Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Urdhri i Prokurorisë për ndalimin e publikimeve mbi sulmin kibernetik pritet me shqetësim nga gazetarët

Të tjera të dhëna konfidenciale të shtetit shqiptar u bënë publike dje, duke thelluar sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Këtë herë hakerat publikuan të dhëna nga Policia e Shtetit, mes tyre e-maile të ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano, në kanalin e quajtur “Homeland Justice” në rrjetin social Telegram.

Vetëm pak orë pas këtij publikimi Policia e Shtetit përmes një reagimi, u njoftoi qytetarëve dhe medias një vendim të Prokurorisë së Tiranës që ndalon publikimin e të dhënave të botuara nga autorët e sulmit. ndaloi gazetarëve të mos i publikojnë këto të dhëna.

Policia shkoi më tej, duke kërcënuar me ndjekje penale personat apo mediat që publikojnë të dhënat që “cenojnë sigurinë kombëtare”.

“Gazetarët ngrenë alarmin për censurë dhe arbitraritet”

Flutura Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias e cilësoi qesharak dhe të rrezikshëm faktin që Policia shqiptare iu ndalon gazetarëve publikimin e informacionit përmes postimeve në median sociale.

Për gazetarin Vladimir Karaj, urdhri është i paqartë: “Ai u referohet të dhënave të hakuara nga sistemi TIMS, por të tilla të dhëna nuk janë publikuar deri tani as nga hakerat dhe as nga mediat”.

Ai shton se urdhri është kuptuar sikur u referohet e-maileve të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.

“Në thelb urdhri është i pavlerë”, shprehet Karaj. Kjo pasi të dhënat janë të aksesueshme përmes rrjeteve sociale, si për gazetarët ashtu dhe për “persona kurioz”

“Nuk ka asnjë qartësi se si prokuroria apo policia mund ta ndalojnë këtë”, deklaron ai.

Ndër të tjera, Karaj e sheh shqetësues faktin që kjo nuk është hera e parë që media në Shqipëri përballet me urdhëra të tillë.

Por përpos urdhrit ai ngre dhe një tjetër shqetësim, që ka të bëjë me verifikimin e informacionit nga gazetarët para publikimit.

“Një pjesë e mirë e përmbajtjes në dosje është në dokumente wordi, exeli e të ngjashme dhe mund të jenë përpunuar ndryshuar për të krijuar probleme”, thotë ai.

Nga ana tjetër thekson se media nuk ka pse u bindet urdhrave të cilës do lloj natyre, për sa kohë informacioni ka interes publik.

“Duhet të mbahen parasysh të dhënat e palëve të treta që përmenden në informacione operative dhe që ska pse të bëhen publike pa i pyetur. Duhet vlerësim rast pas rasti”, përfundon Karaj.

Elvin Lukun, drejtues i Qendrës MediaLook, dhe pedagog i gazetarisë e cilëson urdhrin intimidues për mediat.

“Nga njëra anë kemi absolutisht një përpjekje të dëshpëruar të policisë dhe Prokurorisë për të kufizuar një pushtet tjetër, që në rastin konkret nuk është publikues i parë por ripublikues i informacioneve që nxjerr faqja Homeland Justice; por, nga ana tjetër, trajtimi i këtij informacioni kërkon një përgjegjësi më të lartë profesionale të gazetarit, për të verifikuar raportime apo indicie që janë hetuar dhe rrëzuar”, shpjegon Luku.

Ai shprehet se jo çdo informacion ka interes publik.

“Shqipëria nën sulme të vazhdueshme ndaj të dhënave personale”

Nga maji i vitit 2021 deri në shtator 2022, të dhënat e shtetit shqiptar dhe qytetarëve janë sulmuar 6 herë nga autorë të ndryshëm. Numrat e mijëra qytetarëve dolën në shitje pak kohë më parë. E gjithë kjo situatë i ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve të mundshme, pasi databazat e bëra publike përmbanin të dhëna si adresa e shtëpisë, ID, numër telefoni, vendi i punës dhe deri tek drejtimi politik.

Ekspertët flasin për një sistem të dobët që ra pre e sulmit. Sipas një investigimi të Microsoft dhe FBI, rezultoi se webi administrata.al ishte hallka më e dobët që u përdor nga hakerat.

Pas publikimit të Microsoft, u zbulua se sulmi kishte ardhur nga Irani. Qeveria shqiptare urdhëroi largimin e diplomatëve iranianë nga vendi, por sulmet nuk kanë ndaluar. Faqja Homeland Justice ka vazhduar me publikimin e informacioneve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *