Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punimet për Aeroportin e Vlorës vënë në rrezik habitatet e shpendëve

Në Akërni të Vlorës punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës janë duke vijuar. Zhurma e makinerive të rënda ka zëvendësuar tingujt e shpendëve, ndërsa puna për shtrimin e pistës ka filluar, në territorin që ligjërisht konsiderohet ende peizazh i mbrojtur natyror.

Pas një vonese tre-vjeçare, në prill të vitit 2021 u nënshkrua kontrata koncesionare mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe përfaqësues të kompanive Mabetex Group në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe dy kompanive turke: YDA-Group dhe 2A Group.

Zona e Akërnisë ndodhet brenda peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, mirëpo me një projekt-vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), Nr. 10, datë 28 dhjetor 2020, kjo zonë u parashikua të hiqet nga mbrojtja.

Megjithëse deri më tani qeveria shqiptare nuk ka një vendim të publikuar të heqjes së kësaj zone nga mbrojtja. Gjë e cila është parë më shqetësim nga aktivistët e mbrojtjes së mjedisit, duke e konsideruar ndërtimin e aeroportit pa leje.

Joni Vorpsi, PPNEA

“Zona ende mbart statusin që ka fituar në vitin 2004 për shkak të vlerave të larta natyrore, pavarësisht vendimit të KKT-së për ta hequr atë sipërfaqe në zemër të zonës së mbrojtur, ky vendim nuk ka hyre në fuqi sepse nuk ka kaluar vendimi i Këshillit të Ministrave siç ka kaluar për zonën me parqe natyrore dhe parqeve kombëtare”,-shprehet Joni Vorpsi, aktivist mjedisor pranë PPNEA-s.

Sipas tij, “peizazhet e mbrojtura ende nuk i kanë kufijtë e rinj në fuqi dhe kjo bën që ai ndërtim që po bëhet të jetë komplet i paligjshëm”.

Nisja e punimeve për ndërtimin e aeroportit duket se ka dhënë pasojat e para për habitatët e shpendëve.

Xhemali Xherri, PPNEA

“Është shumë e trishtë që të shohësh një ndryshim të tillë në kaq pak kohë. Pikërisht këtu ekspertët evidentuan një tip habitati , të cilin nuk do ta kemi më. Mund ta kemi përreth, por kjo zonë këtu është tjetërsuar totalisht”,-tregon aktivisti mjedisor Xhemal Xherri teksa hedh vështrimin drejt automjeteve që janë grumbulluar në bazën e punëtorëve.

Në Vjosë-Nartë strehohen mbi 10 mijë shpendë, të cilët krijojnë folezimet e tyre ose migrojnë deri në Afrikë.

“Ndërkohë që këto ndikime janë vetëm nga punimet paraprake, pa u ndërtuar një pistë, pa u ndërtuar një terminal, pa u ngritur struktura e betonit, pa u ngritur kulla vrojtimi, ndikimi ndihet dhe ky ndikim do jetë katastrofik, i pashmangshëm dhe do ndërpresë një rrugë shtegtimi që është ekologjike dhe ndiqet nga shpendët në mënyrë natyrore nga veriu i kontinentit tonë shkon drejt Afrikës”,-shpjegon Joni Vorpsi.

Ndërtimi dhe operimi i aeroportit iu dha me koncesion për 35 vjet grupit të kompanive turke dhe shqiptare. Ndërsa përmes një vendimi nr. 106, të datës 24.5.2022 shteti shqiptar ka dalë garant për ti kompensuar nga buxheti i shtetit nëse në 10 vitet e para të punës koncensionari gjeneron të ardhura minimale.

“Në rastin kur të ardhurat bruto vjetore janë më pak se të ardhurat minimale, Autoriteti Kontraktues do t’i paguajë Koncensionarit diferencën midis të ardhruave bruto vjetore të llogaritura nga vlerësuesi sipas nenit 11.3 dhe të ardhurave minimale”,-thuhet në vendim.

Banorët mbështesin aeroportin, por nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve publike

Mjaftime Cenaj, jeton në fshatin Kërkovë. Zonën ku do të ndërtohet aeroporti i Vlorës ajo e sheh në pëllëmbë të dorës nga ballkoni i shtëpisë së saj të ndërtuar në majë të një kodre.

Ajo rrëfen se lajmin për ndërtimin e aeroportit e ka marrë vetëm përmes televizorit.

“Nuk na ka thënë njeri, çfarë kemi marrë vesh në televizor”,-tregon ajo.

E moshuara e shikon mjaft pozitiv faktin se do të ketë një aeroport pranë shtëpisë së saj, duke shmangur kështu udhëtimin e gjatë për të shkuar drejt Tiranës sa herë i është dashur të shkojë për vizitë te tre djemtë e saj që ndodhen jashtë vendit.

Mjaftime Cenaj, banore Kërkovë, Vlorë

“Jemi shumë dakord, jemi të kënaqur, për ne, Vlorën, se do ngrihesha që në orën 3 të mëngjesit e në orën 11 do nisesha që të shkoja te djali në Belgjikë”.

Vendim Kapajn, banori Kërkovës, përpos të mirave ekonomike që sjell aeroporti, i druhet ndotjes akustike.

Vendim Kapaj, Kërkovë, Vlorë

“Ne nuk jemi kundër zhvillimit, por është një fatkeqësi për të vetmen arsye sepse do të ketë një ndotje të jashtëzakonshme akustike dhe këto habitate që kemi të natyrës, flasim për flamengot. Nga zhurmat e tepërta do braktisen shumë gjallesa. Vetëm për këtë kam merak”.

Ndërgjegjësim nëpërmjet filmit dhe diskutimeve

Organizata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) bashke me fondacionin gjerman Henrich Böll po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin e banorëve për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës. Ata organizuan një ekspeditë në peizazhin Vjosë-Nartë, ku morën pjesë 20 të rinj nga rrjeti i “United Nations Association Albania” (UNAA) dhe  shfaqën dokumentarin me titull “Untamed Albania” që tregon vlerat natyrore të Shqipërisë, si dhe u diskutua me banorët për zhvillimin e qëndrueshëm, biodiversitetin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Linda Kelmendi

“Kur i viziton këto zona dhe sidomos kur flet me banorët e zonës e kupton lidhjen qe kanë me natyrën që është e shumëfishtë dhe shumë e fortë qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në aspektin shpirtëror, kulturor, të traditave”,-shprehet Linda Kelmendi nga UNAA.

Tea Zeqaj, aktiviste mjedisore

Tea Zeqaj, aktiviste mjedisore u shpreh për Citizens Channel se lajmi për ndërtimin e një aeroporti në një zonë të tillë ishte alarmant.

“Shpresojmë që pas kësaj eksperience dhe këtij përjetimi të kthehen në vendet e tyre të lindjes, por edhe në punët e tyre, komunitetin e tyre, familjet e tyre të frymëzuar për të shpërndarë këtë informacion me të rinjtë e tjerë edhe me miqtë e tyre të tjerë për t’u mobilizuar akoma më fort edhe për t’u ngritur zërin që ky projekt zhvillimor, ky aeroport nuk duhet që në asnjë menyrë të ndërtohet brenda një zone të mbrojtur”.

Organizatat ndërkombëtare: “Ndërtimi i aeroportit në shkelje të konventave” 

Një mision i posaçëm i Konventës së Bernës ka mbërritur së fundmi në terren për të  vlerësuar situatën në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Pas vlerësimit të situatës në terren misioni do të dalë me një qëndrim zyrtar për këtë vepër.

Një vit më herët, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës i bëri thirrje qeverisë shqiptare të rishikojë planet e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

Konventa e Bernës është një instrument ligjor ndërkombëtar i detyrueshëm në ruajtjen e natyrës, ndërsa Shqipëria e ka ratifikuar atë që në vitin 1999. Mos respektimi i kësaj konvente mund ta përballë vendin me sanksione apo presion diplomatik.

Po ashtu, organizata ndërkombëtare që merren me çështjen mjedisore kanë reaguar në vijimësi për pasojat që do të ketë ndërtimi  një aeroporti në një peizazh të mbrojtur.

Përfaqësues të organizatës EruoNatur janë shprehur se qeveria shqiptare nuk ka qenë bashkëpunuese për shqetësimet e organizatave mjedisore, ndërsa kanë theksuar se ndërtimi i aeroportit do të ketë ndikim të tmerrshëm në ligatinën e Vjosë-Nartës.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, bërë publik në tetor të vitit 2021, thuhet se legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura.

“Në prill 2021, Shqipëria nënshkroi kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda Zonës së Mbrojtur Vjosa-Nartë, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar. Kjo zonë e mbrojtur është kandidate për rrjetin e zonës Emerald, i cili ofron strehim për më shumë se 62 lloje zogjsh të listuar në direktivën e BE-së për Zogjtë”,-thuhet në raport.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës: Aeroporti nuk është në zonë të mbrojtur 

Në maj të këtij viti, në një seancë në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se aeroporti nuk do të ndërtohet në zonë të mbrojtur.

“Zona, ku po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është jashtë zonës së mbrojtur. Është një zonë e cila i ka takuar gjithmonë si pronësi ushtrisë shqiptare, Ministrisë së Mbrojtjes dhe si e tillë është përdorur që në vitin 1920, e ndërtuar nga forcat italiane të asaj kohe. Në gjuhen teknike quhet airfield, pasi nuk është një pistë e mirëfilltë. Në këtë zonë prej 298 hektarësh do të ndërtohet aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, aeroporti më i madh në vend, kryer nëpërmjet një procedure ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë disa konsorciume dhe ka fituar konsorciumi i cili po ndërton sot atje”,-u shpreh ministrja Balluku.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *