Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Podkast – Zërat e betejës me kancerin e gjirit…

“Bëra një eko, më dridhet shpirti, se thoja si do dal “,- tha Lirie Xhardja teksa doli nga kontrolli i radhës në Spitalin Onkologjik të Tiranës.

Dëgjo podcastin e plotë: 

 

57 vjeçarja nga Elbasani, prej vitesh vuan nga sëmundja e kancerit të gjirit. Përveç ndryshimeve fizike që i ka shkaktuar sëmundja ajo tregon se nga dhembjet e forta ajo e ka të pamundur të punojë.

“Trembëdhjetë mijë lekë të vjetra asistencë marr unë. Jetoj në fshat, s’kap dot kazmën. Nuk jam në gjendje pune, gjendja financiare zero. Pse mos të mendojë shteti për ne? “,- tregon Xhardja.

Ajo shpjegon se i vetmi medikament që merr falas është letrozoli, por kontrollet e tjera të vazhdueshme si për shembull tiroidet, veshkat etj. dhe ilaçet që i jepen janë kosto të rënduara për të. Përveç peshës financiare, edhe më e rëndë për të është pesha psikologjike.

“Kam hequr gjysmën e trupit zëre, më vjen keq kur e shoh veten, më dhimbset vetja sesi jam. Kur bëj banjo qaj, më dhimbset sesi jam bërë”,- përfundon Xhardja.

Ka apo s’ka mungesë medikamentesh dhe shërbimesh në Spitalin Onkologjik?

Silvana Çeliku, shefe e Shërbimit Onkologjik në Tiranë shprehet për Citizens Channel se kanceri i gjirit mbulohet tërësisht nga të gjitha medikamentet, nga të gjitha linjat e trajtimit.

“Është bërë një hop i madh në 10 vjeçarin e fundit për të siguruar dhe për mos t’ju munguar, mund të ketë patur ndonjë vonesë në furnizim por mungesa nuk kemi patur”,- konfirmoi ajo.

Ina Kasimati, e cila po lufton për herë të dytë me sëmundjen e kancerit, tregon se mungesa e medikamenteve dhe e shërbimit psiko – social e detyruan atë të zgjedhë një vend të Bashkimit Evropian për tu kuruar.

“Pas operacionit nuk më është dhënë terapia e duhur. Mu desh të shkoja në Itali pas një muaji dhe aty mësova se në Tiranë për arsye të mungesës të ilaçit Zoladeks, një terapi hormonale, mua nuk më ishte dhënë dhe kjo më kishte shkaktuar pasoja në organizëm, hemoragji”,- thotë Kasimati.

Pas eksperiencës jashtë, Ina nuk dëshironte më të trajtohej në Tiranë. Pasi u ankua në drejtorinë e përgjithshme dhe tek Ministria e Shëndetësisë, nuk pati asnjë reagim dhe vetëm pasi u drejtua në Kryeministri, arriti të merrte ilaçin.

“I kisha kërkuar edhe Ministres së Shëndetësisë, kur më mori në telefon herën e dytë, i thashë dua të largohem, dua të trajtohem më me siguri, më me vizion, në të gjitha pikëpamjet, unë dua të shpëtoj jetën, për veten time që jam e re dhe për fëmijën tim”,- tregon Ina, e cila aktualisht vijon të trajtohet jashtë vendit.

Lidhur me shifrat e të prekurave nga kanceri i gjirit, Shefja e Shërbimit Onkologjik Tiranë, Silvana Çeliku konfirmon se këtë vit në raport me vitet që lam pas kemi shtim të rasteve.

“Duke qenë se dalim dhe nga një periudhë e covidit të them të drejtën, ku kemi patur një reduktim të rasteve, për shkak të mosardhjes së pacienteve, sigurisht që kemi një numër më të shtuar, ndoshta ky numër shkon edhe te 20% më shumë”,- përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *