Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Konfiskimi i RTV ORA, një televizion më pak në peizazhin mediatik shqiptar

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi konfiskimin e 26 pasurive të Ylli Ndroqit mes të cilave dhe televizionet RTV Ora dhe Channel One.

Në vendimin e GJKKO-së thuhet se është pranuar kërkesa SPAL e datës tre gusht 2020  me bazën ligjore “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Këto pasuri do t’i kalojnë në pronësi shtetit shqiptar. Ora News bashkë me pasuri të tjera kanë qenë të sekuestruara prej gushtit të vitit 2020, kur SPAK deklaroi përfshirjen e Ndroqit në aktivitete kriminale.

Ylli Ndroqi është i njohur nga policia me emrin Xhemail Pasmaçiu, ndërsa ka qenë i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vitin 1998 në Turqi dhe në 2015 në Itali.

Në prill 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Ndroqin bashkë me ish-deputetin Aqif Rakipi “non-grata’ pasi akuzohen si persona që kërcënojnë stabilitetin e Shqipërisë përmes korrupsionit dhe aktivitetit kriminal.

maj të vitit 2020 televizioni Ora News u gjobit dy herë me rreth 8,000 euro për shkak se drejtuesit e emisioneve shkelën rregullat e distancimit social duke ftuar tre persona në bisedë.

“Një media më pak në peizazhin shqiptar” 

Brahim Shima, Drejtori i Informacionit pranë RTV Ora e konsideroi mbylljen e televizionit si politike: “Mbyllet RTV ORA sepse është kritike e nuk pranon kronikat e gatshme. Edhe deklaratat që media bën shantazhe sa herë është kritike shpresoj që të mos vijojnë. E gjitha nisi me RENEA-n sikur ishim kriminelë dhe përfundoi sot, që për mua është e gjitha politike”.

Për Koloreto Cukalin, drejtues i Këshillit të Medias mbyllja e një televizioni në Shqipëri është një lajm i keq.

“Lajmi nuk është i mirë sepse panorama mediatike është shumë e varfër. Ne kemi një sasi shumë të madhe mediash ku pjesa më e madhe funksionojnë si zgjatues të propagandës dhe si altoparlantë shtesë. Pra kemi pak zëra kundër dhe shumë pak zëra alternativë ndaj qeverisë. Kështu që në momentin që humbet një zë i tillë është një humbje madhe për të gjithë panoramën mediatike shqiptare”-tha Koloreto Cukali.

Sipas Cukalit, kalimi në pronësi te shteti shqiptar do ta çojë drejt fundit televizionin.

“Shpresa që Ora News tani nën menaxhimin shtetëror do të menaxhohet mire është një shpresë e gënjeshtërt dhe de facto do të shohim degradimin, zvogëlimin, humbjen e audiencës edhe për shkak të keqmenaxhimit. Edhe sikur të mos kemi ndërhyrje nga ana e menaxhuesve shtetërorë në linjën editoriale, por keqmenaxhimi do ta shkatërrojë këtë television”,-argumenton Koloreto Cukali.

Ai theksoi se trajtimi i medias vetëm si një pronë nuk i shërben gazetarëve qe punojnë në këtë media dhe as audiencës që i ndjek.

“Një media nuk është vetëm aparaturat, kamerat, makinat, ndërtesa, çezmat apo banjat, apo kompjuterët. Nuk janë vetëm kamerat, por janë edhe gazetarët, janë edhe emrat, janë edhe fytyrat e atyre që bëjnë lajmet e televizionit. Dhe përveç kësaj pjesë e televizionit është edhe audienca e tij, sepse një televizion pa audiencë nuk është më televizion. Edhe audienca është pjesë e këtij institucioni”,-u shpreh Cukali.

Ai përfundon se nëse përkufizimi i gjykatës për median do ishte ndryshe nga vetëm pronësia, edhe vendimi për sekuestrimin do të kishte qenë tjetër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *