Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

870 ditë pas shembjes, çelet tenderi për Teatrin e ri Kombëtar

Bashkia Tiranë ka shpallur sot tenderin për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar. 

Kjo është faza e parë e cila ka një vlerë të fondit limit prej 1 miliardë e 854 milionë lekë pa TVSH.

Data e fundit për dorëzimin e dokumentave është më 3 nëntor 2022, ku kompania fituese do të ketë një kontratë për 27 muaj. 

Projekti për ndërtimin e Godinës së Teatrit Kombëtar, sipas të dhënave të analizuara nga Open Data Albania është investimi i dytë publik me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022.

Tenderi i shpallur nga Bashkia Tirane

Ky projekt do të realizohet nga Bashkia e Tiranës për periudhën 2022-2024, dhe ka vlerë totale prej 4.8 miliardë Lekë.

Viti 2023 do të ketë edhe peshën më të lartë buxhetore për këtë investim, prej 1.5 miliardë Lekësh.

Salla kryesore e Teatrit Kombetar sipas projektit

Ndryshe nga tenderat e tjerë të kësaj vlere ky tender nuk është ndarë në lote. Sipas arsyetimit në procesverbal, thuhet se procedura nuk është bërë me lote pasi është “e pamundur teknikisht ta ndajë këtë kontratë në lote të veçantë pasi e ka të vështirë ose të pamundur për të përcaktuar paraprakisht volumet që duhet të ndahen”.

Studimin dhe projektimin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar e kanë bërë dy studio, A&E Engineering dhe Studio Konsulente F&M Ingineria.

Tenderi i shpallur ne 2020 nga Bashkia Tirane/Burimi: Open Procurement

Në 2020 bashkia Tiranë hapi një tender me vlerë 60 million lekë, i cili në databazën Open Procurement rezulton me parregullsi, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesve. Ndër të tjera fituesi ka dhënë një vlerë shumë afër fondit limit të ofruar, teksa bashkimi i dy kompanive të skualifikuara ka dhënë një ofertë më të ulët. Procesi është shoqëruar po ashtu me ankesa. 

“Si ndryshuan deklaratat për ndërtimin e Teatrit Kombëtar”

Më shumë se dy vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, hapësira mbetet e rrethuar, me mbetje nga godina e dikurshme e teatrit dhe pa një mundësi shfrytëzimi për qytetarët. 

Pasditen e 17 majit të 2020, pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.

Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe projektin e miratuar për tu zbatuar, i studios Bjarke Ingels Group.

Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.

Më 5 korrik 2021 u shpreh se viti i ri do të na gjente me një kantier ndërtimi për teatrin e ri.

Por një vit pas kësaj deklarate qeverisë “i dolën pengesa rrugës”  dhe në shesh nuk ka asnjë lëvizje për ndërtimin e teatrit të ri.

“Më shumë para për ndërtimin e Teatrit Kombëtar”

Pas deklaratave të shumta për nisje punimesh, për ndryshim strategjie të ndërtimit të teatrit, në 2022 qeveria gjendet jo e gatshme për të nisur punimet. 

25 prill 2022, në konferencën e javëve ndërkombëtare të Kulturës, Kryeministri Rama u shpreh se tërmeti, pandemia dhe tanimë edhe situata në Ukrainë kanë ngadalësuar zbatimin e një sërë projektesh.

Po ashtu, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se lufta në Ukrainë ka ndikuar edhe në buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e teatrit.

Asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në datën 24 shkurt lufta ose agresioni i Rusisë mbi Ukrainën do të sillte një trazim total të tregjeve sidomos të çmimeve të hekurit dhe celikut”, deklaroi Veliaj.

Fillimisht ishte kompania Fusha.shpk që do të ndërtonte teatrin, për të cilin qeveria kaloi dhe një ligj special i cili më pas dështoi.

Në maj të vitit 2020, Veliaj deklaronte se “vlera e Teatrit të ri Kombëtar do të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi”. Kredi e cila do të merrej nga bankat tregtare.

Disa muaj më vonë, në nëntor Veliaj u zotua se teatri do ndërtohej me buxhetin e shtetit dhe do kushtonte 36 milionë euro.

Një vit më vonë, në maj 2021 u shfaqën sërish paqartësi. Veliaj deklaroi për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, se puna për ndërtimin e Teatrit Kombëtar do të niste atë verë, financuar nga një hua e marrë nga Fondi i Abu Dhabit.

Që nga 2018 bashkia Tiranë arriti të shpallte sot tenderin për fazën e parë të ndërtimit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *