Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Si të (mbi)jetosh në Tiranë? Familjet, studentët dhe pensionistët përballë kostove të shtuara të jetesës

Cilësia e jetesës në Tiranë është përkeqësuar, referuar të dhënave të platformës Numbeo, ku Tirana renditet në vendin e 232 nga 254 qytete në total.

Numbeo mat cilësinë e jetesës për këto vende, bazuar në një vlerësim të fuqisë blerëse, ndotjes, kostove të jetesës, çmimeve, kujdesit shëndetësor, trafikut dhe raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave.

Tirana u bë pjesë e këtij indeksi për herë të parë në 2020, ku u rendit e 218-ta. Por në 3 vitet e fundit kjo renditje ka ardhur duke u përkeqësuar.

Inflacioni në vend ka shënuar në muajin korrik shifrën më të lartë në 20 vitet e fundit. Aktualisht, referuar të dhënave të INSTAT, inflacioni në vend është 7.5%, teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto është 5.97%.

Sipas ekspertëve kjo shifër mund të jetë më e lartë se sa raportohet.

“Në gjykimin tim kjo vlerë e inflacionit që publikohet nga institucionet tona, mund të jetë deri diku e përafërt me situatën”, tha për Citizens Channel ekonomisti Igli Tola.

Ai tha se shifra e raportuar nuk është një reflektues i plotë i realitetit sepse “ka një rritje në një masë mbi 20-30% për produkte specifike të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të familjeve shqiptare”.

Sa i përket cilësisë së ajrit, Tirana renditet e 44-a në indeksin e Numbeo-s, duke e bërë kështu një nga vendet më të ndotura në Europë.

Në indeksin e trafikut, Tirana është në vendin e 181 nga 254 qytetet që kanë më shumë trafik. 

Kryeqyteti renditet në vendin e 231 sa i përket fuqisë blerësë dhe renditet në 9 qytetet e fundit për kujdesin shëndetësor.

“Kostot e jetesës në Tiranë”

Familja e Anisës përbëhet nga 4 persona, dy prindërit dhe dy fëmijët, që janë në një moshë relativisht të vogël. Anisa tregon se shpenzimet për fëmijët janë edhe më të medha në atë moshë.

Familja e Anisës mesatarisht në muaj harxhon 150-160 mijë lekë të reja, aq sa janë edhe të ardhurat nga paga mujore e saj dhe e bashkëshortit. Anisa tregon për Citizens Channel se këto shpenzime shkojnë për dadon e fëmijëve, për energji elektrike, ujë, telefon, taksa, internet, për ushqime, për barna dhe për transport. 

Dua të shtoj këtu, që ne kemi shtëpinë tonë dhe nuk paguajmë qira, as kurse për fëmijë tani për tani, si dhe transport për fëmijët, sepse kemi zgjedhur t’i çojmë në kopsht e shkollë publike, afër shtëpisë”, shprehet Anisa.

Ajo tregon familja e saj shpenzon 160 mijë lekë të rinj në muaj duke bërë një jetë modeste.

Në vitin 2020, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një familje, të përbërë mesatarisht nga 3,6 persona, janë 83.475 lekë sipas INSTAT, ku pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për ushqime. 

Me rritjen e çmimeve Anisa shprehet se sot, i duhen minimalisht 200 mijë lekë të reja më shumë për të jetuar normalisht dhe “pa luftën stresuese të përditshme: a do na dalin paratë deri në fund të muajit?”.

“Nuk po flas këtu për luksin e ngrënien jashtë një fundjavë apo ta kalosh fundjavën diku larg shtëpisë”, shprehet Anisa.

Geraldina Mançka sapo ka përfunduar studimet për infermieri dhe është duke pritur që të nis studimet në master. Ajo shprehet se tani që ka përfunduar Bachelorin dhe ka nisur punë i duhet t’i përballojë shpenzimet e vetme dhe me kostot e jetesës që janë në Tiranë e sheh të pamundur të përballojë pagesën e masterit.

Unë si çdo student në nëntor duhet të filloj masterin, por kjo gjë për momentin është e pamundur për mua, për shkak sepse shpenzimet ndonjëherë janë edhe më të larta se sa rroga që unë punoj”, tha Geraldina duke shtuar se për të paktën dy vite mendon se nuk e vazhdon dot masterin.

Jetesa në Tiranë për Geraldinën, e cila vjen nga një qytet tjetër është e shtrenjtë, pasi i duhet të paguajë qera, transport, ushqime, dhe kosto të tjera gjatë sezonit që përfshijnë libra dhe kancelari. 

Momentalisht unë jetoj me vëllanë, të dy jemi në punë por pagat tona nuk është se janë fort të kënaqshme, për të përballuar jetesën”, thotë Geraldina. 

Shpenzimet që ka studentja Geraldina Mançka në muaj

Ajo tregon se i duhet të paguajë 30 mijë lekë të reja në muaj sëbashku me vëllanë për qera, drita dhe ujë.

Mua më duhet të përdor abone çdo muaj për të shkuar nga shtëpia në punë, kushton 16 mijë lekë”, thotë Geraldina.

Shpenzimet e saj në krahasim me muajin maj janë rritur si pasojë e inflacionit dhe tani paguan reth 10 mijë lekë të reja në muaj për ushqime, teska në maj paguante 6 mijë lekë të reja.

Vështirësitë për të përballuar kostot e jetesës në Tiranë nuk shfaqen shumë më ndryshe edhe për pensionistët.

Naim Qyqe merr 12 mijë lekë të reja pension në muaj dhe shprehet se me këto të ardhura nuk plotëson dot as nevojat bazike.

Naim Qyqe, pensionist

Unë nuk e kam bo llogarinë, por e thjesht farë 30 mijë lekë u do uji me dritat, 13 mijë lekë i do celulari, 13 mijë lekë i don televizori, shkon 50 mijë, ca gjonash të tjera do me ca të dalësh me 12 mijë lekë?”, thotë Naimi. 

Me rritjen e çmimeve jetesa e tij është vështirësuar edhe më tepër. Ai shprehet se tani një pensionist në Shqipëri nuk i ha dot tre vakte të plota.

E vështirë? Është e thjeshtë  se ne hamë vëtëm një vakt, ne nuk bëjmë sallatë, o do zish groshën, o do hash makaronat o do hash pilaf. Nuk ka grosh sallatë dhe makarona”, thotë Naimi. 

Ai shprehet se pensionin e merr për vete “se për atë ka punuar gjithë jetën”, por tani ai pension nuk i del dot që të bëjë një jetë të thjeshtë prej pensionisti.

Po ja cova gjithë familjes po unë vetëm bukë do haj? Nuk do dal të pi një kafe? Nuk do ble një libër? Nuk do ble një gazetë? Nuk po them me shku ne kinema se është shume e shtrenjtë, po një libër që del nuk kam të drejtë ta ble unë?”, thotë ai.

Sipas ekspertit të ekonomisë Igli Tola e gjithë kjo situatë e rritjes së çmimeve dhe përkeqësimit të cilësisë së jetesës i shtyn njerëzit drejt emigrimit.

Tirana edhe përpara kësaj situate krize kishte një nivel çmimesh mbi mesataren e të ardhurave mujore që ka një familje mesatare shqiptare. Dhe kjo është refleksioni i asaj që ne e kemi thënë gjithë këto kohë pra ky largimi i të rinjve i shtresës së mesme është për këtë arsye”, shprehet Tola.

Igli Tola, ekonomist

“Cilësia e jetesës në Tiranë”

Anisa nuk është e kënaqur me cilësinë e jetesës në Tiranë, të cilën e konsideron të dobët.

Ajo punon si redaktore dhe bashkëshorti i saj si menaxher shitjesh, pra vijnë nga një shtresë e mesme, po kjo nuk mjafton që Anisa dhe familja e saj të bëjnë një jetë “pa e vrarë mendjen në fund të muajit”.

Nëse këtu do të funksiononte transporti publik, nuk do të kishim nevojë të përdornim makinat personale për të vajtur në punë. Nëse këtu do të funksiononte si duhet sistemi shëndetësor, vajza ime shumë analiza dhe mjekime duhej t’i përfitonte falas”, shprehet Anisa. 

Edhe Geraldina si studente shprehet e e pakënaqur nga cilësia e jetesës në Tiranë.

Përpos faktit që është shumë e shtrenjtë jetesa, ajo thotë si shërbimet janë shumë të dobta.

Unë paguaj 16 mijë lekë abonenë po duhet të pres 40 minuta për një autobus dhe të shtypem aty”, thotë ajo.

Geraldina në këto tre vite studime e ka ndjerë mungesën e bibliotekave, parqeve dhe hapësirave për të rinj.

Ky qytet nuk të ofron asgjë, asnjë hapësirë të gjelbër, është shumë i ndotur dhe në disa zona nuk ka as ujë 24 orë”, shprehet Geraldina.

I indinjuar është edhe Naimi për cilësinë e jetesës në Tiranë. “Kjo nuk është Tirona, e kanë shkatrru Tironën, edhe një njëri pa shkollë e kupton sa hyn në shesh se këto s’janë arkitektë”, thotë ai.

“Pasiguri ushqimore dhe prag varfërie”

32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshëmria ushqimore, sipas raportit të OKB-së. Ndërkohë Shqipëria renditet vendi i parafundit më i varfër në rajon, pas Kosovës, sipas renditjes së Global Finance për vitin 2021. 

74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë, sipas Eurostat.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Open Data Albania mbi përqindjen e popullsië që jeton në kufirin e varfërisë, rezulton se në vitin 2019 janë 21.8% e popullsisë që zyrtarisht jetojnë nën kufirin e varfërisë. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *