Katër organizata ndërkombëtare mejdisore kanë ngritur alarmin mbi investimet në hidrocentrale në Ballkanin Perëndimor, përmes një raporti të publikuar të mërkurën.

Organizatat Bankwatch, EuroNatur, Riverwatch and WWF Adria, përmendin 9 raste nga rajoni të hidrocentraleve me rrezik më të lartë, ku për Shqipërinë veçojnë Skavicën.

Raporti thotë se qindra hidrocentralë të vegjël të dëmshëm për biodiversitetin janë ndërtuar në të gjithë rajoin, “përpjekjet për të ndërtuar diga më të mëdha të gjelbra kanë dështuar”, duke rezultuar të mundura vetëm në Shqipëri dhe Slloveni.

“Vendet, sistemet energjetike të të cilave varen nga hidrocentralet, do të paguajnë një çmim të lartë pasi ndikimet e ndryshimeve klimatike intensifikohen dhe thatësirat dhe përmbytjet bëhen më të shpeshta”, – tha Amelie Huber nga Fondacioni EuroNatur gjatë një konference ku u prezantua raporti.

Ulrich Eichelmann nga Riverwatch vendosi theksin tek rritja e rezistencës nga ana e komuniteteve në mbrojtje të natyrës.

“Për fat të mirë, njerëzit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë vlerën e vërtetë të lumenjve të Ballkanit dhe po luftojnë gjithnjë e më shumë projektet e digave dhe po fitojnë”, – tha Eichelman.

“Varësia nga HEC-et”

Sipas raportit të 4 organizatave, Shqipëria është pothuajse 100 për qind e varur nga hidrocentralet për prodhimin vendas.

“Shqipëria ka instaluar më shumë se 600 MWh në hidrocentrale të mëdha që prej vitit 2010, megjithatë prodhimi mesatar nuk rezulton të jetë rritur së tepërmi gjatë periudhës 2010-2020”, ka gjetur raporti, duke e renditur vendin tonë ndër më të varurit nga hidrocentralet në rajon, bashkë me Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi. 

HEC-i Gurra në madhesh i parë nga ura e amortizuar që lidh dy anë të liqenit. Foto: Citizens Channel

Në tetor të 2021 Shqipëria deklaroi krizë energjitike dhe në mars të këtij viti uli prodhimin në 11 nga 13 hidrocentralet shtetërore të KESH-it, për shkak të thatësirave.

“Hidrocentralet thajnë ujin për vaditje”

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregoi se ndërtimi i hidrocentraleve po than ujin e lumenjve, duke i lënë tokat bujqësore pa vaditje dhe duke ndikuar në biodiversitet.

“Shqipëria duket se së fundmi ka kuptuar rrezikun e të qënit kaq të varur prej hidrocentraleve, duke u përpjekur gjatë viteve të fundit të zhvillojë burimet për energjinë e erës dhe atë diellore”, thuhet më tej në raportin e organziatave ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga viti 2005 deri në vitin 2022 (Mars), janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndertimin e 621 Hec-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 Hec-eve janë ndërprerë. 

Pra, aktualisht janë 257 kontrata aktive, për ndërtimin e 493 Hec-eve, të nënshkruara në periudhën 2005-2022.

Aktivistë të grupit ATA në mbështetje të kauzës kundër HEC-eve në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj/ Foto: Entenela Ndrevataj

142 nga kontratat aktive të nënshkruara në periudhen 2005-2022 janë në fazën e prodhimit të energjisë. 

Zbatimi i procesurave ligjore në ndërtimit e HEC-eve shpesh është shoqëruar me shkelje.

Auditimi i KLSH zbuloi shkelje për dy HEC-et “Madhesh” dhe “Traja 1”, në zbatimin e procedurave ligjore dhe ka rekomanduar që të rishikohen kushtet e lejes për kompanitë.

Po ashtu ky auditim zbuloi se si banorët u lanë pa ujë për vaditje në rastin e lumit të Lunresë në Mat. Gjithashtu raporti  vlerëson se institucionet kanë shkelur ligjin duke mos rishikuar kushtet e lejeve. 

“Komunitetet kundër HEC-eve”

Sikurse thekson auditimi i KLSH-së, ndërtimi i HEC-eve ka ndikuar drepërdrejt tek jeta e banorëve të zonës, duke i tharrë ujin për vaditje. Kjo ka bërë që ata ta kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së tij.

Për pasojë, vitet e fundit komunitetet janë organizuar për të kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve.

Banderolë e mbajtur gjatë një proteste ne Zall Gjoçaj

Komuniteti i Zall Gjoçajt është një ndër to, të cilët janë duke e ndjekur çështjet edhe në mënyrë ligjore dhe njëkohësisht përmes protestave. Komuniteti i fshatit Qukës kundërshtoi ndërtimin e një tjetër HEC-i në lumin Bushtricë. HEC-et në Valbonë kanë pasur një fushatë të shtrirë në kohë, luftë ligjore dhe rezistencë përmes protestave kundër HEC-eve.

Në prill të vitit të kaluar disa banorë dolën në protestë për të kundërshtuar ndërtimit e një HEC-i në fshatin Thirrë të Mirditës. Ndërtimi i këtij HEC-i prek dy fshatra, atë të Thirrës e Sangut. 

Rruga ligjore mbetet e vështirë për komunitetet dhe organizatat mjedisore për shkak të pengesave që ka legjislacioni shqiptar, duke ua vështirësuar atyre rezistencën.

Gjatë punimeve të ndërtimit të HEC-eve.

Në një artikull të mëparshëm, Citizens Channel trajtoi problematikën që hasin pikërisht këto organizata dhe komuniteti në rastin e ngritjes së një padie për një dëm mjedisor.

Ajo që del në pah është se mungesa e një ligji specifik për dëmet mjedisore dhe paditë kolektive e ka lënë në dorë të lirë të gjyqtarëve interpretimin e ligjit. Kjo ka shkaktuar që gjyqet të zgjasin me vite dhe dëmi në mjedis të jetë i parikuperueshëm. Si pasojë e luftës dhe rezistencës së vazhdueshme të aktivistëve, banorëve dhe ekspertëve janë krijuar disa raste pozitive dhe ka pasur përmirësime në ligj.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu