Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Paketa e rezistencës sociale, kush përfiton e kush mbetet jashtë?

Qeveria shqiptare prezantoi dje paketën e re të rezistencës sociale si përgjigje ndaj krizës globale energjetike dhe ndikimit të luftës në Ukrainë.

Përmes një konference për shtyp, Kryeministri Rama bashkë me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministren e Financave dhe Ekonomisë bënë publike një sërë masash që do ti vijnë në mbështetje qytetarëve shqiptarë.

Masat e marra dhe ndikimi i tyre 

“Do të kemi një ri indeksim të pensioneve të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6% duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm, por shkon në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti’,- u shpreh kryeministri Rama.

Riindeksim do të ketë edhe për personat me aftësi të kufizuara me 7.5%, ndërsa ndihma ekonomike do të rritet me 10%.

Sipas Klajdi Bregut, ekspert i ekonomisë, rritja e të ardhurave për këto grupe jo detyrimisht mbulon shpenzimet e tyre.

Kljadi Bregu, ekspert ekonomie

“Familjet në nevojë dhe pensionistët kanë një inflacion më të lartë se ai që raportohet për shkak se shpenzimet e tyre janë kryesisht në ato produkte që kanë pësuar rritje të lartë çmimesh. E parë në këtë kontekst çdo rritje apo indeksim që është në të njëjtin nivel me inflacionin nuk do të mbulonte shpenzimet shtesë të këtyre familjeve”,-analizon Bregu.

Nga paketa e rezistencës përfitojnë edhe gratë kryefamiljare me dy fëmijë, të cilat janë të papuna.

“Bëmë në paketën e parë një dyfishim të ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare me 3 fëmijë, tani ulemi edhe për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Pra të gjitha gratë kryefamiljare që janë në kushtet e papunësisë, natyrisht do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar’,- deklaroi Kryeministri.

Kryeministri Rama u shpreh se paketa është konceptuar si mbështetje afatmesme, pasi kriza ka natyrë të pa parashikueshme.

Një pikë tjetër e paketës së rezistencës sociale është edhe rritja e pagës minimale nga 32.000 lekë në 34.000 lekë. Rritje kjo e kryer për të dytën herë brenda vitit, pasi në janar paga minimale shkoi në 32.000 lekë nga 30.000 që ishte.

Po ashtu rritja e pagave për administratën, policinë e shtetit dhe policinë e burgjeve ishte një tjetër pikë e paketës.

Ndërsa Delina Ibrahimaj, ministrja e financave dhe ekonomisë u shpreh se mbështetja do të jetë edhe për fermerët.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim fermerët duke shtuar masën për naftën pa taksa, duke e çuar numrin e fermerëve përfitues në rreth 34 mijë nga 19 mijë që ka qenë një vit më parë”.

Për ekonomistin Klajdi Bregu, kjo paketë nuk përfaqëson të gjitha grupet në shoqëri.

“Një nga këto grupe është sektori i bujqësisë ku ndihma për subvencionimin e çmimit të naftës nuk u përfitua nga të gjithë bujqit. Kjo ndodhi sepse jo të gjithë mundën të aplikonin brenda afatit”,-shprehet Bregu.

Ndërsa shton se “kur kalohen paketa të tilla që duhet të lehtësohen proçedurat dhe në këtë rast të hiqet aplikimi në mënyrë që të gjithë të përfitojnë dhe duhen pasur parasysh sektorët e rëndësishëm të ekonomisë.”

Vëmendje në paketën e rezistencës sociale pati edhe energjia elektrike, duke marrë shkas edhe nga kriza që pritet të pësojë Evropa në vijim, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Qeveria vendosi një fashë të re konsumi mbi çmimin e energjisë elektrike.

‘Nisur nga analiza e të gjithë fashave të konsumatorëve kemi mbi 90% konsumatorë familjarë të cilët konsumojnë rregullisht më pak se 800 KW orë dhe kemi një numër konsumatorësh rreth 6-7% të totalit që konsumojnë më shumë se 800 KW dhe aty bëhet fjalë për konsumatorë familjarë me vila me pishina, me oborre të gjëra, me ndriçim dekorativ për të cilët mendojmë se ka ardhur koha se nuk mund të paguajë buxheti i shtetit dhe nuk mund të paguajnë më taksapaguesit e zakonshëm”.

Për këtë arsye, Kryeministri u shpreh se secili familjar që shpenzon mbi 800 KW do të paguajë me çmimin e tregut, me qellim uljen e konsumit të tepërt të energjisë në kohë krize.

Sipas ekspertit të ekonomisë ky është një hap i duhur i qeverisë, por i pamjaftueshëm dhe i vonuar.

“Në gjykimin tim qeveria duhet ta kishte rritur çmimin e energjisë elektrike më parë dhe ta kombinonte këtë me subvencion për shtresat në nevojë (pensionistët, ata që marrin ndihmë ekonomike etj). Kjo do të kishte sjellë ulje të konsumit të energjise dhe si rrjedhojë do lejonte qeverinë të kishte më shumë të ardhura per rritje pensionesh, pagash”,-përfundon Bregu.

“Më pak koncensione, më shumë ndihmë sociale”

Klajdi Bregu shprehet për Citizens Channel se reagimi me paketën e rezistencës duhet të ishte më i hershëm, duke pasur parasysh edhe situatën fiskale të vendit. Ai sugjeron uljen e shpenzimeve të qeverisë për disa nga koncensionet sikurse ai i sterilizimit, që ka kosto shumë të larta, për ti përdorur ato në ndihmë të shtresave në nevojë.

“Rritja e shpenzimeve që qeverisë në një situate inflacioni do të rriste çmimet më tej sepse tani qytetarët do të kishin më shumë të ardhura për të shpenzuar. Ndërkohë, nëse qeveria do të financonte të paktën një pjesë të paketave që ka dhenë me ulje të shpenzimeve për konçesionet atëhere dhe situata e inflacionit do të ishte më e mirë”,-argumenton Bregu.

Bregu sqaron se përpos parashikimeve të qeverisë për ulje të deficitit buxhetor nga 4.5% të prodhimit të brendshëm bruto në 4.2%, sërish deficiti do të rritet më shpejt se ekonomia.

“Edhe me këtë përmirësim të lehtë deficiti do të rritet me shpejt se ekonomia (pritet 3.2%) dhe si pasojë borxhi jonë dë të rritet këtë vit. Patjetër për borxhin e shprehur në lek ndikon edhe kursi i këmbimit me euron, i cili është në nivelin më të ulët që nga viti 2006. Nëse euro forcohet atëhere ne mund të shohim një përkeqësim të treguesve te borxhit publik”.

“Qeveria ‘harron’ studentët”

Në këtë paketë nuk ka mbështetje për studentët, 5 mijë prej të cilëve nënshkruan një peticion ku kërkuan një bonus prej 10 mijë lekësh për të përballuar krizën.

Sot, përfaqësues të Qëndresës Qytetare i dorëzuan Kryeministrit Rama në shenjë simbolike një imitim të certifikatës së rekordit Guinnes, si Kryeministri i cili nuk ka informacion që në Shqipëri ka studentë. Kjo në shenjë proteste për mos përfshirjen e studentëve në paketën antikrizë.

Dekorata e vendosur nga aktivistët para Kryeministrisë Foto: Erisa Kryeziu

Kjo është paketa e dytë e rezistencës sociale pas asaj të muajit mars.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *