Foto - ilustrim nga Pleurad Xhafa

“Që nga 20 Korriku, shteti u detyrohet punonjësve të policisë një vakt ushqimi në ditë që e konvertuar në para është 80 mijë lekë të vjetra në muaj”, thotë Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta.

Ai shpjegon për Citizens Channel se kjo pagesë nuk u është kaluar punonjësve të strukturave të ndryshme të policisë për shkak të mungesës së fondit nga Ministria e Brendshme.

Ky detyrim i shtetit ndaj punonjësve të policisë pasqyrohet edhe në pikën nr. 68, të kontratës kolektive të firmosur midis Sindikatës së Policisë edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

“Është e punë e kryer fundja dhe polici/policja është i/e detyruar të shpenzojë nga xhepi me shku me shërbim”, thekson Fishta.

Me 28 Shtator qeveria mori vendimin që të rrisë pagat e punonjësve të policisë, policëve të burgjeve, zjarrfikësve, Gardës së Republikës dhe punonjësve të administratës publike

“Policia e Shtetit, nivelet bazë, pra gjithë punonjësit e Policisë në nivel inspektorësh si dhe niveli i mesëm të kenë një shtesë page. Shtesa më e lartë është për nivelin bazë, shtesa në vijim është për nivelin e mesëm, respektivisht 15% dhe 7%. Po ashtu, e njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Burgjeve, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për zjarrfikësit, kemi një shtesë page. E njëjta gjë vlen për administratën publike dhe jo vetëm për nëpunësit në shërbimin civil, por edhe për gjithë punonjësit mbështetës dhe të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, tha Rama.

Citizens Channel kontaktoi me një përfaqësues të policisë rrugore të Tiranës, i cili nuk ishte në dijeni të përfitimit të dietës ushqimore.

“ Në fakt edhe policia e Tiranës e ka një vakt të siguruar por nuk e di a është në fuqi apo jo ky nen”, pohon ai.

Polici konfirmoi se është në nevojë të kësaj diete në këtë krizë çmimesh që po kalojmë.

“Këdo polic të pyesësh do të thotë që po kemi nevojë. S’besoj se do thotë ndonjë s’kemi nevojë”, përfundon ai.

Sadedin Fishta tregon se kjo mungesë informacioni vjen pasi shumë punonjës akoma nuk janë njohur me kontratën. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë duhet ta bëj me shkresë, tja çojë gjithë strukturave dhe të marrë firmën që çdo punonjës është njohur me të, është detyrim ligjor, shton ai.

“Kemi shtypur një mijë kopje të kontratës edhe po e shpërndajmë, sa herë shkojmë nëpër qarqe bëjmë shpërndarjen”, vijon Fishta.

Një problematikë tjetër e konstatuar nga kreu i sindikatës janë largimet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Sipas tij nga tre FNTSH – të kryesore në vend rezultojnë 100 efektivë mangut.

“Zakonisht motivet i lidhin me arsye familjare sepse vetëm në këtë rast e kanë më të lehtë rikthimin duke mos deklaruar një nga arsyet e vërteta që është pagesa e pakënaqshme”, përfundon Fishta.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu