Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: Familjet shqiptare rritën me 28% shpenzimet për shëndetin gjatë vitit 2021

Gjatë vitit 2021 familjet shqiptare i rritën më 28% shpenzimet për shëndetësinë, ndërsa qytetarët evropianë shpenzuan 4% më pak.

Një raport i shoqatës “Together for Life” mbi Monitorimin e Buxhetit të Shtetit për Shëndetësinë, tregojnë se shpenzimet janë rritur të detyruara nga situata e pandemisë, vaksinimit dhe trajtimit të të shtruarve, nga ana tjetër thuhet se vëmendja ndaj shëndetit ka rënë në muajt e parë të 2022.

Të dhënat e mbledhura nga farmacitë tregojnë se trajtimet në shtëpi për pacientët me simptoma mesatare kanë shkuar në 2 deri në 6000 euro.

Shqipëria regjistroi shpenzimet më të larta për shëndetin e familjeve në Evropë, sipas raportit.

“Shepnzimet e buxhetit të shtetit”

Në vitin 2021, shpenzimet për sektorin e shëndetësisë arritën në nivel rekord me një rritje prej 16% krahasuar me 2020. Për të gjithë vitin 2021, shpenzimet totale faktike për shëndetësinë ishin 78 miliardë lekë (642 milionë euro).

“Krahasuar me vitin 2019, kur vendi ishte në një periudhë normale shëndetësore, shpenzimet për shëndetësi janë rritur ndjeshëm me 28%”, thuhet në raport.

Si pasojë e ngarkesës në spitale, në gjashtëmujorin e parë të 2021, fondi për “Trajtimin e pacientëve të shtruar në spital” është rritur ndjeshëm, duke u zgjeruar me 19%, ose 3.7 miliardë lekë më shumë.

Një pjesë e madhe e buxhetit ka shkuar për vaksinimi kundër Covid-19. Një fond total prej 3.5 miliardë lekë u përdor për vaksinimin.

Nga nëntori 2020 deri në prill 2022, nga fondi total prej 1.2 miliardë lekësh për rimburism, pacientët përfituan vetëm rreth 37.8 milionë lekë ose 3% e fondeve të disponueshme.

Studimi tregon se në total, nga fondi deri më 30 prill 2022 kishin përfituar rreth 9 mijë persona ose 3.2% e infeksioneve të deklaruara zyrtarisht.

Burimi: Raporti Together for Life

Për 4 muajt e parë të vitit 2022, numri i pacientëve që kanë përfituar nga lista e ilaceve të rimbursuara është 341.347 persona, ndërsa personat që kanë përfituar nga paketa anti COVID-19 janë 678 ose 4.797 pacientë më pak.

Rreth 3 milionë lekë  u shpërndanë për 678 persona që përfituan nga paketa anti-COVID-19.

Në total, nga nëntori 2020 deri në prill 2022, nga paketa anti-COVID kanë përfituar 8920 persona për një shumë totale prej 37.6 milionë lekë, që është vetëm 3.1% e shumës së vënë në dispozicion për rimbursimin anti Covid-19.

Denisa Canameti, përfaqësuese e Together for Life tha për Citizens Channel se Shqipëria mbetet ndër të fundit në Europë për sa i përket vaksinimi përgjatë vitit 2021 dhe progresi në vitin 2022, në raport me popullsinë. 

“Më 10 korrik, vetëm 45% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, krahasuar me atë globale mesatarisht 61%”, tha Canameti.

Denisa Canameti, përfaqësuese e Together for Life

Ajo vendos theksin tek pasojat direkte të pandemisë në shëndetin e personave që e kanë kaluar atë.

 “Vonesat në trajtimin e diagnostikimin e sëmundjeve të tjera për shkak të karantinës, kanë ndikuar në rritjen e barrës së sëmundshmërisë në vend për vitin 2021”, shprehet ajo.

Sipas Canametit, sistemi shëndetësor do të vuajë pasojat e “COVID-it të zgjatur”, çka do të ndikojë në rritjen e barrës së të sëmurëve kronikë në vijim. 

“Vëmendja për shëndetësinë rezulton të ketë rënë në muajt e parë të këtij viti, pasi shpenzimet për këtë sektor erdhën në rënie, ndonëse buxheti arkëtoi të ardhura rekord për shkak të efektit të shtrenjtimit të çmimeve”, thotë Canameti.

Sipas saj sistemi shëndetësor ka nevojë emergjente për rritje të fondeve, me qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor në të gjitha nivelet. 

“Problematikën e shoh në rritjen e qëndrueshme të fondeve për shëndetësinë. Rritjen e investimeve bazuar në një plan konkret, duke u bazuar edhe në problemet që hasi sistemi shëndetësor në periudhën e emergjencës”, shton Canameti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *