Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjedhja e gazit në Porto Romano, instutucionet gjejnë parregullsi në cisterna

Dje, në fabrikën GasPower në zonën e Porto Romanos në Durrës pati një rrjedhje gazi nga një cisterne, situatë e cila solli evakuimin e banorëve të zonës.

“Shpesh herë ndodh që del një shtëllungë gazi me aromë të fortë dhe mbaron për 10 minuta dhe themi kalon, por kësaj radhe jo”, tha për Citizens Channel Anila Prethi, një nga banoret e zonës.

Banorët kërkojnë që  ky biznes të zhvendoset, pasi shëndeti i tyre është në rrezik. Prethi tregon se sot puna në kompani vijon rregullisht, sikur mos të ketë ndodhur asgjë.

“Askush nga kompania nuk ka dhënë asnjë sqarim pas ngjarjes”, vijon Prethi.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar ISHTI (Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial) konfirmon se cisternës nuk i janë bërë kontrollet e duhura dhe se ka mungesë dokumentacioni, madje nuk ka as certifikatë miratimi për transportin e mallrave të rrezikshëm.

ISHTI bën me dije se do të vijojë me procedurën e inspektimit online, ndërsa njofton se subjektit iu la detyrë që të marrë masa për boshatisjen e menjëhershme të cisternës së GLN-s, për pastrimin e territorit, monitorimin e cisternës së GLN-s si dhe ambientit për qark.

Citizens Channel kontaktoi përfaqësues të kompanisë GAS Power AL, i cili u shpreh se nuk ka rrezikshmëri për jetën e banorëve as të punonjësve.

“Ishte bot i parkuar, nuk ishte në funksion pune. Botit i është hapur valvula e sigurisë dhe ka shkaktuar fazën e gaztë. Janë gjëra që ndodhin”, shpjegon Altin Mulla nga Gas Power AL.

Ai mohon faktin se një nxënës i shkollës “Met Hasa” ngjitur me fabrikën e gazit është shoqëruar në spital për shkak të mungesës së frymëmarrjes, ndërsa banorë të zonës konfirmojnë të kundërtën.

Kjo nuk është hera e parë që komunitetit të zonës i krijohen problematika nga kompania në fjalë.

“Në qershor fenomeni ndodhi në kompensorin e shkarkimit, për një ngarkesë elektrike që ka pasur rrjeti dhe bëri masë kompensori; sasia e gazit që ishte në komprensor u dogj”, tregon Mulla.

Mulla tregon se kompania është funksionale në zonën e Porto Romanos që nga 2012 dhe  ka rreth 105 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve  janë pjesë e komunitetit.

“Nuk protestohet sepse pjesa më e madhe e familjeve hanë bukë nga ajo kompani, vetëm dje që na u rrezikua jeta dolëm në intervista”, tha për Citizens Channel një nga banorët.

Altin Mulla shprehet se zona është më tepër industriale sesa e banueshme nga komuniteti dhe numri i familjeve aty është  shumë i ulët.

“Porti i shkarkimit është 500 metra më tutje, që janë të gjitha depozitat e hidrokarbureve, ne jemi një zonë, është zonë industriale. Nuk mund të them unë çfarë duhet të bëhet me ato familje”, përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *