Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të shkuarit lart”, ekspertët analizojnë fenomenin e kullave në qendrën e Tiranës

Dje, në kuadër të përmbylljes së Tirana Architecture Week “, u mbajt një tryezë diskutimi mbi  argumentet pro dhe kundër të “Të Shkuarit Lart”, në sensin e vertikalitetit të urbanizimit të Tiranës.

Diskutimi mblodhi në ambientete e Universitetit Polis, arkitektë, inxhinierë, urbanistë, ekspertë të medias dhe planifikues urban nga Shqipëria dhe Kosova.

Rizhvillimi i strukturës urbane, nëpërmjet modelit të kullave vetikale dhe pasojat e tij në hapësirën e përbashkët ishin tema kryesore e diskutimit.

“Kemi dështuar jo vetëm në objekte por edhe me idenë tonë për qytetin dhe do doja ta nisja pikërisht nga këtu: Përse Tirana ka nevojë për ndërtimin në lartësi“?, ishte pyetja e gazetares Elsa Demo në diskutimin e mbajtur.

Vetëm para katër ditësh  u miratua projekti “Tirana Multifuncional Center” një tjetër kullë që do të ngrihet mbi lulishten pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të kryeqytetit.

Tendenca për tu zhvilluar vertikalisht daton që me të ashtuquajturin “Planin Francez”, i prezantuar në vitin 2010, ku parashikoheshin 11 kulla të larta, mbi 81 metra me 20 – 25 kate. Aktualisht 17 kulla janë planifikuar t’i shtohen Tiranës, në zonat me densitet të lartë ndërtimi.

“Ndërtimi në Shqipëri është i gjithi një mbivendosje e dhunshme e kateve dhe sa më shumë shtohen katet, aq më shumë shtohet dhuna. Unë vetëm shoh çdo kat që lëviz, shoh korrupsion që shtohet, shoh pastrimin e parave, shoh mafian që zhvillohet“, analizon pedagogu Ervin Goci.

Tirana shënoi vetëm në 6 mujorin e fundit një rekord në dhënien e lejeve të ndërtimit, mbi 1.2 milionë metra katrorë sipërfaqe u dhanë për ndërtim.

“Ndërtimi ka një gjë që nuk është si një libër që e lexon, i mirë i keq, e vë mënjanë, ndërtimi ngulet aty dhe nuk prishte dot më“, u shpreh inxhinieri Orhan Sakiqi.

Pasojat ekologjike – sociale

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit “Co-Plan“ niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë është mbi normën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne duhet ta mbajmë qytetin në nivel të mirë dhe të jetueshëm, përndryshe brezat nuk do na e falin, kur të kemi probleme frymëmarrje, kur të kemi probleme spitalore, me shifra të mëdha që janë te dera praktikisht, bomba“, shpjegon arkitekti Andi Papastefani.

Shqipëria është shteti i gjashtë në Europë për numrin e vdekjeve si pasojë e ndotjes, me 140 vdekje për 100.000 banorë, dyfish më shumë se shtetet e Bashkimit Evropian.

Jo vetëm pasojat ekologjike por edhe pasoja antropologjike duket se kanë shqetësuar ekspertët. Pedagogia Gelanda Shkurtaj tregon se asaj i është mohuar memoria sociale dhe e shpjegon këtë me një shembull nga eksperienca jetësore me qytetin.

“Kam lindur në rrugën Dora Distrja, më mbrapa kjo rrugë mori emrin Adem Jashari dhe pastaj mori një emër tjetër të dikujt që unë nuk e njoh, të më ndjeni për injorancën, ndoshta një person shumë i rëndësishëm, por jo I pranishëm në historinë tonë“, kujton ajo.

Zgjidhje alternative

Ekspertët kanë ngritur alarmin për të shpëtuar atë çfarë ka mbetur. Arkitektja Doriana Musai analizon se urbania përbëhet nga njerëzit dhe godinat, godinat i kemi humbur, por mund të shpëtojmë njerëzit.

“Të shpëtojmë shoqërinë, atë që ka ngelur, për të jetuar në një qytet jo të dhunshëm dhe sidomos të pastër, të shëndetshëm“, citon ajo.

Ndërkohë specialistë shohin zona të tjera alternative që mund të ishin mbushur me kulla dhe jo pikërisht qendrën.

“Shkollat e reja, kinematë e reja, le të ndërtoheshin teatrot e rinj te pjesa e re zgjatimit të Bulevardit të Ri, siç janë ndërtuar faktikisht edhe qytetet e tjera në nivel evropian, kanë ruajtur qendrën e tyre historike, kanë pasur boshtet dhe shtesat e tjera dhe tek këto shtesat e tjera janë ndërtuar ndërtimet e reja“, sugjeron arkitekti Llazar Kumaraku.

Planifikuesja Urbane Elvida Pallaska nga Kosova tregon sesi mundohet ti paralelizoj ngjarjet urbane me studentët e saj në auditorë.

“Paramendoni që me na rrëzu teatrin, që këtë që kemi në Prishtinë, e cila në fakt është ikonë e Prishtinës, është karshi Kuvendit, karshi qeverisë, edhe është në sheshin Nënë Terezë, edhe në fakt krejt, çdo ngjarje që ndodh aty në Prishtinë është para teatrit. E tash paramendoni, e tek atëherë e kuptojnë rëndësinë e asaj që ka ndodh në Tiranë, kur i bëj një paralele se çfarë kishe ndodh me i ndodh teatrit tonë kombëtar, atje në Prishtinë. Tek atëherë jooo, është e keqe, është e tmerrshme, natyrisht që është e tmerrshme“, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *