“Ndjej shumë dhembje, ndjej shumë urrejtje për komunizmin dhe sot që është 30 e ca vjet demokraci ne dukemi sikur jemi si një gur shahu, akoma se gjejmë vendin tonë“, rrëfen Floreta Kaloshi për Citizens Channel.

Ajo është një nga 21 vajzat dhe gratë që i mbijetuan internimit në Gradishtë dhe Savër të Lushnjes dhe rrëfyen historitë e tyre në dokumentarin “Fluturat” të regjisorit Bujar Alimani.

Premiera e dokumentarit u mbajt dje, më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

“Përjetimi më direkt i kampit të përqendrimit është balta edhe telat edhe mungesa e lirisë“, rrëfen për Citizens Channel Ridvana Mena, një nga personazhet e dokumentarit.

Pas mbylljes së kampit me tela me gjemba të Tepelenës në 1952, familjet e internuara u transferuan për në fshatrat e Lushnjës, ku shkuan jetën me brezni, të dënuara e të ndëshkuara kolektivisht që në lindje, të etiketuar si “armiq të popullit”.

“Kur shkoja te shkolla gjithë qejf se po çoja hi, për të plehëruar bimët. Profesori të nxirrte para shkollës dhe të thoshte: shikoni armiken e vogël, ka prurë hirin e nxehtë, të djegë bimët“, kujton Floreta Kaloshi.

Histori të ngjashme kujton edhe Lindita Andreu Alicka teksa shkonte pas autokombajnës për të parë nëse kishe rrjedhje gruri.

“Ne shkonim pas autokombajnës për të parë në kishte rrjedhje gruri apo jo, në moment ranë disa kokrra gruri dhe duhet të vrapoje që ti thoje që të ndalonte. Përgjegjësi sektorit më ka dhënë një të bërtitur, një të ulërimë, sabotatore, edhe këtu e tregoni veten, bëni sabotim, për 4 – 5 kokrra gruri që ranë në tokë“, rrëfen ajo.

Një ndër pengjet e grave në dokumentar është arsimi i munguar në ato vite dhe pamundësia për të pasur një karrierë profesionale.

“Edhe kur kam qenë fëmijë se kam pasur shansin të merrja një shkollë, është ëndërr shkolla për ne, edhe fëmijët e tonë po ashtu si ne vazhduan“, thekson Floreta Kaloshi.

Regjisori Bujar Alimani pohon se mesazhi është mëshimi i paqes dhe dashurisë mes njerëzve, pavarësisht asaj atë çfarë ata kanë kaluar.

“Jepet mesazhi fortë në film i pastrimit të ndërgjegjes, i memories tonë historike, e cila unë mendoj që nuk është ezauruar plotësisht, pra është vetëm një pjesë e saj e dal në dritë kështu që mendoj që dokumentarë të tillë ndihmojnë që ne të njohim të shkuarën tonë 100% ashtu siç ka qenë “, shpjegon ai.

Personazhet e dokumentarit gjithashtu vënë theksin tek rëndësia e kujtesës për brezat e rinj.

“Ka filluar këto vitet e fundit po bëhet një përpjekje, që të futet në kurrikul, të studiohet ajo periudhë e komunizmit, krimet që janë bërë në atë periudhë, po më mirë vonë sesa kurrë“, përfundon Ridvana Mema.

“Fluturat” është i pari i një serie dokumentarësh të regjisorit Alimani, që trajtojnë diktaturën komuniste në vend, duke vlerësuar mendimin ndryshe dhe dinjitetin njerëzor.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu