Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protestë: Punonjësit e call center-it kërkojnë pagesën për ditët e festave zyrtare

Për të tretën herë radhazi punonjës të call center-it PARR dhe Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë (SKOT) protestuan pranë ambienteve të punës.

Ata kërkuan njohjen dhe pagesën e ditëve të pushimeve zyrtare sikurse e parashikon Kodi i Punës, të mohuara nga kompania prej vitit 2016.

“Në qoftë se ne si operatorë, në këtë kompani punojmë gjatë ditëve të festave shqiptare, duhet të paguhemi 25% më shumë mbi pagën tonë dhe përveç kësaj duhet të fitojmë një ditë pushimi të paguar, që merret ose një javë para ose një javë mbrapa festës shqiptare. Marr rastin për shembull, të 5 shtatorit shenjtërimit të Nënë Terezës, pra nëse ne punojmë në datën 5 na paguhet ajo ditë +25% më shumë dhe përfitojmë një ditë shtesë një ditë të paguar një ditë pushimi”,-rrëfen Ernest Elezi, punonjës prej 9 vitesh në këtë kompani.

Sipas tij, ankesat janë dërguar në vijimësi ndaj kompanisë përmes sindikatës SKOT.

Ernest Elezi, punonjës kompania PARR

“Ne kemi bërë kërkesa individuale nëpërmjet sindikatës që të kishim seanca ndërmjetësimi me vetë kompaninë, pa shkuar në protesta pa shkuar në ankesa në Inspektoratin e Punës, dhe jemi injoruar. Kemi pasur 3-4 e-maile ku kemi bërë kërkesat për të folur për t’u ulur në tavolinë me kompaninë dhe nuk janë marrë parasysh”,-shprehet Elezi.

Shumë punonjës kanë një periudhë të konsiderueshme pune në këtë kompani, ndaj dhe shprehen se ndjehen të zhgënjyer nga mos reagimi për zgjidhje të situatës.

“Ndjehem e zhgënjyer sepse kam dhënë shumë për këtë kompani dhe për këtë protestë që është e treta nuk kemi marrë asnjë përgjigje përveç nënqeshjeve, idenë që jemi zero, do shpërndahemi shumë shpejt. Duke qenë se kam 7 vite dhe asnjë ditë raport, minimumi duhet thjesht një sqarim, aq kërkojmë. Ne kemi festuar festat italiane që nuk na interesonin, festa shqiptare jemi detyruar te vinim dhe në ditët e pushimeve familjare të linim fëmijët tanë dhe të punonim”,-tha Arjana Çoço, punonjëse prej 7 vitesh në këtë kompani.

Anjeza Coco, punonjëse kompania PARR

Sipas punonjësve, borxhi i kompanisë ndaj tyre si pasojë e mos pagesës së ditëve festive është i konsiderueshëm.

“Në qoftë se bëhet një llogari prej vitit 2016, i bien 14 festa zyrtare shqiptare pra 14 ditë që ne mund të kemi punuar nuk kemi marrë plus 25% në këto 14 ditë dhe 14 ditë pushimesh që i kishim të paguara, n.q.s. i marrim brenda vitit mund të shkojnë diku tek 380 mijë lekë n.q.s. bëjmë një mbledhje në vija të përgjithshme jo shumë të saktë dhe në 6 vjet bëni ju hesapin mund të jenë tek 2 milion e 300 mijë lekë që na janë mohuar që prej vitit 2016”,-sqaron Ernest Elezi.

Kreu i SKOT, Iliri Xhemalaj tha se procesi i ndërmjetësimit nuk dha zgjidhje ndaj problemit.

“Kjo është e treta herë që ne dalim pranë këtij call-center-i. Jemi detyruar që të dalim përsëri pasi ne mbaruam procesin e ndërmjetësimit dhe ishte një proces I cili nuk na dha asnjë lloj shprese. Instancat shtetërore që organizojnë këtë proces thjesht e bënë sa për procedurë. Një 10 minutësh në zyrë dhe u mbyllën të gjitha dosjet dhe ne jemi po në pikën e nisjes pa asnjë zgjidhje”-u shpreh Xhemalaj.

Ilir Xhemalaj, SKOT

Teksa presin adresimin e shqetësimin të tyre, punonjësit shprehen të vendosur për të vijuar protestat.

“Ne do ta ndjekim këtë se s’bën në çdo hallkë me protestë, me grevë urie, me çdo gjë deri sa ne të arrijmë të marrim çfarë u takon punonjësve si dhe qeverinë shqiptare, shtetin shqiptar që të mendohet mirë, mos të pyesi pastaj pse ikin të rinjtë. Të rinjtë ikin pikërisht për këtë çështje sepse nuk u zbatohen të drejtat e tyre minimale”,-përfundon Xhemalaj.

Kompania PARR u kontaktua për një koment mbi situatën, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer një përgjigje.

Sektori i call center-t në Shqipëri ka të punësuar rreth 25 mijë qytetarë. Ky sektor është mundësi punësimi edhe për shumë familjarë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në ekonominë kombëtare.

Sektori i call center numëron vetëm dy organizime punonjësisht në formë sindikatash, përmes SKOT dhe Sindikata e Punonjësve Postë-Telekomit Shqiptar, ndërsa problematikat janë të shumëllojshme, duke përfshirë mos respektim të Kodit të Punës apo presion ndaj punonjësve për angazhimin e tyre sindikal.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *