Pedagogë dhe punonjës të universiteteve protestuan sot përballë Universitetit Politeknik të Tiranës. Ata kërkuan nga qeveria rritje të pagës me 50% për dy vite. 

Më herët pedagogët dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë mbajtën një protestë paralajmëruese tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës, duke i drejtuar qeverisë një peticion për të cilin nuk morën përgjigje.

Në 15 shtator ata lajmëruan se nëse kërkesat e tyre nuk do merrnin përgjigje do të mblidheshin më shumë përballë UPT-së.

“Kërkesat e pedagogëve dhe përgjigja e qeverisë”

Përpos rritjes së pagave, sindikata dhe pedagogët kërkojnë:

  • Rritjen e financimit për kërkimin shkencor;
  • Rivendosjen e shtesave mbi pagë për ‘Dëmshmëri shëndeti në punë’; 
  • Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë ;
  • Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare; 
  • Rivlerësimin e orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
  • Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  • Pezullimin deri më 2026 të pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  • Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Gjatë kohës që po zhvillohej protesta e pedagogëve, kryeministri Edi Rama mbajti një takim tek Universiteti Bujqësor i Tiranës. 

Nga aty Rama ktheu një përgjigje për protestën e pedagogëve duke thënë se qeveria mund të bëjë vetëm rritje me 7%. 

Të njejtin qendrim mbajti edhe ministrja e arsimit Evis Kushi.

“Kufiri minimal i rritjes është 7 për qind dhe maksimal 15 për qind. Universitet me autonominë mund të propozojnë rritje mbi kufirin minimal që mund ta mbulojnë me të ardhurat e tyre”, tha Kushi.

Por gjatë deklaratave të tyre, pedagogët u shprehën se kërkesa e tyre është e panegociueshme. 

Kryetari i Sindikatës së punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Aleksandër Kovaçi

“Ne qëndrojmë në shifrën 50% për dy vite. Kjo është e panegociueshme se është minimale. Ju kemi dërguar dhe tabelën e pagave”, tha kryetari i sindikatës Aleksandër Kovaçi.

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu