Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Eksodi i mjekëve”, pasiguri dhe pagat e ulëta përballë paralajmërimit për “mbajtjen peng” të diplomës

Rei Haluli është student në vitin e tretë për Mjekësi të Përgjithshme dhe dëshiron që qëndrojë në Shqipëri dhe të mos largohet drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të Europës.

Dëshira ime është të punoj në Shqipëri, pranë familjes time dhe të afërmve të mi”, tha Rei për Citizens Channel.

Por përpos dëshirës që ka, ai shprehet se rrethanat ja pamundësojnë këtë, pasi “pagat dhe kushtet e punës në Shqipëri nuk janë ato që një mjek meriton dhe nuk janë konkurruese as me rajonin e jo me me vendet e BE”.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, ndërsa vitet e fundit më shumë se 1500 mjekë dhe infermierë kanë lënë vendin.

Qeveria paralajmëron të mbajë “peng” diplomat e mjekëve

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me rektorët e universiteteve në muajin tetor u shpreh se “diploma e mjekëve nuk do të jepet direkt sapo të mbarojnë shkollën”.

Si një përgjigje ndaj largimit të studentëve të sapodiplomuar dhe mjekëve drejt vendeve të Europës, kryeministri u shpreh se “kjo nuk mund të vazhdojë më”.

Ne nuk mundet dot të furnizojmë me mjek Gjermaninë. Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani kur thonin filmat, edhe na i merr”, tha Rama.

Kryeministri e ripërsëriti para 6 ditësh këtë deklaratë duke u shprehur se “me shumë gjasa kështu do ndodhi”, pasi u pyet nga një studente nëse ishte e vërtetë që diplomat e tyre do mbahen për tre vite.

Studenti Rei Haluli nuk bie dakord me propozimin e qeverisë. Ai shprehet se deklarata e kryeministrit Edi Rama i duket e pamundur për studentet të cilët kanë filluar studimet për “Mjekësi të Përgjithshme”. 

“Ne kemi firmosur një deklaratë studenti ku në asnjë pikë nuk na cilësohej një kusht i tillë, pra detyrimi 3 vjeçar për të marrë diplomën, kështu që ne nuk mund të detyrohemi për diçka që s’kemi pranuar dhe as firmosur”, tha Haluli për Citizens Channel.

Sipas tij kjo do të shtyjë edhe më shumë drejt boshatisjes së universitetit sepse “studentët nuk mund të mbahen peng”. 

Rei Haluli, student viti i tretë për “Mjekësi të Përgjithshme”

Justina Sinani është studente në vitin e pestë për Mjekësi e Përgjithshme, dhe ende nuk e ka vendosur se çfarë do të bëjë pas përfundimit të studimeve. 

Por me gjendjen dhe kushtet që janë, nuk është se nuk e kam menduar dhe të largohem jashtë shtetit për të vazhduar specializimin”, tha ajo. Ajo nuk e eleminon mundësinë e të qëndruarit në Shqipëri. 

Justina Sinani, studente Mjekësi e Përgjithshme

Por nëse do ketë përmirësim të gjendjes së sistemit shëndetësor, patjetër që do qëndroj në Shqipëri të jap kontributin tim”, u shpreh Justina.

Edhe ajo shprehet kundër paralajmërimit të qeverisë për bllokimine diplomave të mjekëve. Besoj do ketë një impakt negativ dhe tek brezat e rinj që duan të vazhdojnë mjeksinë”, thotë ajo

Rigels Xhemollari përfaqësues i Qëndresës Qytetare u shpreh se nëse kjo nismë e qeverisë aplikohet është penalizuese për studentët e vitit të parë sepse ata e kanë firmosur një marrëveshje me universitetin.

Qeveria mund ta bëjë këtë vetëm me ata që aplikojnë për herë të parë dhe informohen mbi këtë gjë”, u shpreh Xhemollari për Citizens Channel.

Ndërsa mjeku Ilir Allkja e konsideron deklaratën e kryeministrit si kontradiktore. 

Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare

Nga njëra anë thotë  se Shqipëria  nuk ka nevojë  për  mjekë, madje ka mjekë në listë  pritje,  nga ana tjetër  deklaron  se do mbajë peng  diplomat e mjekëve të rinj”, tha ai për Citizens Channel. Sipas tij mjekët nuk mund të mbahen në vend duke i mbajtur peng diplomën.

“Diploma  është  frut i  studimeve 6-vjeçare dhe është  e drejtë e ligjshme  e studentit  ta gëzojë”, u shpreh Allkja. 

Kushtet e punës dhe pagat e ulëta largojnë mjekët dhe studentët

Kushtet e punës, pagat e ulëta dhe mënyra se si trajtohen mjekët, janë arsyet që i shtyjnë bluzat e bardha të largohen.

Nëse mjekët do paguhen 50 000 mijë lekë sigurisht që të rinjtë do largohen që në studime dhe do t’i nisin direkt studimet jashtë”, tha Xhemollari.

Erion Dasho punon prej 10 vitesh jashtë Shqipërisë si mjek. Kuhstet e punës dhe mungesa e sigurisë e kanë bërë atë të largohet , edhe pse kjo nuk ka qenë dëshira e tij.

“Infrastruktura, koncepti si janë ndërtuar spitalet është ai i kohës së regjimit komunist, ndërsa sot nevojitet një tjetër infrastrukturë dhe këtu fillon gjithçka”, shprehet mjeku. 

Ai shton se sistemit shëndetësor në Shqipëri i mungojnë medikamente si dhe pajisje që i vështirësojnë mjekëve punën. 

Erion Dasho, mjek

Mënyra se si sistemi shëndetësor është organizuar në Shqipëri është me mangësi dhe i rrëmujshëm ende ka reminishenca të sisemit të vjetër, ka një centralizim të vendimmarjes dhe nuk ka një sistem pagesash që të jetë bashkëkohor”, tha për Citizens Channel Dasho.

Një raport i Qëndresës Qytetare  zbuloi se në vitin 2016 vetëm 67 infermierë ishin pajisur me dokumentacion për t’u larguar ndërsa në 2021, 1073 infermierë. Një anketim i Qëndresës Qytatare tregoi se 52% e studentëve ishin të kënaqur me cilësinë e studimeve që po ndjekin. Por, të pyetur për të ardhmen e tyre, vetëm 14.5% e të anketuarve e shikonin të ardhmen në Shqipëri. Në lidhje me arsyet e largimit, studentët pohojnë se një nga motivet që i shtyn të zhvendosen janë financat, cilësia e jetesës dhe kushtet më të mira të punës. 

Studentja Justina Sinani shprehet se kushtet janë arsyeja kryesore e largimit të bluzave të bardha. Pasuar kjo dhe nga pjesa e pagave si arsye dytësore”, shton ajo.

Mjeku Allkja deklaron se qeveria nuk ka bërë përpjekje që të kthejë mjekët në vend si dhe të ndalojë të tjerët të ikin.

Ilir Allkja, mjek

“Fshatra dhe zona të tëra janë braktisur, për arsye se në këto nuk kishte mjekë, infermierë, mësues. A e llogaritni dot sa kohë do duhet që këto fshatra e qyteza të ripopullohen”, shprehet Allkja.

Sipas një ankete të Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike, gati 92% e studentëve të Mjekësisë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi. 

Të dhënat e Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë tregojnë se nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë – 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë. 

Numri i mjekëve për banor në Europë/ Burimi: OBSH

Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit në 2020, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë. Shqipëria ka 1.2 mjekë për 1000 banorë.

Sipas ligjit, duhet të ketë një mjek për 1500 banorë në zonat  malore,  1700 në zonat kodrinore,  2000 në qytet. 

Në një hartë të publikuar në 2020 nga OBSH, Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë.

Numri i mjekëve për banor në Shqipëri/ Burimi: OBSH

Mjeku Ilir Allkja tregon se kushtet e spitaleve shtetërore ku ai punon janë më të kqijat në Ballkan.

Diku mungon uji, sapuni , diku mungon alkooli, dorezat, barnat bazë  e lëre pastaj  për më shumë”, shton Allkja. Për të aryseja kryesore  e listuar  nga mjekët  që lënë Shqipërinë është  pasiguria  për jetën dhe për punën. Karriera  e dominuar  nga politika  e jo nga meritat dhe aftësitë, më pas vjen paga”, tha ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *