale që është 20-30 ndoshta 35, përmendi eksperti këtu dhe për rrjedhojë pjesa tjetër është ekonomia kriminale”, tha ai duke shtuar se gjatë kësaj dekade të fundit ka një agresion vërtet të lartë me origjinë kriminale drejt atyre informale dhe formale.

Një raport i Institutit Shqiptar të Shkencave, nënvizon se projektligji i amnistisë fiskale duhet të ndryshojë “duke përcaktuar si subjekte përfituese të amnistisë të jenë subjektet deklarues rezident në Shqipëri dhe subjektet e deklaruara që kanë detyrime tatimore”. 

Zef Preçi, ekspert ekonomie

Po ashtu raporti thekson se duhet të garantohet rreziku i amnistisë i të ardhurave të përfituara në mënyrë korruptive nga funksionarë dhe politikanë si dhe familjarët e tyre.

“Fusha e veprimit të mbetet vetëm amnistia fiskale, si dhe të garantohen mekanizmat që deklarimet të kontrollohen në përputhje me ligjin mbi luftën për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”, thuhet në dokument.

“Kundërshtime nga Shoqatat e Tregtisë”

Projektligji për aministinë fiskale është pritur me kundërshtime nga Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë dhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.

Përmes një njoftimi për shtyp, Dhoma Amerikane kundërshtoi projektligjin, duke u shprehur se ai nuk “ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do përjashtohen nga amnistia”. 

Qeveria shqiptare kërkon që përmes këtij projektligji të legalizojë paratë informale, të cilat një qytetar mund t’i ketë fituar përmes punësimit informal apo duke bërë evazion fiskal.

Përmes këtij projektligji qeveria parashikon që një individ mund të deklarojë deri në 2 million euro pasuri duke paguar më pas një taksë 5-10%. Po ashtu projektligji parashikon që këta persona të mos i nxjerrin paratë jashtë vendit në 5 vite. 

Dhoma amerikane shprehet se nëse ky projektligj miratohet do të minojë përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme. Dhoma rekomandon që qeveria të tërhiqet nga ky ligj. 

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri përmes një deklarate për shtyp, shprehet se vlerëson  “vullnetin e qeverisë për reduktimin e ekonomisë informale” por shton se ky ligj duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse.

Sipas tyre kjo paketë do të synonte efikasitetin dhe modernizimin e administratës tatimore me qëllim reduktimin e evazionit fiskal. 

Shoqata gjermane vlerëson se nëse qeveria do të merrte këto masa jo vetëm do të rritnin të ardhurat në buxhetin e shtetit por njëkohësit do të nxitnin konkurrencën në tregun shqiptar.

Më tej veçon si një pikë të rëndësishme të projektligjit “tatimin e posaçëm” në nenin 6.

“Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i pa drejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen”, sqarohet në njoftimin për shtyp.

Së fundmi dhoma shton se këto janë pika që i janë parashtuar qeverisë në konsultimet e bëra që në 2020 dhe nuk janë reflektuar në projekltigjin e ripunuar.

“Pastrimi i parave në Shqipëri”

Sipas disa raporteve ndërkombëtare Shqipëria ka shfaqur probleme sa i përket pastrimit të parave, që sipas ekspertëve kjo bëhet kryesisht përmes sektorit të ndërtimit. 

Iniciativa Globale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zbuloi se në vetëm dy vite (2017-2019) u pastruan rreth 240 milionë euro përmes industrisë së ndërtimit në Shqipëri. 

“The Economist”  në një artikull tregoi se rritja me më shumë se 67% e vlerës së transaksioneve imobiliare dhe dyfishimi i çmimeve, është një alarm për pastrimin e parave në Shqipëri.

Sektori i ndërtimit në Shqipëri zë dyfishin e peshës ekonomike në raport me mesataren e vendeve të Rajonit dhe Bashkimit Evropian. 

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerësoi se Shqipëria mbetet e pambrojtur “ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar”.

DASH nënvizoi se ndërkohë që qeveria ka bërë përparim drejt pengimit të pastrimit të parave gjatë vitit 2021, “mbetet shumë më tepër për të bërë”.

Burimet kryesore të fondeve të pastruara sipas raportit janë: trafikimi i lëndëve narkotikëve, krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, evazioni fiskal dhe kontrabanda.

Ndër të tjera raporti thekson se Shqipëria ka një ekonomi të madhe cash dhe një sektor informal, me dërgesa të konsiderueshme të emigrantëve dhe flukse parash investimesh nga jashtë.

Ndërkohë sipas Agjencisë Shqiptare të Parandalimit të Pastrimit të Parave, midis 2015 dhe 2019, ka referuar 1,462 raste të dyshuara të pastrimit të parave për hetim policor, por vetëm 30 për qind, ose 429 raste, janë përcjellë në prokurori. Agjencia i referoi rreth 400 raste drejtpërdrejt te prokurorët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *