Nxënëset duke protestuar para Kryeministrisë Foto: Erisa Kryeziu

Vendimi për mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif Vajza” në Tiranë ka nxitur kundërshtim edhe te nxënëset e kësaj shkolle, të cilat kanë protestuar sot para institucioneve.

Të rejat, të veshura me uniformat përkatëse të shkollës u mblodhën para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku mes shumë mesazhesh kërkuan anulimin e vendimit të qeverisë shqiptare dhe rikthimin në shkollë.

“Sot unë jam një maturante dhe duhet të mendoj për universitetin tim, por ju cfarë bëni? Të linin në mes të rrugëve dhe s’dimë se ku të shkojmë. Turp Turp Turp!”-tha para megafonit një prej maturanteve të kolegjit.

Nxënëse e kolegjit “Mehmet Akif”

Shumë prej vajzave kolegjiste thanë për Citizens Channel se të qenit në këtë kolegj ka qenë një ëndërr, e ndërprerë tanimë pa vullnetin e tyre.

“Jam këtu për të protestuar për të drejtat jo vetëm të miat por edhe të gjithë nxënësve të cilat jemi pjesëmarrëse në këtë protestë për mbylljen e kësaj shkolle e cila na ka hapur dyert jo vetëm në konkurse kombëtare por edhe ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë në më shumë konkurse se sa kanë mundur të marrin pjesë nxënësit e shtetit dhe na është ofruar një mësimdhënie e shkëlqyer”,-u shpreh Fjona Duka, nxënëse e vitit të dytë.

Fjona Duka, nxënëse e vitit të dytë.

Me një vendim të datës 22 shtator, Këshill i Ministrave vendosi mbylljen e institucionit dhe kthimin e pagesave të kryera nga prindërit e nxënësve.

Nxënëset shprehen se dëshirojnë kthimin në shkollë dhe jo kthimin e pagesave.

“Ëndrra ime nuk mund të përfundojë kështu. Unë kam punuar gjithë fëmijërinë time për të arritur në kolegj dhe sot dhe deri në fund do të protestojmë deri sa të rimarrim shkollën. Nuk duam para të kthyera nga ministria, duam vetëm shkollën”,– u shpreh Mesede Mirxhiu, maturante.

Mesede Mirxhiu, maturante

Ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit u shpreh se ky vendim erdhi si pasojë e një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë. Kësisoj, sipas ministrisë kalimi në një godinë tjetër për të zhvilluar mësim pa certifikimin ligjor të standardeve të godinës nga MAS ishte një ndër shkeljet kryesore të kolegjit.

Të pranishëm në protestë ishin edhe prindër, për të cilët vendimi ishte i papritur.

“Kam vajzën në klasën e 11-të. Vajza ime në këtë shkollë ka gjetur veten dhe ne si prindër jemi shumë të kënaqur nga disiplina, nga rregulli dhe nga çdo gjë. Duhet të na kishin lajmëruar para vitit shkollor që ne të kishim marrë masat. Tani që ka 15 ditë që ka filluar shkolla marrin këtë masë, nuk e di për çfarë arsye, kur kushtet janë 3 herë më të mira se vitin e kaluar që  kemi pasur në godinën e 21 dhjetorit”,-shprehet një nga prindërit e pranishëm.

Etnor Krakulli, prind

Prej Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, nxënëset marshuan drejt Kryeministrisë. Ato vendosën para Kryeministrisë medaljet dhe kupat e fituara në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërsa kënduan himnin kombëtar dhe ligjëruan fjalime.

Në mbështetje të tyre kishin ardhur edhe ish nxënëse të shkollës.

“Unë jam një nga ato që kanë përfituar shumë nga studimi në kolegj, jam një vajzë matjane, pra për qytetet dhe rrethet e tjera kolegji është mundësia më e mirë e edukimit. Dhe nuk mundesh me ja marrë kështu vetëm se do ti. Kështu që ne kërkojmë përgjigje, kërkojmë argumente, jo propagandë sepse meritojmë të dimë pse na e mbyll shtëpinë”- tha Ilda Canameti, ish-kolegjiste.

Ilda Canameti, ish-kolegjiste

Ajo, bashkë me dy motrat dhe vëllain ia dedikojnë arritjet profesionale të tanishme, arsimimit në këtë kolegj.

Kryeministri Rama përmes një reagimi në Twitter u kërkoi nxënëseve të protestojnë kundër pronarëve dhe jo institucioneve shtetërore.

“Nxënëset e shkollës së mbyllur të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”,-u shpreh Kryeministri Rama.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu