Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Si u zbeh ‘e gjelbra’ në garën për linjën e autobusëve elektrikë në Tiranë

1743 ditë pasi autobusi i parë elektrik bëri një xhiro testuese në Tiranë, kryeqyteti nuk ka ende asnjë mjet të tillë transporti publik në dispozicion. Kërkesat e Bashkisë Tiranë për “autobusë 100% elektrikë” u zbehën, duke u zëvendësuar me një flotë mjetesh hibride të amortizuara, që zëvendësuan në mënyrë të dyshimtë linjën ekzistuese të Unazës.

Një autobus i tipit Solaris Electric bëri një xhiro nga Kombinati në Kinostudio në datën 26 tetor 2017. “Fiks si në Paris” e cilësoi Kryetari i Bashkisë, ndërsa zotohej se do të krijonte një kompani publike transporti, dhe do të ndalte rinovimin e licencave për operatorët nuk i përgjigjen kësaj shkalle modernizimi.

“Nga elektrik në hibrid”

Pesë vite pas këtij premtimi, Tirana ende nuk ka asnjë autobus 100% elektrik. Tirana ka aktualisht 16 linja të transportit publik, ku vetëm njëra ka mjete hibride, që funksionojnë pjesërisht me karburant dhe pjesërisht me bateri.

Autobusi 100% elektrik qe u testua

Në shkurt të vitit 2020 Bashkia e Tiranës hapi garën për krijimin e linjës së gjelbër të transportit publik. Në standardet teknike të thirrjes parashikohet që flota e mjeteve të jetë 100% elektrike dhe të ketë në dispozicion 41 autobusë.

Në korrik të 2020 Bashkia Tiranë shpalli fituesin e kësaj gare, kompaninë “GERARD – A” SHPK, “Të gjithë autobuzat janë te vit-prodhimit 2011-2013”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë. Por një vëzhgim i Citizens Channel në mbi 20 autobusë të kësaj linje tregon se  një pjesë e tyre i përkasin viteve të prodhimit 2008-2010.

Autobusët ndryshe nga sa u premtua dhe u kërkua në thirrjen e hapur, nuk janë 100% elektrikë por të tipit hibrid. Këtë e pranon edhe Bashkia Tiranë në një përgjigje për Citizens Channel ndaj një kërkese për informacion, ku shprehet se “Linja e Gjelbër” ka 24 autobusë hibrid të markave Volvo, Van Hool, Man, etj. Numri i autobusëve në këtë linjë është ndjeshëm më i ulët se kërkesa prej 41 mjetesh në specifikimet teknike për flotën.

“Linja e Gjelbër nuk i shtoi qytetit autobusë të rinj”

Linja e gjelbër nuk i shtoi qytetit autobusë të rinj dhe aq më pak elektrik. Kreu i Bashkisë Tiranë deklaroi se “Linja e Gjelbër” do të zëvendësonte përkohësisht linjën e Unazës së Re dhe përtej unazës ekzistuese premtoi zgjerim të linjës së gjelbër.

Në 24 korrik të vitit 2021, rreth një vit pasi subjekti “Gerard-A” u shpall fitues, në sheshin “Nënë Tereza” u mbajt një tjetër aktivitet. Këtë herë nuk bëhej fjalë për xhiro testuese të autobusit elektrik, por për prezantimin e 20 mjeteve të para hibride të linjës së gjelbër. Në të njëjtën ditë, Kryetari i Bashkisë paralajmëroi heqjen e disa linjave nga qarkullimi.

Gjë që ndodhi më pak se dy muaj më vonë, në nëntor 2021, kur në Këshillin Bashkiak u njoftua heqja e licencës së kompanisë që menaxhon linjën e “Unazës”.

Blerja e autobuseve nga Gerard shpk

Vetëm pak ditë pasi “Unaza” humbi licencën, më 23 nëntor 2021, Linja e Gjelbër e fituar me konkurs nga GERARD shpk i transferohet “CITY TRANS”, së bashku me autobusët.  Sipas marrëveshjes autobusët kushtojnë nga 4.4 në 1.7 milion lekë. Një ndër kriteret e vlerësimit që kompania “Gerard” shpk u shpall fituese e garës së çelur nga Bashkia Tiranë në 2019, ishte eksperienca e subjektit në transportin e udhëtarëve për mbi 10 vjet. Në kohën kur kompania filloi operimin, ajo u ble nga subjekti CFO Pharma, një linjë tregtimi produktesh farmaceutike e cila nuk kishte operuar më parë në këtë sektor.

Në muajin Prill të këtij viti, qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës u kthyen sërish në sheshin “Nënë Tereza” për të prezantuar edhe një herë flotën e autobusëve që i quajtën elektrik, por në fakt janë hibridë.

Tirana ndër qytetet më të ndotura në Europë

Sipas “Numbeo”, sistemi më i madh për matjen e cilësisë së jetesës, në 255 qytete në botë, Tirana renditet në vendin e 243, duke e bërë kështu një nga qytetet më të ndotura në Europë.

Një studim i CoPlan i vitit 2020, tregoi se niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Sektori që luan rol të rëndësishëm në ndotjen e ajrit është ai i transportit, i ndjekur më pas nga aktiviteti i ndërtimit.

Sipas studimit, në qytetin e Tiranës, përqendrimi i dioksidit të karbonit ka qenë dyfish mbi vlerën standarde të Bashkimit Evropian, në zona si rruga e Durrësit dhe e Kavajës, edhe pse përgjatë këtyre rrugëve ka gjelbërim nga të dyja anët.

Tirana mbetet kështu shumë larg planeve të shkruara ne letër për një qytet të gjelbër me autobusë elektrike dhë unaza të gjelbra.

Një investigim i Citizens Channel mbi hapësirat e gjelbra në Tiranë nxori në pah se shumë hapësira të gjelbra janë zëvendësuar me ndërtime, duke treguar kështu se mjedisi është larg vëmendjes. Një nga hapësirat e gjelbra në qytet është parku i Liqenit Artificial të Tiranës i cili është një park i pambrojtur dhe është duke u rrethuar nga ndërtimet.

Me hapësira të gjelbra që zëvendësohen nga ndërtimet, dhe premtimet të pambajtura për autobusë elektrikë që do të ulin nivelin e ndotjes, Tirana mbetet ende larg pritshmërisë për një qytet “green friendly”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *