Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Blegtorët e Zall Gjoçaj mbajnë gjallë traditën e staneve në bjeshkën e tharë nga hidrocentrali

Zilet e këmborëve u dëgjuan tutje, ndërsa kapërcenim edhe kodrën e fundit që na ndante me stanin. Rruga e gjatë prej më shumë se pesë orësh, në një terren jo shumë të favorshëm, përcolli vetëm një makinë më afër stanit, të tjerat iu dorëzuan rrugës së vështirë.

Karshi malit të Dejës, stani i Ismet Kolecit rrihet nga rrezet e diellit të mesditës, rrethuar nga pyjet e Zall-Gjoçajt, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, që ende nuk e kanë marrë veten nga prerjet masive dhe zjarret e viteve të shkuara.

410 krerët e dhive dhe të kecave për të cilat kujdesen Ismeti dhe bashkëshortja Suzana, ishin lëshuar në bjeshkë për të kullotur, ku rolin e bariut e kryenin qentë e stanit.

Sapo shkrin dëbora, në fund të muajit maj, Ismeti dhe banorë të tjerë të zonës së Zall Gjoçajt marrin bagëtitë dhe bletët dhe nisen drejt staneve, ku qëndrojnë deri sa vera mbështillet në pëlhurën e dimrit.

“Ka gati 12 vite që unë vij këtu në mal. Kam ikur, kam emigruar në Greqi, kemi jetuar në Kamëz se kemi një shtëpi banimi edhe blegtorinë e kam pasion dhe e kam pasur me dëshirë të madhe, e tani jetoj me të. Kam rritur tre fëmijë”,-rrëfen Ismeti.

Sapo mbaron mjeljen dhe lëshon tufën në pyll, Ismeti na rrëfen për përditshmërinë e jetës në stan.

“Është me lodhje shumë shumë të madhe. Se edhe nga puna s’kemi fare as punëtorë, vetë është shumë vështirë, por ia dalim, e përballojmë. Çohemi që në mëngjes me daljen e diellit, vazhdojmë me mjeljen edhe vazhdojmë me ushqyerjen e qenve. Duhet ti nxjerrim, duhet ti kullotim. Akoma i kam kecat pa hequr dhe është lodhje por është edhe dëshirë, janë të dyja këto shkojnë paralel me njëra tjetrën”,-tregon Ismeti.

Foto: Erisa Kryeziu

Pak metra më tutje, një një hapësirë më të dendur pyjore gjendet stani i Adem Xhokolajt. Ai kujdeset për 19 lopë, e po ashtu për mushkën dhe qentë që shoqërojnë lopët në pyll.

Prej 20 vitesh, çdo pesë muaj të vitit Ademi ka kryer të njëjtin ritual. Sapo bie dimri kthehet në fshat e sapo çel pranvera ngjitet në stan.

“Unë këtë vit kam ardhur që në datën 20 maj. Kam sjellë bletët këtu edhe bagëtitë. Unë kam që prej 20 vitesh që jam këtu në këtë vend këtu, kur ndërtova stanin dhe stallën për bagëtitë dhe ka 20 vite që vij këtu në këtë vend. Sepse unë rri atje poshtë, gjatë stinës së dimrit rri në fshat në Zall Gjoçaj poshtë”,-rrëfen Ademi.

Ai shprehet se stanet janë një traditë e hershme, ndërsa zona ka qenë e populluar duke u mbajtur me bagëti dhe bletari.

Hidrocentrali “Zais” shter ujin për bagëtinë

Tradita e staneve është cenuar së fundmi për shkak të shterjes së ujit në zonën e Zall Gjoçaj. Diga e hidrocentralit “Zais” i ndërtuar në pjesën e parkut kombëtar ka ndaluar rrjedhën e lumit, duke ndërprerë burimin e ujit për bagëtinë.

Adem Xhokola, banor

“Është vend shumë i vështirë për ujë. Kemi pasur disa burime të pakta ujore, edhe ato tani nga hapja e tunelit të asaj firmës që ka ardh për të marrë ujin kanë shteruar edhe ato burime të ujërave që janë. Dhe ne skemi ujë fare. Shkojmë mbushim ujë dy orë larg me bidona, me kafshë edhe me makinë sepse ska ujë fare”,-tregon Adem Xhokola.

Tharja e shtratit të lumit Flim dhe e burimeve të tjera që furnizojnë pellgun si pasojë e futjes në tuba ka pasur ndikim të konsiderueshëm për bagëtinë e imët.

Ismet Koleci, banor

“Ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm. I kam kërkuar bashkisë që hajdeni shifeni ku mund të pinë ujë këto bagëti. Ku, ma lini, ku e ke që pi ujë, ma lini. Shtrirë tuba në të thatë sipër, ngrirë nga ngricat. Hajnë borë dhitë, asnjë pikë ujë. Hanë borë”,-rrëfen Ismeti.

Bashkë me hidrocentralin “Zajs” është ndërtuar edhe ai i “Sekës”, që prekin zonën e mbrojtur të Zall-Gjoçaj, e cila në vitin 2018 është bashkuar me Lurën për të formuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Po në atë vit, qeveria shqiptare miratoi lejen për ndërtimin e HEC-eve në këtë zonë.

Për shkak të mungesës së ujit rrëfejnë banorët, edhe të rinjtë e rikthyer në vendlindje për të investuar u detyruan të largohen.

“Kemi pasur disa raste atje poshtë në fshat që u kthyen nga emigrimi dhe vunë bagëtitë atje poshtë. Vunë dhi, 200 dhi njëri, 300 tjetri dhe me marrjen e atij ujit që u thanë dy lumenjtë përjetësisht, se në ato lumenjtë pinin ujë bagëtitë dhe ato u detyruan i shitën dhitë dhe ikën në emigrim përsëri. Sepse nuk kishin ujë, pa ujë asnjë qenie e gjallë, nuk ekziston”,-përfundon Ademi.

Për banorët e hershëm të fshatit, të cilët rikthehen në vendlindje, uji i cili deri më herët ka qenë një pikë reference kujtimesh tanimë nuk gjendet më.

Dhimitër Koleci, banor

Uji kristal. Ujë shumë i pastër, Dhe këtu mësuam notin, këtu u rritëm, Këtu rrinim gjithë verës, sot asnjë pikë ujë. Dikush pasurohet me të sot, mbush xhepat, me eurot e energjisë që prodhon duke masakruar një zonë të tërë. Fshati është boshatisur komplet, është braktisur komplet. Pas ndërtimit të HEC-it, shkëputjes së ujit, këtu nuk banon më asnjë njeri, sepse ndërprerja e ujit ka ndërprerë rrjedhën e jetës në këtë zonë”,-rrëfen Dhimitër Koleci, banor i angazhuar që në fillesat e lëvizjes qytetare për mbrotjen e parkut të Zall Gjoçajt.

Mes të tjerash, pyjet në këtë zonë nuk kanë marrë ende veten nga prerjet dhe djegia ndër vite.

Mungesa e një baxhoje vështirëson përpunimin e bulmetit 

Në anë të stanit ku qëndrojnë vetë, banorët kanë ndërtuar një hapësirë të dedikuar edhe për bulmetin e marrë nga bagëtia dhe lopët. Përpunimi i bulmetit bëhen në formë artizanale nga vetë banorët.

Megjithatë banorët shprehen se vuajnë mungesa e një baxhoje që të grumbullojë bulmetin e të gjithë staneve, me qëllim që t’ju lehtësojë punën dhe shitjen e produktit.

“Kemi edhe qumështin edhe shkon dëm. Duhet ta bej djathë në kushtet që kemi ne. Këtu ka edhe shumë tufa të tjera, por nuk kemi asnjë lloj baxhoje. E kemi kërkuar të na ndihmoni me një baxho që edhe qumështi të iki të baxhoja, edhe atje përpunohet më mirë, edhe ne lehtësohemi. Bashkia duhet ta bëjë një gjë të tillë, ta subvencionojë dikë që të vazhdojë me baxhot”,-tha Ismeti.

Ai shprehet se përpos deklaratave të ministrive përgjegjëse për mbështetje për bujqësinë, nuk ka qenë asnjëherë përfitues i ndonjë granti.

“Këto tani, propagandat janë shumë të mëdhaja, Unë kur i dëgjoj në televizor, them si ka mundësi…por asgjë nuk vjen këtu. Këtu çfarë behet? Këtu 10% i marrin këto gjëra, me mik, me çfarë të munden“,-ia pret ai i zhgënjyer.

“Zall Gjoçaj”, përtej një kauze

Punimet për hidrocentralet “Sekë” dhe “Zajs” në lumin Flim dhe Urakë janë shoqëruar me protesta dhe qëndresë prej banorëve të Zall Gjocajt që prej vitit 2019. Paralelisht me protestat ata kanë ngritur edhe padi ndaj kompanisë “Seka Hydropower”.

Së pari banorët kërkuan shfuqizimin e vendimit për të licencuar shoqërinë “Seka Hydropower”, për një serë shkeljesh, ku më kryesorja është kryerja e punimeve brenda zonës së mbrojtur.

Padia e dytë nga tetë banorëve të Matit kërkon zhvendosjen e dy hidrocentraleve dhe zhvillimin e tyre jashtë zonës së mbrojtur.

Ndërsa në shkurt të 2020, banorët e Matit dorëzuan padinë ndaj institucioneve shtetërore për dhënien e lejes mjedisore për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur me ligj, si dhe kompaninë private “Seka Hydropower” që po zhvillon punimet.

Banorët ngritën çadrës së rezistencës në hyrje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, me shënimin “Lumi është jetë, ta mbrojmë jetën” , i cili u bë për të parandaluar avancimin e punimeve, ndërkohë që çështja po ndiqej edhe në rrugë ligjore.

Në nëntor të 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së parë në Tiranë rrëzoi kërkesën e banorëve për ndalimin e punimeve të ndërtimit të hidrocentralit të Sekës, në lumin Zall Gjocaj.

Në datë 15 qershor 2020, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të rrëzonte padinë e banorëve, të cilët kërkuan ndalimin e hidrocentraleve Sekë dhe Zajs në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Në janar 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë vendosi në favor të banorëve të Zall-Gjoçaj, duke shfuqizuar lejen e dhënë nga Enti Rregulltor i Energjisë (ERE) ndaj firmës private “Seka Hydropoëer”, për HEC-in “Zais” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Më 25 janar 2021, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së banorëve të Matit ndaj Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ku kërkohej ndalimi i punimeve brenda Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”,  park i formuar në vitin 2018 nga bashkimi i Zall-Gjoçaj me Lurën.

Në qershor 2021, banorët protestuan përballë Gjykatës së Apelit duke i kërkuar të marrë në shqyrtim animimin e vendimit të marrë nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në qershor të vitit 2020, ku u rrëzua padia e nëntë banorëve dhe u lejua vijimi i punimeve për të ngritur digë brenda zonës së mbrojtur.

Në nëntor 2021 Gjykata e Apelit mbajti në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i hoqi në janar të atij viti licencën hidrocentralit “Zajs”.

Në mars 2022,Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i hoqi licencën kompanisë “Seka Hydropoëer” për të prodhuar energji nga HEC-i “Zais” që prek lumin Flim në Mat.

Me një vendim të datës 14 shkurt 2022, ERE zaboti vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila kishte vendosur me një vendim të formës së prerë heqjen e licencës për një nga dy hidrocentralet që janë ndërtuar në Zonën e Zall Gjoçajt.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *