Banka Tregtare Durres

Prej më shumë se katër vitesh, Banka Kombëtare Tregtare në Durrës, qëndron e mbyllur. Jashtë godinës historike është vendosur një tabelë, e cila informon për ambientin e ri ku po kryen shërbimet banka, duke mos dhënë detaje mbi projektin e restaursimit.

Një urdhër i Ministrisë së Kulturës në vitin 2018 e shpalli Bankën Kombëtare Tregtare të Durrës monument kulture të kategorisë II.

Drejtuesi i kompanisë private që po kryen punimet, Mhill Gjoka, i tha Citizens Channel se punimet do të përfundojnë në fund të 2023 dhe kati i fundit i godinës do të kthehet në një muze të hapur për vizitorët.

Asnjë urë komunikimi midis investitorit privat dhe institucioneve shtetërore

Miratimi i Projektit “Restaurim i Bankës së Shtetit (sot BKT), Durrës ” me subjekt aplikues “A.Gjoka  sh.p.k ” është miratuar nga  Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) me vendimin nr. 511 Prot., datë 13.11.2018.  Edhe pse projekti është miratuar nga KKTKM, përfaqësuesit e institucioni shprehen se nuk është lajmëruar për nisjen e punimeve.

“Pranë institucionit tonë nuk është administruar asnjë njoftim zyrtar lidhur me fillimin e punimeve lidhur me projektin “, konfirmon për Citizens Channel KKTKM.

Lida Miraj

Edhe hartuesja e projektit të restaurimit, arkitektja Lida Miraj pohon gjithashtu se nuk ka marrë asnjë lajmërim për nisjen e zbatimit të projektit të restaurimit.

“Normalisht Ministria e Kulturës duhet të kërkojë prezencën e specialistëve të restaurimit aty, sesi është puna nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk kam asnjë njoftim zyrtar dhe as gojor nga Banka Kombëtare”, shprehet Miraj.

Arkitekti Kreshnik Merxhani shpjegon se ndryshimi i ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” në vitin 2018 i dha të drejtë subjekteve private të kryejnë vetë kolaudimin dhe supervizimin e punimeve në objektet monument kulture.

“Prandaj e kemi ngritur zërin sepse ka qenë detyrim i shtetit, ligji ri e delegon edhe këtë, e tenderon, privati mund të marrë dikë që nuk është projektuesi fare. Por pavarësisht, subjekti privat duhet të bëjë një njoftim në Drejtorinë e Trashëgimisë në Tiranë”, shpjegon Merxhani.

“Restaurim” është vlerësimi i thelbit origjinal të vlerave të pasurive kulturore nëpërmjet ndërhyrjeve për ndalimin e degradimeve të mëtejshme, nxjerrjen në pah të vlerave kulturore dhe transmetimin e tyre. Në rastin e vlerave të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, që gjenden në zona të deklaruara me rrezik sizmik, sipas ligjeve në fuqi, restaurimi përfshin edhe ndërhyrjet për përmirësim strukturor.

Kthimi në identitet i monumentit

“Është banka e parë e ndërtuar në Shqipëri, në vitin 1925, arkitekti është Italian, Morpurgo, nga arkitektët më të mirë në Itali, të periudhës“, thotë Lida Miraj.

Godina e Bankës Tregtare u ndërtua në vitin 1928. Themelet e saj janë mbi kullën juglindore të rrethojës bizantine, e quajtur “Bastioni i Madh”. Ndërtesa është projektuar nga arkitektë italianë dhe realizuar nga mjeshtrat durrsakë. Nga ana kompozicionale hyn në veprat e stilit Barok, që përdoret për herë të parë në vendin tonë.

Një skulpturë gruaje që qëndron mbi fasadë njihet nga qytetarët e Durrësit si mbretëresha Teuta, megjithëse ekspertët dhe historianët provojnë të kundërtën.

Restauratori Genci Hajdari, i cili po punon aktualisht për rikthimin e skulpturës në origjinalitet tregon se ajo është dëmtuar nga ndërhyrjet e mëparshme.

Genci Hajdari

“Kanë përdorur allci dhe allci ose çimento bruto, këto e kanë dëmtuar veprën pa masë. Unë tani jam munduar ti heq të tëra këto, çimenton dhe allçiun dhe po e ribëj, jo për ta rikthyer në fillim të veprës, as nuk kthehen veprat e artit, edhe pse është e re, 100 vjeçe, por të paktën kjo të jetojë 100 vjet të tjera pa probleme”, tregon restauratori ndërsa punon mbi skulpturën.

Hajdari përfundon se restaurimi i figurës së Teutës, pritet të përfundojë përpara nisjes së sezonit të shirave, pasi faktori kohë ndikon përgjatë restaurimit të monumenteve.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu