Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Rindërtimi humbet në gjykatë”, rrëzohet vendimi i Bashkisë Tiranë për shembjen e dy pallateve në Kombinat

Godinat 1 dhe 21 të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat janë të radhës që fitojnë në gjykatë çështjen përballë bashkisë së Tiranës.

Gjykata Administrative rrëzoi vendimet e këshillit bashkiak të Tiranës që në 24 nëntor 2021 përcaktonin shembjen e dy pallateve, duke e çuar në gjashtë numrin total të godinave për të cilat banorët kanë fituar betejën gjyqësore.

Gjykata i shfuqizoi këto vendime, bashkë me oponencën teknike të akt-ekspertizës.

“Akte kontradiktore ekspertimi”

Pas tërmetit të 26 nëntorit, pallati nr. 1 në Kombinat iu nënshtrua një sërë kontrolleve teknike.

Sipas avokatit që ka mbrojtur pallatin në gjykatë, janë kryer katër ekspertiza, tre prej të cilave kanë përcaktuar se ndërtesa i përket kategorisë DS2.

“Një nga një studio private e cila bëri verifikimin dhe ekspertizën e pallatit tonë dhe ku arriti në konkluzionin që pallati nuk ka dëmtime në strukturë. Një ekspertizë e dytë u bë nga një grup inxhinierësh të huaj, izraelitë, hungarezë, të cilët gjithashtu kryen ekspertimin e pallatit tonë dhe konstatuan që pallati nuk ka dëmtime në strukturë. Një ekspertizë e tretë është bërë në muajin maj në vitin 2020 nga inxhinierë të Institutit të Ndërtimit, të cilët gjithashtu konstatuan që ndërtimet në pallat janë të nivelit të ulët, që kategorizoheshin sipas kategorive nga DS1 deri në DS5, në nivelin DS2”,-sqaron avokati.

Ekspertiza e tretë, maj 2020 nga Instituti i Ndërtimit

Kjo kategori sipas aktit normativ 9/2019 të miratuar “Për përballimin e Pasojave të Fatkeqësisë Natyrore” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 634, i përket shkallës së lehtë të dëmtimit, sipas së cilës banorët marrin një fond lekësh në varësi të dëmtimit për rikonstruksion të banesës.

Referuar këtij kategorizimi, banorët përftuan grantin e rikonstruksionit të pallatit.

“Mbi bazën e këtyre konstatimeve, banorët e pallatit, 17 familje aplikante që kishin mundësi të aplikonin sepse pjesa tjetër ishin në emigracion dhe nuk kishin mundësi, aplikuan te njësia bashkiake, tek portali “shtëpiaime” ku sipas kategorizimit që i ishte bërë pallatit rezultonte DS2, ne përfituam bonusin e grantit të rikonstruksionit të pallatit në vlerë 1 milion e 750 mijë lek të vjetra. Shumë të cilën e kemi marrë”,-argumenton avokati.

Në momentin kur banorët menduan se kishin përfunduar marrëdhënien me shtetin shqiptar, pasi morën grantin e rikonstruksionit, panë pallatin e tyre në një listë tjetër që do ta përfshinte në një ekspertizë të katërt.

Në dhjetor të 2020 bashkia Tiranë shpalli një tender për të kryer akt-ekspertizën për objekte që kishin pësuar dëmtime të kategorisë DS4 dhe DS5. Bashkimi i Operatorëve ekonomikë “Atelier 4” & “Archimed SPS” shpk & “Kejsi 05” shpk. u shpallën fitues të tenderit të bashkisë Tiranë për të kryer akt ekspertizën për pallatin nr.1 në Kombinat.

“Ne na rezultoi që në dhjetor të vitit 2020 bashkia e Tiranës kishte shpallur një tender për të bërë ekspertiza mbi pallatet të cilat kishin dëmtime të rëndë DS4 dhe DS5. Por në listën që drejtoritë brenda bashkisë kishin përcjellë nga emergjencat civile në drejtorinë që kishte realizuar tenderimin, rezultoi që në kontratën e tenderit u përfshinë pallate të cilat nuk ishin as DS4 dhe as DS5, por u përfshinë DS2-at, përfshi edhe pallatin tonë”,-shpjegon avokati i pallatit nr.1.

Studio Atelier 4 e kontraktuar nga Bashkia Tiranë për kryerjen e ekspertizës hartoi një tjetër relacion, të cilën e nisi për oponencë pranë Institutit të Ndërtimit, ndërsa ky i fundit e miratoi atë.

Sipas avokatit të banorëve të pallatit nr.1, kjo ekspertizë është kryer pa shkuar në terren.

“Ky ishte kontroll i katërt, por i pa bërë. I bërë në letër, por jo i bërë bë terren. Akti që Dhimitër Papa ka bërë për katalogimin e dëmeve nuk përputhet fare me ekspertizat e mëparshme dhe nuk përputhet fare me situatën e pallatit tonë. Kanë përdorur modelin copy-paste, për ta përdorur në të gjitha ato pallate”.

Sipas disa përfundimeve teknike, akt-ekspertiza e përgatitur nga inxhinieri Dhimitër Papa doli në përfundimin se pallati “nuk i plotëson kushtet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë për ngarkesa dinamike sizmike”. 

“Ekspertiza pa shkuar në terren?”

Banorët argumentojnë se relacioni i hartuar nga Studio Atelier përmban elementë të falsifikuar.

“Elementi i parë i falsifikuar ishte sikur në datën 25 tetor ishte bërë një dëgjesë publike ndërmjet banorëve dhe grupit të inxhinierëve, gjë që nuk figuron fare në të vërtetë, nuk është dokumentuar askund. Është kërkuar në shkresë zyrtare që të na vihen në dispozicion procesverbali dhe nuk ekziston një procesverbal i tillë”, -shprehet avokati.

Ndërsa sipas tij falsifikimi i dytë “ishte sikur ne, banorët e atij pallati marrin bonusin me qira, gjë që është krejtësisht i pavërtetë, se asnjë nga banorët e pallatit nuk merr bonusin e qirasë”. 

Plani i detyruar vendor për zonën e Kombinatit

Problematikë kjo e ngritur edhe më herët nga banorët e Kombinatit. (lexo më shumë)

Sipas planit vendor, zhvillimi i kryeqytetit me ardhjet e reja, e orientojnë Tiranën të kthehet nga monocentrike (me një qendër) në policentrike (disa qendra), duke nxitur kësisoj shtrirjen e zhvillimeve urbanistike edhe në zonat përtej qendrës.

Me një vendim të 31 marsit 2021, zona e Kombinatit është shpallur zonë e re për zhvillim. Sipas planit të detyruar vendor rezulton se në këtë zonë janë parashikuar të ndërtohen ndërtesa të reja.

Shënim: Avokati që citohet në artikull preferoi që të mbetet anonim 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *