Gjatë protestës së nxënëseve të kolegjit para Kryeministrisë Foto: Erisa Kryeziu

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e konsideroi të nxituar dhe me pasoja të dëmshme mbylljen e kolegji turk “Mehmet Akif Vajza” nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Përmes një deklarate për shtyp Komiteti u shpreh se procedurat e autoriteteve shtetërore nuk përmbushin standardet e një procesi të rregullt, ndërsa vetë vendimi ka probleme në hartim.

“Në të përmenden vetëm detyrimet e institucionit arsimor parauniversitar privat dhe jo arsyet apo motivet konkrete si dhe shkeljet e ligjit që kushtëzuan miratimin për mbylljen e kësaj shkolle. Ky vendim nuk përmbush standartet thelbësore të arsyetimit, si një akt administrativ me pasoja për palët, por edhe për nxënësit dhe prindërit e tyre që i kanë besuar Fondacionit edukimin dhe arsimimin e tyre”,-thuhet në njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Sipas deklaratës, drejtuesit e fondacionit Gulistan kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit miratimin e transferimit të shkollës nga godina ekzistente në një tjetër godinë në Kashar. Në përgjigjen e saj Ministria është shprehur se godina në Kashar nuk plotësonte standardet.

“Kjo përgjigje e parakohshme ka ardhur në një kohë kur përfaqësuesit e Fondacionit i kanë komunikuar në rrugë elektronike Ministrisë se gjatë muajit korrik do të zhvilloheshin punimet për të përmirësuar aspektet e rekomanduara më herët nga inxhinierja e ZVA që ka inspektuar godinën e re në dt.28 Qershor”,-shpjegohet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit.

Pas kalimit nga Bashkia Tiranë e së drejtës së përdorimit të godinës nga shkolla Mehmet Akif te të tretët e përzgjedhur prej tyre, shkolla u transferua në Kashar.

“Më 27.07.2022 shkolla i drejtohet edhe njëherë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e më specifikisht Drejtorisë së Derregullimit, Lejeve dhe Licencave duke e njoftuar se kanë përfunduar punimet për përgatitjen e godinës dhe kanë kërkuar kryerjen e një inspektimi për të kontrolluar në vend kushtet e godinës”.

Pas kësaj është bërë i mundur inspektimi dhe janë përcaktuar kriteret që ishin të pa përmbushura, por pa një afat për plotësimin e tyre, duke mbyllur kësisoj korrespondencën me shkollën dhe ministrinë.

“Nga përmbajtja e dispozitës që përmendëm më lart dhe korrespondenca midis shkollës dhe Drejtorisë së Derregullimit, Lejeve dhe Licencave, nuk rezulton të jetë caktuar ndonjë afat për kushtet që duheshin plotësuar dhe as është marrë ndonjë vendim për pezullimin e licencës deri në plotësimin e tyre”.

Sipas KSHH-së në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut arsimit i është kushtuar një vëmendje e veçantë.

“P.sh. në një nga rastet e saj (Timishev kundër Rusisë) thuhet se në një shoqëri demokratike e drejta për arsim luan një rol themelor saqë një interpretim kufizues nuk do të ishte në përputhje me qëllimin e fjalisë së parë të nenit 2 të Protokollit Nr. 1 të Konventës”.

Ndaj KSHH kërkon rishikim të Vendimit të Këshillit të Ministrave sipas kërkesave ligjore.

Nxënësit dhe prindërit janë organizuar në protesta para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Kryeministrisë, ku kanë kërkuar anulimin e vendimit dhe kthimin e tyre në shkollën që kanë zgjedhur.

Prindërit e kopshtit “Zubeyve Hanim” protestuan para Kryeministrisë

Njëjtë si shkolla “Mehmet Akif” me një vendim qeverie u mbyll edhe kopshti privat “Zubeyve Hanim”, pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal”.

Shkaku për mbylljen e këtij kopshti është i njëjtë me atë të shkollës “Mehmet Akif”: për shkelje të legjislacionit dhe mosplotësim të kushteve të licencimit.


Paraditen e së mërkurës, prindërit kishin marrë fëmijët e tyre dhe protestuan para Kryeministrisë duke kërkuar anulim të vendimit dhe kthim të fëmijëve në kopsht.

“Na kanë dhënë një listë me kopshte publike ku mund ti rregullojmë fëmijët tanë. Një pjesë e prindërve kanë shkuar i kanë parë këto kopshte. Ato kopshte nuk i plotësojnë standardet minimale. Ne nuk duam ti çojmë fëmijët tanë në ato kopshte, ne duam kopshtin që kemi preferuar”, – u shpreh Nadir Hoti, një prej prindërve pjesëmarrës në protestë.

Përmes megafonit, gjyshër dhe prindër shprehën shqetësimet  tyre, duke e konsideruar arsyetimin e qeverisë se godina ku ndodhet ky kopsht nuk përmbush kushtet të pabazë.

“Te katet e palllateve te Astiri ku banoj, në çdo pallat në kat të dytë ka kopshte. Të dalin ti shikojnë, ti inspektojnë. Ato janë për tu mbyllur zotëri dhe zonja e nderuar, jo këta filizat që po jua vidhni buzëqeshjen”,-tha përmes megafonit nga gjyshet e pranishëm në protestë.

Prindërit u shprehën se do ta çojnë çështjen edhe në Gjykatën e Strasburgut, nëse drejtësia shqiptare nuk vepron.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu