Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Vrapo për autobusin e fundit të Saukut”

Një grup të rinjsh kanë krijuar nismën “Vrapo të kapësh autobusin e fundit të Saukut”, nisur nga problematikat ekzistuese që kjo linjë e transportit publik qytetas ka.

Klaudia Gjoka, banore e Saukut të Vjetër, liston një serë problemesh që has komuniteti sa i përket lëvizshmërisë dhe aksesimit të autobusit. Ajo banon 20 minuta larg stacionit të fundit të linjës dhe i duhet që atë distancë ta bëjë çdo ditë në këmbë.

Distanca është një ndër gjërat që e shqetëson atë. “Problematika lidhet më së shumti me vonesat që kanë me oraret, me faktin që ky autobus vjen çdo një orë, pra nuk i lejon qytetarët apo banorët e kësaj zone që të përmbushin nevojat kryesore”, – thotë ajo për Citizens Channel.

Klaudia Gjoka, banore e Saukut të Vjetër

Në fakt, oraret problematike ishin shtysa kryesore pse të rinjtë e Tiranës dhe të Saukut të Vjetër, tashmë prej 25 vetësh, ndërmorën këtë nismë. Gjatë takimeve me komunitetin, ata u ndeshën me një gjimnaziste e cila humbiste shumë shpesh orët e para të mësimit, si pasojë e orareve të transportit publik.

Kur kemi ardhur të bisedojmë me banorët, kemi folur me një gjimnaziste dhe e pyetëm nëse në Sauk të Vjetër do të donte të kishte një qendër komunitare apo diçka angazhuese për të rinjtë”, – pohon Oksana Duqi, një tjetër aktiviste, pjesë e kësaj nisme.

Vajza gjimnaziste shprehu se problemi kryesor është transporti publik”, – vijon më tej Duqi. Dhe kështu u krijua nisma “Vrapo për të kapur autobusin e fundit të Saukut”.

Oksana Duqi, pjesë e nismës “Vrapo të kapësh autobusin e fundit të Saukut

Linja Sauk i Vjetër – Tiranë ka një serë problemesh të tjera, përveç orarit. Stacioni i fundit i kësaj linje ndodhet përballë “kafes së Zyberit”, siç e njohim banorët, pa asnjë tabele informuese se aty përfundon udhëtimi për në Sauk dhe nis kthimi për në qendër të Tiranës.

Përveç mungesës së sinjalistikës, aty mungojnë dhe ulëse për qytetarët që presin autobusin e orës tjetër.

Stacioni i fundit përjashton një grup të madh banorët të zonës, pohon Klaudia Gjoka. “Një ndër synimet është që stacioni i fundit të jetë te pjesa ku fillon zona kodrinore, periferike e Saukut të Vjetër, aty ku ka të përqendruar një numër të konsiderueshëm të popullsisë”.

Banorët e Saukut të Vjetër – Tiranë listojnë dhe probleme të tjera që lidhen me kushtet fizike të autobusëve, me mosdhënien e biletës apo mbipopullimin si pasojë e orarit.

Linja e Saukut të Vjetër – Tiranë ka vetëm një autobus

Rixhin Qoshja nga Shoqata e Transportit Qytetas shpjegon për Citizens Channel se kjo linjë e transportit publik gjatë verës ka vetëm një autobus që i përgjigjet nevojave të komunitetit të Saukut të Vjetër.

Ka një ose dy autobusë. Tani duhet të ketë një, kur fillon shtatori e mbrapa ka dy”. Jo vetëm Sauku i Vjetër, edhe linjat e tjera janë rralluar, vijon më tej Qoshja.

Të gjitha linjat në Tiranë tani janë rralluar në verë. Ka të bëjë me njerëzit, se nuk është më fluksi i njerëzve që qarkullon normalisht”, – pohon Qoshja. Sa i përket mungesës së sinjalistikës, Rixhin Qoshja shprehet se është problem dhe për vetë operatorët privatë, por sqaron se është detyre e Bashkisë Tiranë t’i vendosë.

Rixhin Qosja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas

Nuk varet nga ne, varet nga bashkia në lidhje me sinjalistikën, me infrastrukturën e stacionit, me korsinë e dedikuar që ne i kërkojmë prej vitesh por s’na kanë bërë gjë akoma. Stacioni vendoset me vendim të Këshillit Bashkiak”.

Kërkesat dhe problematikat do t’i drejtohen Bashkisë Tiranë

Të rinjtë e kësaj nisme i janë drejtuar me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, por përgjigjen e marrë prej këtij institucioni ato e konsiderojnë të paplotë.

Bashkia Tiranë informon se nga muaji janar – qershor 2022 për linjat “Qendër – Sauk i Ri – Teg/ Sauk i Vjetër/ Sanatorium” kanë operuar 11 autobusë, që i konsideron “në përputhje me fluksin e lëvizjes së pasagjerëve të zonës”.

Pyetur për kohëzgjatjen nga stacioni në stacion, Bashkia Tiranë është përgjigjur se është “i ndryshëm, në varësi të distancës midis stacioneve”.

Nisma “Vrapo për të kapur autobusin e fundit të Saukut”, që ka konstatuar një serë problematikash në terren sa i përket orarit dhe numrit të autobusëve, ka nisur në muajin prill të këtij viti. Mendimi i komunitetit dhe ankesat që ata kanë sa i përket transportit publik do t’i parashtrohen përmes një raporti Bashkisë Tiranë.

Ideja e projektit është që të mobilizohemi dhe të mblidhemi, duke përfshirë të gjithë mendimet e komunitetit dhe në mënyrë që kërkesat dhe ankesat kundrejt institucioneve të jenë sa më serioze dhe të përfshijë mendimin e shumë banorëve”, – përfundon Oksana Duqi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *