Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e nisi komunikimin e saj me mediat në datën 7 shtator duke veçuar një akt të miratuar nga Këshilli i Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për interes publik.

Ka një trend në kohët e fundit për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga bashkitë apo nga KKT-ja”, shprehej Balluku në datën 7 shtator.

Vetëm një ditë më pas, qeveria nisi aksionin e konfiskimit, me një vizitë të ministres Balluku, përfaqësuesve të policisë dhe IKMT-së në një pallati 9-katësh në zonën e Farkës.

“Operacioni i Konfiskimit” vijoi të nesërmen me një ndryshim në grupin e zbatimit. Ishte ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili vizitoi një pallat që ka ndërtuar 1200 m2 pa leje në të njëjtën zonë.

Pavarësisht nxitimit të ministrave për të nisur zbatimin e “operacionit të konfiskimit”, VKM-ja mbi të cilën bazohej ky operacioni hyri në fuqi disa ditë më pas, në datën 12 shtator, ditë kur u publikua në fletoren zyrtare.

Këtu kemi dy kate nëntokë dhe shtatë kate mbi tokë. Kemi nëntë kate ndërtim pa asnjë letër. Se si kjo ka ndodhur, ky për të thënë të drejtën është një mister për ne”, deklaronte Balluku nga Farka.

Po sa mister dhe i pa kontrollueshëm mund të jetë nga organet përgjegjëse ndërtimi i një godine 9-katëshe në qytetin e Tiranës?

Sipas arkitektit Arnel Cela, një godinë e kësaj madhësie kërkon mesatarisht 2 deri në 3 vite të ndërtohet, kohë në të cilën me sa duket inspektorët nuk kanë vërejtur asgjë.

Po aq i dukshëm është dhe procesi i ndërtimit, ku qindra betoniere dhe kamionë me hekur e tulla duhet të kalojnë në mënyrë “të mistershme”.

Arnel Çela, arkitekt

“Një ndërtesë 7- 9 kate është mesatarisht 8.000-10.000 m2. Në një sipërfaqe të tillë ndërtimi kemi afërsisht sasi materiale të tilla si :500-ton Hekur (ose 50 kamionë me nga 10 ton); 4500 m3 beton (ose 375 autobetoniere dhe 30- 40 procese betonimi ku përfshihet dhe autopompa e betonit); 800-1000 m3 mure tulle (ose 55 kamionë)”,- analizon Çela

Arkitekti Çela shpjegon se procedurat për marrjen e një leje ndërtimi kalon në një sërë institucionesh që janë njëkohësisht përgjegjëse për mbarëvajtjen.

“I gjithë dokumentacioni i ngarkuar pranë autoritetit përgjegjës qoftë bashkia apo KKT-ja, shkojnë për mendim tek të gjitha institucionet që preken, siç është Agjencia e Kadastrës, Agjencia e Mjedisit, OSHEE, UKT, Zjarrfikësja. Në rastin që dokumentacioni është i plotë dhe merret miratimi i gjithë institucioneve, gjenerohet leja e ndërtimit”.

Përpara marrjes së lejes ndërtuesit janë të detyruar të paguajnë një sërë taksash, nga të cilat ky pallat 9-katësh duket se është përjashtuar.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë që është sa 1% i vlerës preventive, plus edhe taksa 8% mbi çmimin e shitjes, të cilat janë pagesa që kryhen në mënyrë që të miratohet leja e ndërtimit”, përfundon Çela.

A i shërben VKM-ja të pastrehëve?

Në pikën e dytë të saj, VKM-ja përcakton se sipërfaqet e ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit do të përdoren për nevoja për strehim social apo interes publik.

VKM-ja është mekanizmi i radhës që shteti shqiptar po përdor për të shtuar fondin e banesave sociale. Një analizë e kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij tregon se deri më tani qeveria nuk ja ka dalë të përfitojë apartamente për të pastrehët nga privatët.

Ligji “Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Zbatimi i këtij ligji duket se ka rezultuar i pasuksesshëm në Bashkinë e Tiranës, ku po realizohet pjesa dërrmuese e ndërtimeve të reja.

Gjatë periudhës 2020-2021 në Tiranë u shtuan rreth 3.7 milion m2 ndërtime të reja. Megjithatë Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim vetëm dy apartamente në rrugën e Kavajës, me një hapësirë përkatësisht 160 m2 dhe 67.38 m2, të cilat janë ende në proces ndërtimi.

Qendra e Tiranës 2022; Foto nga Andri File

Pavarësisht kundërshtimit nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës vendosi ta modifikojë mënyrën e vjeljes së sipërfaqes me anë të një  Vendimi të Këshillit Bashkiak, që i jep të drejtë ndërtuesve ta konvertojnë sipërfaqen e ndërtimit në vlerë monetare.

Duket se as ky ndryshim nuk ka rezultuar efektiv, pasi në një përgjigje ndaj kërkesës për informacion të Citizens Channel në maj 2022, Bashkia e Tiranës u shpreh se përfitimi i vlerës monetare sipas përcaktimit prej 3% të ligjit të strehimit nuk ka ende realizim.

“Vetë të dhënat statistikore flasin për një llogarimarrrje të administratës publike e cila është e cekët, çdo vit deklaron të pastrehët, por nuk ka një kalendar vjetor apo planifikimin në bazë të këtyre llojeve, problemeve esenciale që këta njerëz kanë dhe për ti dhënë zgjidhje”, analizon urbanisti Artan Kacani.

Pavarësisht se neni 19 i ligjit “Për Strehimin Social” duket të mos ketë gjetur zbatim, qeveria shqiptare ka marrë përsipër ta ndryshojë, pas ankesave nga Shoqata e Ndërtuesve. Në maj të këtij viti, Ministria e Financave çeli për konsultim një sërë ndryshimesh në ligjin e vitit 2018, mes të cilave edhe nenin 19 i cili ndryshon sasinë e metrave që ndërtuesit duhet t’i japin fondit të banesave sociale.

Nëse më parë ndërtuesit ishin të detyruar t’i jepnin fondit të strehimit 3% të sipërfaqes për çdo objekt të ndërtuar mbi 200m2, me ndryshimet e ligjit ata duhet të heqin dorë vetëm nga 3% e sipërfaqes ndërtimore mbi 2000m2.

Shembull: Nëse më parë një objekt prej 2,500 m2 duhet t’i jepte fondit të strehimit 75 m2 ndërtim, ndryshimi i ligjit e detyron të japë sipërfaqe vetëm për 500 metrat mbi 2000m2, që përkthehet në vetëm 15 metra katrorë.  

Sipas urbanistit Artan Kacani këto konfiskimet për qëllime publike nuk i shërbejnë  strehimit social të personave që preken nga projektet publike.

“Kemi të bëjmë me prona tejet të mëdha, prona të cilat konfiskohen nga pronarë unikë, të cilët mund të kenë humbur gjurmët apo për një seri arsyesh të ndryshme rezultojnë me probleme nga ana e shtetit. Nuk po flasim për konfiskime apartamentesh, por po flasim për konfiskime tërësore të pronës”,– argumenton Kacani.

Edhe për juristin Redon Meksi, kjo VKM do të ketë  zero ndikim në rritjen e fondit të banesave sociale.

“Kur nuk ka vlejtur deri tani 3% pse duhet t’iu vlejë kjo VKM nga pas? Me këtë vkm po flasim gjithmonë për ndërtimet e mëdha të biznesit pa leje, jo për ndërtimet e thjeshta. Ndërtimet e thjeshta ne i kemi rregulluar me legalizimet. Pra kemi një ligj që ka një afat të caktuar që ti sot nuk bën dot ndërtime të reja që bën dhe legalizimet”,-shprehet Meksi.

Ekspertët: VKM-ja bën të ligjshme ndërtimet pa leje 

Vendimi i Këshillit të Ministrave sipas juristëve krijon një ndotje ligjore.

“Kemi ligjin për rregullimin dhe planifikimin e territorit, por gjithashtu kemi edhe një ligj për menaxhimin e pronave të sekuestruara ose të konfiskuara nga shteti. Ti bën një ndotje ligjore me atë që bën, pra fut një VKM për diçka që është e rregulluar me ligj”,-argumenton juristi Redon Meksi.

Sipas pikës 4 të VKM-së, ndërtimet e konfiskuara mund të blihen nga ndërtuesi apo kushdo subjekt i autorizuar prej tij. Sipas Meksit, kjo VKM nuk bën gjë tjetër veçse favorizon regjistrimin e ndërtimeve pa leje.

Redon Meksi

“Pra me dy fjalë po rregullon që miqtë e vet ato pallate që i kanë pasur pa leje, ti regjistrojnë siç duhet. Këta nuk do të kishin asnjë mundësi ligjore të regjistronin në hipotekë 6 kate plus, apo 2 kate plus, apo 3 kate plus apo edhe 5 metra plus”,-u shpreh Meksi.

Ndërtimi pa leje, sipas Kodit Penal në Shqipëri konsiderohet krim, dhe në rastet kur është kryer për qëllime fitimi dënohet me burg nga tre deri në tetë vjet.

Meksi shpehet se për ligjshmërinë e VKM-së duhet të vendosë gjykata, mirëpo nga ana tjetër prokuroria duhet të kishte marrë masa ndaj shkelësve të ligjit.

“VKM-ja merret me ndërtimin, jo me individin. Individi ka përgjegjësi penale dhe në çdo rast këta duhet të ishin arrestuar në flagrancë që është 8 vjet masa më e lartë. Sipas kodit të procedurës këtyre duhet t’u bëhej arrestimi në flagrancë pastaj vendos gjykata për masën e sigurisë”.

Urbanisti Artan Kaçani thekson se nuk mund të ndodhë konfiskimi i ndërtimeve pa leje pa u kryer fillimisht shpronësimi.

Artan Kacani, urbanist

“Nuk është një vendim i cili njeh hallkat e procedurave të planifikimit urban apo të pushtetit vendor i cili në fillim duhet të ndodhë shpronësimi, pastaj duhet të ndodhë vlerësimi i projekteve e një seri çështjesh të tjera. Është një vendim komplet politik, pra aspekt i instrumenteve të planifikimit urban”,-u shpreh urbanisti Kacani.

Sipas tij, procesi i konfiskimit është i centralizuar, duke anashkaluar pushtetin vendor.

“Duket sikur i gjithë procesi i vlerësimit dhe i gjithë kompleksi i konfiskimit në vetvete është i centralizuar nëpërmjet disa hallkave të mirë përcaktuara në VKM e cila në një mënyrë apo në një tjetër bie ndesh me kartën e pushtetit vendor dhe njëkohësisht me instrumentet e planifikimit urban”,-përfundon urbanisti Kaçani.

Instrumentat e lejeve të ndërtimit favorizojnë kullat shumëkatëshe  

Tirana, si qyteti me sipërfaqen më të madhe në Shqipëri në 6 muajt e fundit ka dhënë 259.385 metra katrorë sipërfaqe për leje ndërtimit. Duke e çuar kësisoj vlerën e ndërtimeve në rreth 42 miliardë lekë për 6 muaj.

Trendi i rritjes së numrit të lejeve të ndërtimit ka nisur që në vitin 2018, i vijuar edhe në vitet në vijim.

Në një analizë të Citizens Channel rritja e numrit të lejeve të ndërtimit nuk korrespondon me numrin e popullsisë, pasi që edhe pse ndër vite popullsia e Tiranës është rritur, rritja vjetore e numrit të popullsisë ka qenë në ulje. Gjë e cila nuk ka ndodhur me sipërfaqet e lejeve të ndërtimit.

Procesi i ndërtimit në kryeqytet është parë nga ekspertët si një formë e pastrimit të parave. E gjitha kjo në kurriz të trashëgimisë së Tiranës dhe hapësirave të gjelbra.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri në tremujorin e dytë të 2022 janë miratuar gjithsej 339 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, ndërsa sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka pësuar rritje në tremujorin e dytë të 2022, duke shkuar në 544.127 m2.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu