Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Nuk e japim Vlorën”, ambientalistët protestojnë kundër TEC-eve lundruese

Me moton “Ne nuk e japim Vlorën”, ambientalistë dhe aktivistë protestuan sot në Vlorë, për të kundërshtuar mbërritjen e dy anijeve që do të prodhojnë energji elektrike duke djegur karburant.

“600 tonë naftë që do të digjen në ditë nga këto dy anije. Është një metodë që nuk do të zgjidh krizën energjitike, por do të shtojë vetëm dëmin mjedisor dhe shëndetësor për komunitetin”, tha për Citizens Channel aktivistja Artes Ferruni.

Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeccare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh.

Aktivistja Artes Ferruni pohoi se këto anije kanë mbërritur nga Bangladeshi, janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, madje në dy vitet e fundit nuk janë përdorur as nga Bangaldeshi.

“Është një teknologji jashtëzakonisht dëmtuese, asnjë vend në Evropë nuk e ka zgjedhur këtë teknologji“, thekson ajo.

“Porti i Ri i Vlorës do jetë një port i integruar ku përveç anijeve të mallrave do të ankorohen anijet e peshkimit, tragetet e udhëtarëve, ndërkohë që brenda gushtit do të instalohen dy anije prodhuese të energjisë elektrike”, tha kryeministri Rama më 29 Korrik.

Ministria Balluku ka deklaruar se dy anijet do të prodhojnë energji 55 megavat-orë secila, pra në total 110 megavat-orë për t’u shpërndarë në sistemin tonë të energjisë elektrike.

“Janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB”, citon ajo.

Termocentralet lundruese përpurojnë HFO, një kategori karburanti të rëndë që ngjason me katranin, i njohur gjithashtu si karburanti bunker. Ky preparate gjenerohet nga mbetjet në procesin e distilimit të naftës, për këtë arsye është i kontaminuar me përbërës si squfuri dhe azotit, të cilat i bëjnë emetimet nga djegia më ndotëse se karburantët e tjerë.

Kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite sipas KESH do të jetë rreth 330 milion dollarë, në varësi të ccmimit të karburantit të rëndë që do të shërbejë si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë.

Ironikisht, dy anijet do të qendrojnë shumë pranë Termocentralit të Vlorës. Një projekt i cili i kushtoi qytetarëve rreth 130 milionë dollarë për tu ndërtuar, dhe dhjetëra miliona të tjera mirëmbajtje, por nuk ka funksionuar asnjëherë për shkak të një defekti që pësoi në vitin 2012 në tubacionet ftohëse të turbinave.

“Ambientalistët sugjerojnë energjinë fotovoltaike si zgjidhje”

Pamje nga protesta

“Përveç një superndotje për gjithë Vlorën shqiptarët do duhen të paguajnë rreth 700 milion EUR për 2 vjet, para me të cilat mund të sigurohen nga energji e rinovueshme shumëfish i këtij kapaciteti dhe me një përdorim 30 vjeçar“, analizon eksperti Lavdosh Ferruni.

Sipas tij në raste krize energjitike mund të përdoren zgjidhje alternative siç është energjia fotovoltaike.

“E shoh si të vetmen alternativë për kushtet e Shqipërisë, të cilat jo vetëm që zgjidhin çdo problem nga pikëpamja energjisë duke e lidhur me sasinë e madhe të ditëve me diell që ka Shqipëria. Kjo është tendenca botërore“, shpjegon Ferruni.

Energjia diellore fotovoltaike është një burim i pastër, i rinovueshëm i energjisë që përdor rrezatimin diellor për të prodhuar energji elektrike. Ajo bazohet në të ashtuquajturin efekt fotoelektrik, me anë të të cilit disa materiale janë në gjendje të thithin fotone (grimcat e dritës) dhe të lëshojnë elektrone, duke gjeneruar një rrymë elektrike.

“TEC-i Vlorës është llogaritur të krijojë ndotje sa deri 100 mijë makina çdo ditë që ecin 100 kilometra. Ndotja skandaloze që po i shkaktohet gjithë vendit është një rrezik serioz edhe për florën dhe faunën e të gjithë zonës“, thekson ai.

Për të kundërshtuar djegien e 600,000 kg naftë të rëndë,, në gjirin e Vlorës aktivistë kanë krijuar dhe peticionin online, i cili është firmosur deri më tani nga 700 qytetarë.

“Komuniteti është disi i informuar por jo mjaftueshëm. Kishte pjesëmarrje, po duhet më shumë për të hedhur dritë edhe tek banorët e Vlorës për atë cfarë po ndodh“, përfundoi Artes Ferruni.

TEC-et lundruese si ”zgjidhje alternative” ndaj krizës aktuale

Mbërritja e anijeve prodhuese të energjisë elektrike në Gjirin e Vlorës vjen rritjes së lartë të çmimit të energjisë elektrike dhe karburanteve, që përfshiu Europënpas zhvillimeve të luftës në Ukrainë.

Qeveria shqiptare prezantoi dje paketën e re të rezistencës sociale, ku parashikohet ri indeksimi i pensioneve, rritja e pagës minimale nga 32.000 lekë në 34.000 lekë, rritja e pagave për administratën, policinë e shtetit dhe policinë e burgjeve; mbështetja për fermerët etj., edhe pse sipas ekspertëve kjo paketë nuk përfaqëson të gjitha grupet në shoqëri.

Plani i kursimit të energjisë do të prek edhe familjet, ku sipas së cilës qytetarët do të paguajnë 4.4 herë më shumë energji elektrike, nëse kapërcejnë limitin e kilovatëve të vendosur nga qeveria.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *