Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Estetika Relacionale”, një hartë e marrëdhënieve të politikës me artin, arkitekturën dhe biznesin

“Për të kuptuar të tashmen, p.sh. projekti “Eden Park“ brenda oborrit të kryeministrisë, për të kuptuar zanafillat e një projekti të tillë, na duhet të kuptojmë ndërlidhjet dhe historinë e projektimit arkitekturor në Tiranë. Si ka mundësi që një projekt i tillë është miratuar?  Për këtë arsye kam krijuar këtë databazë“, thotë për Citizens Channel shkrimtari Vincent W.J.van Gerven Oei*.

Ai ka krijuar projektin “Estetika relacionale“, që paraqet nëpërmjet një rrjete vizuale lidhjet e politikës me arkitekturën, artin dhe biznesin. Ky projekt është një përmbledhje e të dhënave nga 1990 deri më 2016.

“Kam krijuar këtë databazë, si një përpjekje për të filluar ndërtimin e një memorie publike sepse përndryshe ne do të harrojmë pse gjërat janë kështu siç janë dhe prandaj ky projekt ekziston“, thekson Vincent.

Ai shpjegon se ky punim lindi si një nevojë e tij, si një i huaj ne Tiranë, për të kuptuar dhe për të njohur ndërlidhjet midis politikës dhe fushave të ndikimit të saj.

Harta paraqet lidhjet midis qindra personave, të ndarë në disa kategori kryesore si arkitektë, artistë, kuratorë, politikanë, burokratë dhe sipërmarrës. Platforma paraqet në madhësi individët në bazë të numrit të lidhjeve. Në fushën e politikës janë më të dukshëm emrat e kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut Veliaj dhe ministra e ish-ministra si Mirela Kumbaro, Eglantina Gjermeni, Milva Ikonomi etj.

Nëse klikojmë te kategoria e arkitektëve dhe shohim se cila sferë (ngjyrë e verdhë, që përfaqëson lidhjet e pushtetit me arkitekturën) është më e dukshme në krahasim me të tjerat do të lexojmë emra si: Stefano Boeri, Alban Efthimi, Artan Shkreli etj.

Nëse klikojmë tek kategoria e artistëve dhe shohim se cila sferë (ngjyrë e kuqe, që përfaqëson lidhjet e pushtetit me artistët) është më e dukshme në krahasim me të tjerat do të lexojmë emra si: Anri Sala, Adrian Paci, Edi Hila etj.

“Shohim psh një projekt nga Winy Maas. Kush është Winy Maas? Çfarë ka bërë ai në Tiranë ? Dhe ti shkon në platformë dhe shikon çdo gjë që ka bë ai të paktën deri në 2016 dhe është shumë. Unë e di këtë dhe njerëz të tjerë tani mund ta dinë këtë“, shton ai.

Kjo rrjetë vizuale është pjese e projektit artistik Manifesto Hijacking dhe është e hapur për kontribute informacioni edhe nga publiku.

“Nuk është Wikepdia, nuk është enciklopedi, është vetëm fillimi por duhet dhe më shumë punë për ta zhvilluar dhe zgjeruar. Është shumë e rëndësishëm që edhe të kontribuohet me informacion të dhënat mund të ngarkohen ose të dërgohen me emali, duhet të mendojmë që ta bëjmë edhe më praktike“, analizon Vincent.

Ai thekson se vështirësia më e madhe e projektit konsiston në kodimin e informacionit. Aktiviteti i tij është bazuar në punë kërkimore, në bashkëpunim me teknikë të vizualizmit të materialit.

*Vincent W.J.van Gerven Oei është aktualisht i angazhuar si gazetar në median online Exit.al Ai është një specialist i gjuhës së vjetër nubiane dhe kryeredaktor i Dotawo, gjurmë e Unionit për Studime Nubiane.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *