Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ku shkojnë paratë e universiteteve? Miliona për sigurinë e godinave, 0.38% për kërkim shkencor

Për të tretin vit radhazi, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar zero lekë për kërkimin shkencor. Ndërsa katër universitete të tjera në Shqipëri kanë shpenzuar më pak se 16 mijë euro në këtë drejtim.

Këto gjetje janë publikuar sot nga organizata “Qëndresa Qytetare” në monitorimin e përvitshëm të shpenzimeve të universiteteve publike në Shqipëri.

Sipas monitorimit, universitetet publike kanë shpenzuar 33.2 milionë euro në vitin akademik 2021-2022, pa përfshirë pagat e pedagogëve.

Nga këto gjashtë universitete, shpenzimet më të mëdha i ka Universiteti Politeknik i Tiranës me rreth 8.7 milion euro, ndërsa më pak ka shpenzuar universiteti i Korçës (3.2 milion euro).

Karakteristikë e gjetjeve të këtij viti mbeten sërish shpenzimet e kryera nga universitetet për të ruajtur dhe mirëmbajtur godinat. Raporti thekson se Universiteti i Tiranës paguan 16 herë më shumë për rojet e godinës se sa paguan universiteti privat më i madh në vend.

Një tjetër tipar i shpenzimeve ishte teprimi në blerjen e letrave A4 dhe printimeve. Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 84 mijë euro për letra A4, 100 mijë euro për bojëra printer e 70 mijë euro për printim të kartonëve të diplomave. I ndjekur nga Universiteti Politeknik i Tiranës me 61 mijë euro për bojëra printeri dhe 44 mijë euro për letra A4 dhe Universiteti i Durrësit me 39 mijë euro për printime.

“Universitetet, mungesë transparence për shpenzimet dhe ndarjen e fondeve” 

Në një hapësirë të përbashkët, Qëndresa Qytetare ndau gjetjet e monitorimit, ndërsa të pranishëm për t’i diskutuar ato ishin edhe pedagogë dhe studentë të universiteteve në Tiranë.

Jonida Smaja, përfaqësuese e fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë, u shpreh se publikimi i përvitshëm i këtij monitorimi i shërben të gjithë strukturave që kanë interes për edukimin universitar.

“Është një raport i cili i nevojitet shoqërisë civile, i nevojitet sindikatave në mënyrë që të kemi një shtresë të mirë me fakte dhe të dhëna për të ngritur zërin e tyre jo vetëm për punonjësit në sistemin arsimor, por edhe për komunitetin më gjerë. Është sigurisht shumë i rëndësishëm për median sepse është një nga format më të rëndësishme të informimit dhe të formimit të opinionit publik dhe jo vetëm, por edhe të institucioneve ndërkombëtare siç është edhe fondacioni FES”,-tha Smaja.

Gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, Migen Qiraxhi përfaqësues i “Qëndresës Qytetare” theksoi se problematikë e theksuar mbetet mungesa e transparencës së universiteteve në menaxhimin e fondeve.

“Nëse ne kemi këtë sjellje të universiteteve që nuk bëjnë transparente financat e tyre i kanë hequr praktikisht armën më të fortë komuniteteve që janë të lidhura me këto institucione të zhvillojnë luftën e tyre kundër korrupsionit”,-tha Qiraxhi.

Sipas tij mungesa e transparencës merr peng demokracinë brenda universitetit.

Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare

“Marrja peng e transparencës merr peng demokracinë brenda një universiteti… u kalon vendimmarrjen për financat e universitetit vetëm në dorën e 5 vetave që janë anëtarë bordi. Respektivisht në Universitetin e Tiranës janë 5 veta që në mungesë të transparencës marrin vendimet për 800 pedagogë dhe një komunitet prej 40.000 studentësh”.

Pedagogët pjesëmarrës vunë theksin te nevoja për kërkim shkencor e njëkohësisht tek vështirësitë me të cilat përballen në këtë fushë.

“Unë ndihem keq që në Universitetin e Tiranës kërkimi shkencor për këtë vit ishte zero. Këtu në fakt gishtin dua ta drejtoj edhe nga vetja sepse ata që bëjnë kërkim shkencor janë vetë profesorët dhe sa profesorët kanë marrë iniciativën dhe kanë propozuar ndonjëherë ndonjë projekt, i cili të na çonte në një produkt shkencor dhe më pas të themi nëse i kanë miratuar senatet apo drejtuesit”,- u shpreh Enkeleda Olldashi, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë.

Enkeleda Olldashi, pedagoge

Sipas saj vlera financiare e ofruar për produkte kërkimore është e pamjaftueshme.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit të Lartë, Sandër Kovaçi theksoi se edhe gjatë protestës së zhvilluar së fundmi, kanë kërkuar transparencë në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2018.

Shqetësimi kryesor është abuzimi, pra që kjo shpërndarje ka qenë mbi baza të konkurrencës apo kanë qenë në persona të cilët kanë pasur lidhje me vendimmarrjen apo me bordet apo drejtuesit akademikë të universiteteve. Në këtë situatë ne kemi kërkuar që ajo transparencë të kërkohet me detaje. Mundësisht edhe në target grupe se kush është paguar dhe sa. Se jepet në total,por nuk jepen këto detajet. Ne kemi kërkuar rritjen e transparencës dhe publikimin çdo tre muaj të këtyre shpenzimeve”,– u shpreh Kovaçi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *