Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: “Rizgjimi i vështirë i sindikalizmit shqiptar”

Makina tip Benz 2400 ndaloi në një nga rrugicat e Bulqizës, pasi nuk kishte më pasagjerë për të dërguar në fshatrat përreth. Sali Alliu, një burrë në të 60-at, mbylli me kujdes derën e makinës dhe na ftoi të uleshim në kafen përbri saj.

Një nga minatorët e vjetër të Bulqizës, tanimë i dalë në pension, ai punon si taksist. Sapo mbushi të 55 vjetët, sipas ligjit, i erdhi njoftimi për t’u larguar nga puna në minierë. Pavarësisht dëshirës për të vijuar punën nëntokë, njoftimi për largimin nga puna ishte i pakthyeshëm.

Sali Alliu, ish minator Foto: Erisa Kryeziu

Saliu kujton letrën që ka marrë nga drejtori i burimeve njerëzore në kompaninë AlbChrome, që kishte në pronësi pjesën më të madhe të minierave në Bulqizës: “Sindikata jote ka takuar vetë Samir Manen dhe mua më ka ardhur letër direkt nga ai, që ose do rrija vetë pa punë ose do të të hiqja ty. Dhe vendosa që të të nxjerr në pension“.

Ai shprehet i bindur se shkak për largimin nga puna është bërë përfshirja e tij për krijimin e një sindikate të re të minatorëve në Bulqizë.

Minierat e kromit në Bulqizë; Video: Citizens Channel

“Unë i prisha marrëdhëniet me ta (sindikaten e vjetër) se nuk punonte sindikata dhe mblodha ca firma për Eltonin (drejtuesin e Sindikatës së re të minatorëve në Bulqizë) se ky ishte më i ri, me një vizion më të pastër dhe më kanë hequr nga puna direkt me idene se ke mbush moshën….Vetëm pse mblodha firmat dhe ndërrova sindikatë“,-rrëfen Saliu, i cili për 5 vite me radhë shërbeu edhe si nënkryetar i degës së Bulqizës në Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH), një organizatë e themeluar në vitin 1991, që sot i referohet si “sindikata e vjetër”.

Zhgënjimi i minatorëve karshi sindikatës mori formë në vitin 2017, pasi ata kërkuan të njiheshin me kontratën kolektive, mirëpo ajo nuk u bë transparente.

“E kishin firmosur fshehurazi dhe po e mbanin të fshehtë, thonin që ne nuk e kemi firmosur kontratën kolektive“,-kujton Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të bashkuar të Bulqizës, i cili aktualisht është larguar nga Shqipëria.

Insistimi për tu njohur me kontratën kolektive i kushtoi vendin e punës dy minatorëve.

Aty bashkë ishim goxha minatorë që ishim futur në minierë, mosha jonë, moshë e re dhe flisnim me njëri-tjetrin, çfarë do bënim se do kishim të njëjtin fat, kush ngrinte zërin do pushohej nga puna”,- rrëfen Debreshi.

Kjo pakënaqësi që ekzistonte ndaj SPMSH u institucionalizua më 17 nëntor të 2019, kur minatorët krijuan një sindikatë të re të quajtur Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Kushte më të mira pune, siguri në punë, paga më të larta dhe statusin e minatorit ishin disa nga nevojat dhe qëllimet e krijimit të kësaj sindikate.

Ne brezi i ri dhe me ndihmën e disa minatorëve të vjetër që e kishin ndjekur mirë rrugëtimin e sindikalizmit, na udhëzuan që të përfaqësoheshim në një sindikatë që të ishte një sindikatë e papërlyer siç ishin sindikatat e vjetra“,-tregon Eltoni për iniciativën e krijimit të një sindikate të re.

“Nga sindikalistë në pronarë”

Vagonët që transportojnë kromin në minierat e Bulqizës; Foto: Erisa Kreziu | Citizens Channel

Në fillim të viteve`90 teksa në Shqipëri ra sistemi komunist, lëvizjet punëtore të pavarura filluan të merrnin formë.

Dy grupimet më të mëdha sindikale të asaj kohe, që vijojnë ende sot janë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) dhe Konfederata e Sindikave të Shqipërisë (KSSH).

Kërkesat e para të punëtorëve pas 50 vitesh nën regjimin komunist erdhën nga miniera e Valiasit, pranë Tiranës, ku minatorët hynë në grevë për të kërkuar ngritje të pagës 100%, shkatërrim të Bashkimeve Profesionale (rrjetet e punëtorëve të partisë komuniste gjatë regjimit) dhe përmirësim të kushteve të punës. Kësaj greve iu bashkuan edhe minatorë nga qytetet e tjera të vendit.

“Sindikatat kanë pasur një zanafillë të lavdishme në Shqipëri. Kanë qenë shumë të fuqishme në vitin ’91, atëherë kur arrinin të organizonin klasën punëtore pothuajse kudo. Madje kanë arritur që në prill të 1991 të bëjnë edhe një grevë të përgjithshme që është forma më e lartë e organizimit sindikal“,-thotë Arlind Qori, pedagog dhe aktivist pranë Organizatës Politike.

Por kjo periudhë e lavdishme e sindikatave ishte e shkurtër, pasi shumë shpejt ato nisën të dobësoheshin, të zvogëlohen dhe të humbasin fuqinë e tyre.

“Në vitin 1992 kemi pasur rreth 90% e klasë punëtore në Shqipëri anëtare sindikate. Por pastaj ata puëtorë që ishin të fuqishëm në kompanitë e tyre u bënë të pafuqishëm në kohën kur ato fabrika u mbyllën. Nisi procesi i privatizimit dhe privatizimi nuk është se solli rimëkëmbjen e atyre fabrikave, por në shumicën e rasteve i coi fabrikat për skrap“,-argumenton më tej Arlind Qori.

Arlind Qori, pedagog dhe aktivist

Studiuesit e çështjeve të punëtorëve sqarojnë se ajo çka i dha shkelmin e fundit fuqisë së sindikatave në sytë e punëtorëve ishte kalimi i pronave shtetërore në pronësi të sindikatave.

Me një dekret presidencial nr.204, të datës 5.6.1992, presidenti i asaj kohe Sali Berisha u dha grupeve sindikaliste në Shqipëri një sërë pronash, duke përfshirë këtu shtëpi pushimi, shtëpitë e pionerëve, ish-shtëpitë e pushimit të punëtorëve dhe qendra kulturore. Pasojat e këtij dekreti u rregulluan edhe me ligjin nr. 8340/1, datë 6.5.1998, ku sindikatat e gjetën veten zotëruese të 125 pronave të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, në zona shumë të favorshme.

Pas një raporti të bërë në vitin 2010 rezultoi se këto prona në fakt nuk u përdorën për aktivitet sindikal në dobi të punëtorëve, por u kthyen në biznese private, si restorante, hotele apo banesa për familjarët. Një pjesë e këtyre ndërtesave janë shembur e mbi to janë ndërtuar pallate apo ndërtesa të tjera për aktivitet ekonomik nga vetë drejtuesit e sindikatave.

“Tashmë të pavarura nga punëtorët për kuotizacione (mënyra kryesore si financohen sindikatat kudo në botë), e për rrjedhojë pa asnjë arsye për të organizuar punëtorët e për t’iu shërbyer atyre, KSSH dhe BSPSH u kthyen thjesht në menaxhuese të pronave private të cilat për pjesën më të madhe të kohës iu kanë siguruar sindikatave të ardhura të majme“,-thotë Edlira Xhafa, studiuese e çështjeve të punëtorisë e njëkohësisht drejtoreshë e Akademisë “Global Labour University“.

Sipas studiuesve të  çështjeve të  punëtorëve, ata sot nuk janë në dijeni nëse janë apo jo antarë të sindikatave.

Dekreti për kalimin e pronave e kreu funksionin e tij: asnjë rezistencë ndaj ristrukturimit brutal të ekonomisë me pasoja shumë të rënda për punëtorët. Sot, këto sindikata kanë një anetarësi të limituar në sektorin publik, por kjo mbetet vetëm anetarësi në letra“,-thotë Edlira Xhafa.

Edlira Xhafa, studiuese

Sipas saj, “punonjësit e sektorit publik kanë pak ose aspak dijeni që janë anëtare sindikate, ndërsa kryetarët e sindikatave dhe drejtorët e ministrive përkatëse nënshkruajnë kontrata kolektive që sigurojnë zbritjen automatike të kuotizacioneve nga paga“.

“Nga minierat tek rafineria dhe call-center-at; rizgjimi i sindikalizmit në Shqipëri”

Mos përfaqësimi i punëtorëve nga sindikatat ekzistuese bëri që në shumë sektorë në Shqipëri të lindnin grupime të reja sindikaliste.

Pas krijimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në 2019, çështja e minatorëve filloi të njihej gjerësisht në opinion publik për shkak të protestave të njëpasnjëshme që sindikata e re ndërmori. Paralelisht me portestat u hartua një peticion për t’i propozuar Kuvendit miratimin e statusit të minatorit, një premtim i parealizuar prej 30 vitesh.

Minatorë të SMBB gjatë protestave në Tiranë

Fill pas Sindikatës së minatorëve, në vitin 2020 në një tjetër sektor, atë të naftës, u krijua Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar. Krijimi i kësaj sindikate erdhi si nevojë pas ndërprerjes së punën në uzinën e Ballshit, duke lënë pa punë mbi 800 naftëtarë. Kalimi i rafinerisë nga një kompani në tjetrën rezultoi në borxhe pagash ndaj naftëtarëve, mbylljen e rafinerisë dhe së fundmi demontimin e saj më 28 nëntor 2021.

Edhe pse në një periudhe pandemie, sindikata udhëhoqi një sërë protestash, duke përfshirë këtu edhe një grevë urie, e cila zgjati 42 ditë. E nisur fillimisht nga burrat naftëtarë për 17 ditë dhe e vazhduar më pas për 24 ditë të tjera nga gratë naftëtare.

Kreu i Sindikatës së naftëtarëve të Bashkuar Sokol Dautaj, shprehet se naftëtarët janë ndjerë të braktisur dhe të papërfaqësuar nga sindikatat e vjetra. Braktisje kjo e konfirmuar edhe gjatë grevës së urisë.

Demontimi i rafinerisë së Ballshit; Video: Citizens Channel | Dhjetor 2021

Viti 2019 do të shënoi krijimin e një tjetër sindikate në një sektor të ri në Shqipëri sikurse ai i call centerave. Në kompaninë më të madhe të call centerave në Shqipëri të quajtur “Teleperformance”, u krijua sindikata Solidariteti“.

Nisi si pasojë e pushimeve nga puna, pasi çfarëdo të ndodhte nuk kishe asnjë lloj mbrojtjeje si punonjës i call center-it. Ky ishte qëllimi në vetvete, për të mos u drejtuar te këto sindikatat klasike, ekzistente që ishin, ku kishte asnjë lloj shprese“ –thotë Tonin Preci, drejtuesi i sindikatës Solidariteti.

Gjatë pandemisë organizimi i kësaj sindikate çoi në anullimin e instalimit të kamerave në shtëpitë e punonjësve të kompanisë Teleperformanca, e cila diktonte vendosjen e kamerave pranë vendit ku punoje në shtëpi, për të monitoruar procesin e punës.

“Një nga fitoret më të mëdha të Solidaritetit ka qenë fitorja me Teleperformancen per kamerat ku ti mund te punoje nga shtepia gjatë pandemisë por duhet te kesh kamer. Bëmë të gjitha lëvizjet e nevojshme sindikaliste dhe kjo u anullua si rregull“,-shprehet Tonin Preci.

Edison Hoxha nga Qendra Për të Drejtat në Punë, shprehet se organizimet e reja sindikale janë ato që duhen dhe duhet të forcohen.

„Mendoj se jemi në një fazë ku duhet mbeshtetur cilido që aktivizohet dhe angazhohet në vendin e punës për të drejta kolektive, qoftë si sindikalist i angazhuar, si punonjës apo grup punonjësisht të paformalizuar“.

Për pedagogun dhe aktivistin Arlind Qori, në kushtet kur nuk fuksionon ligji është shumë  i rëndësishëm organizimi.

„Ekziston nevoja që punëtorë të kenë instuticione, sepse institucioni i fuqizon ata. Punëtori vetëm është shumë i dobët në raport me pronarin. Pronari mjafton të shprehë vullnetin e tij dhe punëtori ikën nga puna“ –tha Qori.

“Të papunë“ për shkak të organizimit sindikal

Gjatë pandemisë Tonini nga Sindikata “Solidariteti“ u hoq nga puna për shkak të organizimit sindikal. Ai përmend edhe tetë raste të tjera të kolegëve të tij, të cilët janë larguar nga puna që në momentin që dolën publikisht nën emrin e sindikatës. Pavarësisht se çështjet janë dërguar në gjykatë ai e sheh të vështirë rikthimin në kompanitë e mëdha të call centerit.

“Nëse do të ishin dy cv të dërguara në një vend pune, dhe njëra perj tyre do të ishte e imja, emri im do të skualifikohej direkt. Këtë e kam të sigurt  E kam vërtetuar në tre kompani“,-tregon me bindje Tonini.

Tonin Preçi

Ndryshe nga Tonini, Sokoli, drejtuesi i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, tanimë është pa punë për shkak të shkatërrimit të rafinerisë. Mirëpo, ajo çka e mban të motivuar për të vijuar në krye të sindikatës është çuarja deri në fund e misionit, marrja e 13 pagave të prapambetura për kolegët e tij të rafinerisë.

“E vetmja lëvizje që unë po e mbaj gjallë, është se unë nuk dua t‘ju bëj dhuratë edhe formë ne fundit të gjyqit. Sepse qëllimi i këtyre është që të heshtim ne, të shpërndahemi përfundimisht që edhe ata të mos e likujdojnë edhe këtë 8 milion euroshin që është“,-thotë Sokol Dautaj.

Sokol Dautaj

Përfaqësimi në gjyq i naftëtarëve po kryhet nga sindikata e vjetër, e cila sipas Sokolit kërkon ta zvarrisë procesin gjyqësor, pa e çuar në fund.

Prej daljes publike si përfaqësues i një sindikate të re, Elton Debreshi në Bulqizë u hoq nga puna dhe asnjë kompani në qytetin e tij nuk e merrte më në punë. Bashkë me të u hoqën nga puna edhe tre minatorë të tjerë, për shkak të angazhimit sindikal, teksa sot rendin në procese gjyqësore.

Proceset gjyqësore vazhdojnë për të katërt minatorët që janë pushuar nga puna. Unë, Beqir Durici, Ali Gjeta dhe Behar Gjimi. Dy nga këto kanë pasur në gjykatën administrative, kanë marrë të drejtën që të kthehen në punë dhe dëmshpërblimin, por kompania e ka apeluar dhe sot është në apel.“,-shprehet Elton Derbeshi. “Ndërsa çështjen time e kanë zvarritur më gjatë, sepse prezenca ime por edhe prezenca e qoftë njërit nga ne në ambientet e asaj miniere do ishte një mesazh goxha i fuqishëm edhe për vetë minatorët“,-përfundon ai.

Sindikata e minatoreve te Bulqizes ë shtë  nje rast ekzemplar sepse u godit ne menyre te perqendruar dhe ne menyre te paligjshme“,-argumenton pedagogu Arlind Qori. Sipas tij ,”përballë nuk kishin nje pronar dosido, por kishin njeriun më të pasur në Shqipëri dhe më me influencë në Shqiperi“.

Kjo vështirësi e punonjësve në organizim sipas Edison Hoxhës nga CLR ka bërë që interesat e tyre te shfrytëzohen për interesa personale.

“Çdo iniciativë e punonjësve vitet e fundit për t’u organizuar realisht në vëndet e tyre të punës, ka sjellë pasoja drejtpërdrejt tek përfaqësuesit kryesorë të këtyre lëvizjeve duke i larguar ata nga puna për shkak të angazhimit sindikal. Ndërkohë që institucionet vegjetojnë përpara këtyre rasteve“- thotë Hoxha.

Edison Hoxha, CLR

Sipas Arlind Qorit, periudha ku ndodhen tani sindikatat e reja është e ndërmjetme deri në fuqizimin e tyre.

“Midis momentit kur ata vendosin të themelojnë një sindikatë dhe fuqëzimit të mjaftueshëm të sindikatës kjo është një hapësirë kohore ku pronari është shumë i fortë dhe mund ti dënojë, mund ti heqë nga puna, mund ti lëvizë në mënyre diskriminuese në vendin e punës. Kjo është një periudhë e ndërmjetme që është mjaft e rrezikshme midis iniciatives për të themeluar një sindikatë dhe pasjes së një sindikate mjaftueshëm të fuqishme dhe të përhapur mes punëtorëve që do ti garantonte të gjithë punëtorët dhe sidomos drejtuesit sindikalë nga heqjet e padrejta nga puna“,-përfundon ai.

E ardhmja e organizimit sindikal në Shqipëri

Përpos vështirësive që hasin punëtorët në Shqipëri për t’u organizuar, ekspertët dhe studiuesit e çështjeve të punëtorëve nuk e shohin të pamundur vijimin e krijimit të  sindikatave të pavarura.

“Siç dëshmohet edhe nga lindja e sindikatave të reja, organizimi sindikal edhe në këto kushte nuk është i pamundur. Ndoshta edhe kundra intuitës, dhe padyshim kundra trendeve në botë, gjasat janë që pavarësisht sfidave madhore, organizimi në sektorin privat të jetë me i mundshëm se në sektorin publik. Kjo për shkak të nivelit të lartë të nepotizmit dhe emërimeve politike në sektorin publik, çka përbën një faktor shumë të rëndësishëm frenues për këto lloj organizimesh të pavarura“,-shprehet Edlira Xhafa.

Mungesa e përvojës së sukseshme të organizimit sindikal në Shqipëri, bën që t’ja nisim nga zeroja, shprehet Arlind Qori.

Nuk jemi në rastin e sindikatave të vendeve ku prej 150-200 vjetësh ekzistojnë struktura të tilla dhe përcillen dhe njohuri. Në ato sektorë ku ka sindikata të reja është nisur praktikisht nga zeroja. Nisja nga zero ka problemet e veta, mirepo kur ja nis, vazhdimi besoj është më i qendrueshem“,-thotë ai.

Ndërsa për Edison Hoxhën, mbështetja e punëtorëve të rinj që duan të angazhohen në sindikatat e reja duhet të jetë prioritet.

„Organizime sindikale sa më të decentralizuara, solidare dhe të hapura për bashkëpunim do ishin shumë të vlefshme. Nëse bëjmë këtë atëherë edhe nivelet më të larta të organizimit sindikal qoftë në nivel sektorial apo të përgjithshëm do ishin në presion për t’u forcuar dhe bërë demokratike funksionale dhe të hapura dhe kjo pastaj do çonte në forcimin e lëvizjes sindikale në përgjithësi“,-përfundon Hoxha.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *