Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Qyteti pa Barriera”, aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara

Autore: Anjeza Llubani Phd. Cand.*

Ndryshimi i perceptimit njerëzor në përdorimin e hapësirës nga të gjithë, do të jetë pika e arritjes së mirëqenies njerëzore. Ne si shoqëri kemi ndërtuar një botë që i përshtatet më shumë personave që kanë të ashtuquajturat aftësi. Personat me aftësi të kufizuara (PAK), vuajnë pjesën më të madhe të ndikimeve negative të normave dhe roleve të ngurta në shoqëri. Ata shpesh vlerësohen më pak dhe kanë status më të ulët në shoqëri dhe përjetojnë kufizime të lirisë dhe lëvizshmërisë së tyre dhe kanë pak mundësi për të zgjedhur se si të jetojnë jetën. Ky mohim i lirisë, i pengon ata të përmbushin potencialin e tyre. Ne mund të ndihmojmë të ndërtojmë një botë të barabartë, duke eliminuar diskriminim dhe pabarazinë. Koncepti modern që kemi për barazinë na detyron të luftojmë për një botë që e pranon të ndryshmen duke e vlerësuar atë.

Ku qëndron Shqipëria? A po punon drejt arritjes së standardeve për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara? Qytetet vazhdojnë të kenë barriera të llojeve të ndryshme si fizike ashtu edhe sociale dhe humane. Mos-eleminimi i barrierave arkitektonike sjell diskriminimin dhe pabarazinë shoqërore. Raportet dhe dëshmitë e personave me aftësi të kufizuara PAK bëjnë thirrje për nevojë për ndërhyrje urgjente e të mirëmenduara për të qenë pjesë e shoqërisë. Qëllimi i këtij artikulli ofron një analizë të situatës së zbatimit të masave të hapësirave publike, barrierat që pengojnë lëvizjen e lirë, jetesën e pavarur si dhe propozon procedurat e implementimit të qytetit universal dhe projektimit pa barriera, duke konsideruar të gjitha mundësitë për përshtatjen në mënyrë që të mund të përmirësohet shfrytëzimi i qytetit nga të gjithë.

Ndërtimi i një shoqërie që respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe eliminimin e çdo mënjanimi ose diskriminimi është një ndër aspketet themelore të krijimit të qyteti ideal. Personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtën e jetesës së tyre në qytetet përkatëse dhe të jenë të barabartë në shoqëri. Ajo cfarë duhet të kemi parasysh si shoqëri është menyra se si qasemi me aftësinë e kufizuar. Pra si duhe ti drejtohemi dhe si duhet të komunikojmë jo vetëm me gjuhën e dizajnit por edhe në përditshmërinë tonë, në mënyrë që të respketojmë të gjithë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke i bërë ata pjesë të shoqërisë dhe duke pasur parasysh konceptin e gjithpërfshrijes – pjesëmarrja e plotë dhe efektive në shoqëri.

UN Habitat e përkufizon qytetin gjithëpërfshirës si qytet që promovon zhvillimin e drejtë, ku të gjithë mund të marrin pjesë plotësisht në shoqëri pa dallim të racës, gjinisë, fesë dhe etnisë. Kur flasim për personat me aftësi të kufizuar kemi parasysh personat me vështirësi në lëvizje, shikim, dëgjim dhe në të folur dhe aftësinë e kufizuar intelektuale. Aksesueshmëria është mënjanim i pengesave të të gjitha llojeve, përfshirë si aspektin (aksesin) fizik në rrugë dhe trotuare, në objektet shtetërore, qendrat e shërbimit dhe hapësira të tjera publike, ashtu edhe aksesin në informacion, përmes formateve të aksesueshme ose përmes ofrimit të shërbimeve online.

Përshtatshmëria e cila është një term i përgjithshëm që përdoret për të përshkruar shkallën, mjedisin bazuar në një produkt, pajisje ose shërbim që është i arritshëm nga një numër sa më i madh personash një koncpet i lidhur ngushtë me projektimin universal.

Projektimi Universal është përdorimi i mjedisit, programeve, mallrave dhe shërbimeve nga të gjithë, në masën më të madhe të mundshme, pa pasur nevojë për përshtatje apo për projektim të veçantë. Projektimi universal nuk duhet të përjashtojë pajisjet ndihmëse për grupe të veçanta të personave me aftësi të kufizuar, kur është e nevojshme.

Ky artikull ofron analizë reale të situates së zbatimit të masave të hapësirave publike dhe kërkon zgjidhje konkrete nga politikbërësit për eliminimin e pengesave dhe projektimin pa barriera duke synuar pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara. Ndër të tjera analizon problematikat në zbatimin e VKM-së Nr. 1074, datë 23.12.2015, “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara”, si dhe rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” VKM Nr. 1503, datë 19.11.2008 në ambientet e brendshme apo të jashtme të ndërtesave, infrastrukturës, hapësirave dhe shërbimeve publike. Koncepti bazë mbi aksesueshmërinë thekson gjithë përfshirjen dhe qytetin pa barriera. Aksesueshmëria është e vetmja mënyrë praktike për zbatimin e të drejtave si punësimi, arsimi, jetesa e pavarur, pjesëmarrja në jetën politike apo publike e të tjera. Është një faktor themelor në zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Aksesueshmëria garantohet nga zbatimi i të gjitha standardeve në hapësirën dhe mjedisin e ndërtuar që përfshin metoda më të njohura si aksesin dhe dizajnin pa barriera.

Nëse dizajni është universal – do të thotë një dizajn për të gjithë – sipas definicionit, i arritshëm. Evidentimi i problemeve të aksesueshmërisë në Shqipëri kontribuon në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, nëse trotuaret, parqet, sheshet, lagjet dhe hapësirat që frekuentojmë do ishin të përshtatshme ose të projektuara për të gjithë llojet e personave me dhe pa aftësi të kufizuara.

Projektimi i mjedisit urban pa barriera duke pasur në fokus gjithë përfshirjen paraqet një sfidë të veçantë dhe evidenton një sërë problemesh që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë. Mungesa e theksuar e aksesueshmërisë në mjedisin e ndërtuar janë problemet kryesore me të cilat përballen PAK dhe mundësinë për të jetuar qytetin si të gjithë. Kjo qasje e munguar cenon pjesëmarrjen dhe kontributin e PAK në shoqëri.

Persona me Aftësi të Kufizuara drejt përfshirjes së plotë në shoqëri

Për të arritur ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme, autoritetet kombëtare, arkitektët, planifikuesit urban, qendrat për punë sociale, biznesi privat, midis të tjerave, duhet të kontribuojnë për ta bërë realitet lëvizjen e lirë dhe gjithëpërfshirëse të personave me aftësi të kufizuar. Diskriminimi dhe përjashtimi i PAK nga shoqëria, jeta publike nuk është si rezultat i paaftësisë së tyre por si shkak i mungesës së theksuar të aksesit në mjedisin e ndërtuar dhe problematikave të transportit publik, aksesueshmërisë së ndërtesave publike dhe private, mangësive të materialeve/elementëve të cilat janë të përshtatshme si dhe qëndrimeve negative që janë krijuar për këtë grup individësh.

Lëvizja e lirë e personave është thelbësore në mjedisin urban. Pjesëmarrja e plotë dhe efektive në shoqëri, punësimi, pjesëmarrja në jetën sociale e kulturore në qytet, mjedis i përshtatur, socializim, akses në kujdesin shëndetësor, infrastrukture e përshtatshme arsimore janë disa nga elementet e përshtatshmërisë. Për të lëvizur lirshëm në qytet dhe për tu ndjerë i barabartë dhe një jetesë të pavarur, duke krijuar zinxhirin e pandërprerë të lëvizjes duhet të ofrojmë lëvizjen e lirë në trotuare, aksesin në ndërtesat publike dhe private, transportin publik, aksesin në godina kulturore dhe sociale, parkim i rezervuar për PAK, hapësirat publike, socializim etj.

Ndërtimi që në fillim sipas standarteve të aksesueshmërisë janë disa nga veprimet që sjellim ndryshime thelbësore në jetën e personave me aftësi të kufizuara. Përshtatshmëria e mjedisit të ndërtuar dhe ndërtimi i hapësirave të reja urbane nuk jane iniciativa të pa mundura, janë lehtësisht të aplikueshme dhe të adaptueshme. Lëvizja e Lirë e Personave me Aftësi të Kufizuara është një synim i arritshëm.

Konkluzione dhe Rekomandime

Objektivi i bërjes së qyteteve pa barriera, të aksesueshëm dhe plotësimi i standardeve për të lëvizur lirshëm duhet të jetë synimi i çdo projekti. Qyteti duhet të jetohet në mënyrë të barabartë nga të gjithë pa asnjë lloj kufizimi apo mënjanimi. Ai duhet të shfaqet dhe të jetohet sa më i butë dhe të mos dëmtojë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri.

Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm siguron pjesëmarrjen më efektive dhe gjithpërfshirjen në shoqërinë njerëzore. Hartimi dhe zhvillimi i projekteve sipas kritereve teknike dhe përmbushja e standardeve do të bëjë të mundur gjithëpërfshirjen.

Pushteti vendor dhe bizneset private duhet të zbatojnë kuadrin ligjor dhe konceptet e aksesueshmërisë dhe të projektimit universal. Ne duhet të garantojmë socializim, pavarësi, aksesueshmëri në cdo qytet ku çdo qytetar me dhe pa aftësi të kufizuar të jetë pjesë e shoqërise dhe aktor i barabartë në qytet.

Disa nga rekomandimet për ta arritur këtë janë:

  1. hartimi i planit të masave për të eliminuar pengesat në informacion, komunikim dhe lëvizshmëri për të gjitha grupet e aftësisë së kufizuar, i cili duhet të jetë sa më konkret duke evidentuar objekte dhe shërbimet të cilat do të përshtaten;
  2. planifikimi i fondeve të nevojshme për përshtatshmërinë;
  3. përcaktimi i afateve kohore për realizimin e përshtatshmërisë. Në lidhje me prokurimet publike në çdo bashki, duhet që specifikimet teknike të të gjitha projekteve të përshkruajnë me detaje elementet e përshtatshmërisë dhe aksesueshmërisë. Në infrastrukturë dhe objektet ekzistuese duhet një rivlerësim dhe supervizim rigoroz duke eliminuar çdo barriere arkitektonike. Gjithashtu ka një njohje të limituar të kuadrit ligjor dhe koncepteve të reja që ligji sjell në këtë drejtim apo një interesim të ulët nga specialistët përkatës në krahasim me problematikat e tjera në fushën e zhvillimeve urbanistike dhe arkitektonike në qytet, duke mos e vlerësuar përshtatshmërinë në objekte në të njëjtin nivel vlerësimi si detyrimet e tjera në fushën e ndërtimit. Nga monitorimi dhe vlerësimi i gjendjes aktuale të infrastrukturës, hapësirës publike, vendparkimeve, qendrave shëndetësore dhe institucioneve arsimore, shërbimet publike dhe private, transporti publik në qytete të ndryshme të Shqipërisë, rezulton që pothuajse mungojnë: i) rrugët lehtësisht të aksesueshme për PAK; ii) dimensionet e përshtatshme dhe aksesorët e domosdoshëm të trotuareve për të mundësuar lëvizjen; iii) vendparkimet të dedikuar për PAK; iv) mjetet e transportit publik ku duhet të garantojnë sistemin e informimit për të gjithë llojet e PAK; v) elementët e aksesueshmërisë në instituciont arsimore për personat me aftësi të kufizuar, duke veçuar këtu ndërtesat ekzistuese; vi) akseset në qendrat shëndetësore për PAK në ndërtesat ekzistuese; vii) akseset në ambjentet kulturore dhe në strukturat turistike ejt.

Si rrjedhojë e analizës së gjendjes aktuale problematike në lidhje me personat me aftësi të kufizuar, është e nevojshme që institucionet përgjegjëse të bëjnë përpjekje për të përfshirë infrastrukturën e nevojshme për personat me statusin PAK jo vetëm në ndërtimet e reja por edhe adaptime në strukturat ekzistuese.

*Anjeza Llubani është doktorante në Univrsitetin e Teknologjisë në Graz, Austri, pranë Departamentit të Urbanistikës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *