Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Bashkë me ujin, shterojnë shpresat për ekonomi lokale”, banorët e Madheshit kundër hidrocentralit

Ndue Gjegji jeton së bashku me pesë vëllezërit e tij në kullën 100-vjeçare në fshatin Madhesh të Matit. Ata e kanë ngritur ekonominë e tyre familjare përmes bujqësisë dhe blegtorisë, të zhvilluara falë burimeve ujore afër shtëpive të tyre.

Ata tregojnë se burimet ujore ishin një nga arsyet që ata nuk e lanë fshatin, që sot është thuajse i braktisur, pa infrastrukturë rrugore e pa asnjë shërbim që e bën një zonë të banueshme. Ndue, së bashku me vëllezërit dhe bashkëshortet e tyre kujdesen për 150 gjedhë lopë, derra, kuaj e bletë.

Së fundmi, jetesa e tyre kërcënohet nga planet për ndërtimin e “Hidrocentralit Madhesh” nga firma “A.R.M Sh.p.k” me dy vepra marrjeje që prekin burimet ujore të përroit të Jermit dhe të Lunresë, të cilat bashkohen bashkë dhe derdhen në liqenin e Shkopetit.

Në qoftë se do të merret ky ujë, aktiviteti jonë si familje, të cilin e kemi të bazuar kryesisht te blegtoria dhe te bletaria, do të shuhet”, – thotë për Citizens Channel Ndueja.

Ndue Gjegji, banor i Madheshit

Sipas llogarive që ai bën, vetëm kafshët shtëpiake konsumojnë mijëra litra ujë në ditë. “Një lopë në ditë do rreth 50 litra ujë. Imagjino familja ime që ka mbi 150 gjedhe lopë. Ku do ta marrin këtë ujë?”, – ngre pyetjen ai.

Uji përdoret edhe për vaditje, pohon Gjovalini, vëllai i Ndues. “Këtu kemi nja 10 dynym tokë dhe kemi mbjellë, kështu siç e sheh vetë frutikulturë, mbjellim misër. Ushqehemi këtu”.

Marrja e ujit do ua pamundësonte përfundimisht jetesën familjes Gjegji, të cilët jo vetëm kanë rezistuar ndaj vështirësive në fshat, por edhe kanë investuar me shpenzimet e veta për hapjen e rrugës.

Rruga e hapur nga familja Gjegji

Me marrjen e ujit, asgjë nuk mund t’i mbajë më në vendlindje. “Ne detyrohemi që nga ky vend të largohemi”, – vijon Gjovalini.

Banorët e tjerë që janë zhvendosur thonë se kujdesen për tokat e tyre dhe vazhdojnë të investojnë në bujqësi. I moshuari Frrok Leshi tregon se futja e ujit në tuba nënkupton shkretimin e fshatit të tij të lindjes.

Frrok Leshi, lindur dhe rritur në Madhesh, Mat

Do me na qit krejt në të thatë, që edhe zogjtë e malit të kenë mall me pi një pikë ujë”, – thotë ai. “Unë jam i pakënaq me punën e ujit që do e marrë ai. Shumë i pakënaq”, – shfryn Frroku.

Madheshi, një tjetër rezistencë në mbrojtje të lumenjve

Vëllezërit Gjegji nuk janë të vetmit që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit. Prej më shumë se dy vitesh, komuniteti nga fshati Madhesh dhe Lunre janë organizuar dhe çështjen po e ndjekin në rrugë ligjore.

Aktualisht, përfaqësues të firmës “ARM Shpk” kanë rinisur procesin për marrjen e lejes në mënyrë që të nisin punimet në terren, pasi prej vitit 2020, leja për përdorim të burimeve ujore ka mbaruar.

Në muajin gusht të këtij viti, firma “ARM Shpk” ka zhvilluar një dëgjese me publikun, ku janë mbledhur 13 firma pro ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Sipas avokates së banorëve, Dorina Asllanaj, dëgjesa publike është zhvilluar në mungesë transparence, përkundrejt kërkesave të vazhdueshme për të përfshirë komunitetin.

Në datë 30 korrik unë kam dërguar një email duke i kërkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit se çfarë po bëhet me dëgjesën me publikun, kur është caktuar data. Pavarësisht se dëgjesa u zhvillua në datë dy gusht, unë nuk marrë një përgjigje për këtë gjë”, – është shprehur me herët për Citizens Channel Asllanaj nga Klinika e Ligjit.

Në proces-verbalin “Për konsultimin me publikun” e datës dy gusht, thuhet se banorët nuk e kundërshtuan këtë projekt, madje, shkruhet më tej duke perifrazuar pjesëmarrësit, se “banorët do të ishin më të shumtë në numër në atë dëgjesë, nëse do të ishin njoftuar në kohë”.

Screenshot nga proces-verbali

Kjo është dëgjesa e dytë që kryhet nga “ARM sh.p.k” në harkun kohor prej dy vitesh. Konsultimi i pare me publikun rezulton të jetë kryer me datë tetë prill të vitit 2020, kur Shqipëria ndodhej në karantinë si pasojë e pandemisë së Covid-19.

Në atë periudhë, lëvizja qytetare ishte kufizuar, ndërsa grumbullimet politike ndaloheshin me aktin normativ të datës 15 mars.

Banorët shprehen se në “HEC-in Madhesh” ka konflikte interesi në dëm të komunitetit pasi administrator i firmës “ARM Shpk” është Fatos Malaj, vëllai i Kryetarit të Bashkisë Mat. Ishte Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, që në vitin 2020 shprehu dakordësinë në emër të institucionit për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Citizens Channel i është drejtuar disa herë për koment administratorit të “ARM Shpk” por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *