Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët dhe banorët e Dibrës kërkojnë transparencë mbi hidrocentralin Skavica

Grupi “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” i është drejtuar me një kërkesë për informacion dhe prononcim Ministrisë së Energjisë Belinda Ballukut, Kryeministrit Edi Rama si dhe Bashkisë Dibër lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Skavica në këtë zonë.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DSHPL) ka marrë një numër të madh shqetësimesh nga banorët e qarkut të Dibrës”, – shkruhet në letrën e dërguar, shqetësime që sipas tyre lidhen me mungesën e informacionit dhe të konsultimit me publikun.

Ata kërkojnë që qeveria shqiptare të bëjë transparente planin e projektit duke përfshirë gjurmën përfundimtare të liqenit dhe digës; të zhvillohen konsultime publike me banorët e Dibrës përpara se të ndërmerren hapat e mëtejshme të zbatimit si dhe të publikohet analiza socio-ekonomike e projektit.

Nevoja e kësaj shkrese lindi duke parë shqetësimin e banorëve që preken nga Skavica, përfshirë edhe mua. Ka dy vite që qeveria ka prezantuar projektin dhe akoma sot nuk ka asgjë transparente”, – thotë për Citizens Channel Ylber Cami, pjesë e grupit “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.

Kemi të bëjmë me një zonë të banuar historikisht e cila mbart një thesar të historisë së kombit. Këtu përfshihet origjina jonë, betejat heroike, monumente kulturore dhe natyrore”, – vijon më tej Cami. Ai shprehet se dibranët nuk kanë asnjë informacion rreth dëmshpërblimeve dhe se nuk janë pyetur nëse janë apo jo dakord me ndërtimin e Skavicës.

Një panair në Londër për ndërtimin e Skavicës

Bechtel është kompania amerikane e kontraktuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin dhe implementimin e hidrocentralit të Skavicës.

Me datë 20 dhe 21 tetor në Londër, kompania Bechtel dhe UK Export Finance (UKEF) do të zhvillojnë një aktivitet prezantues me kompani të ndryshme, në mënyrë që të gjenden nënkontraktorë për zhvillimin e projektit të Skavicës.

Ndërkohë që mediatikisht flitet për Skavicën dhe është hapur një ankand për përparimin e projektit, informacionet vijojnë të jenë të paplota në website-t zyrtare.

Deri më tani, të bëra publike janë vetëm disa nga alternativat e lartësisë së kuotës mbi nivelin e detit.

Në faqen e KESH është publikuar një material i cili shpjegon dy mundësitë: alternativa (1) deri në kuotën 388 metra mbi nivelin e detit ose alternativa (2) 443 metra mbi nivelin e detit.

Në propozimet e mëhershme flitej për “Skavicën e madhe” me digë që shkonte deri në kuotën e 485 metrave mbi nivelin e detit. Citizens Channel i është drejtuar institucioneve lidhur me ndikimin që do të ketë ky projekt te banorët dhe cili është plani i mëtejshëm sa i përket strehimit dhe dëmshpërblimit, por KESH u shpreh që projekti është ende në fazë studimore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *