Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Në çdo tavolinë flitet për Skavicën”; Dibranët kundër hidrocentralit

Dhjetëra burra u mblodhën në lokalin e lagjes në fshatin Muhurr për të diskutuar projektin e Skavicës. Para se të niste takimi formal, nëpër tavolina dëgjoheshin biseda të zëshme, që shprehnin pakënaqësi ndaj këtij hidrocentrali.

Asht sikur i vë një bombë atomike Dibrës, ta shkatërrojsh”, – thotë Ismail Farruku, një prej të pranishmëve në takimin e datë 17 tetor. Fjalën e pason një tjetër i moshuar, i cili thotë se Skavica e zhduk plotësisht Dibrën.

Se mbrojmë tokën tonë, mbrojmë veten tonë, të drejtat tona. Dhe prandaj unë jam për jo dhe jo”, – shprehet ai, duke iu drejtuar burrave të pranishëm.

Diskutimi vijon për afro një orë, ku burra të ndryshëm marrin fjalën. “Populli i Dibrës është këtu, ne jemi këtu, brezat tanë do të jenë këtu dhe Skavica nuk do të bëhet”, – vijon një tjetër pjesëmarrës, fjali e cili pritet me duartrokitje.

Ky takim u  ndërmor nga organizata “North Green Association” të cilët po zhvillojnë takime të ngjashme në fshatra të ndryshëm të Dibrës për t’i pyetur dibranët se çfarë qëndrimesh mbajnë rreth hidrocentralit të Skavicës.

Takim në fshatin Muhurr, Dibër

Majlinda Hoxha nga organizata “North Green Association” pohon se kanë zhvilluar takime të tilla me të gjithë fshatrat e Dibrës që preken nga kuota e digës 443 metra mbi nivelin e detit. Ndonëse ende nuk është vendosur lartësia e digës dhe kuota mbi nivelin e detit, në media dhe deklarata publike lakohen tre alternativa: (1) 388 metra mbi nivelin e detit, (2) 443 metra mbi nivelin e detit dhe (3) 485 metra mbi nivelin e detit.

Hoxha shprehet se nga kontakti i deritanishëm me banorët, pjesa dërrmuese e dibranëve pohojnë se nuk e dëshirojnë këtë hidrocentral.

Nëse do të jetoje këtu, do t’i shikoje që në çdo tavolinë përmendet fjala Skavicë dhe në çdo familje ka frikë për atë çfarë do të ndodhë të në të ardhmen e afërt”, – thotë Majlinda Hoxha për Citizens Channel.

Dibranët nuk e këmbejnë vendlindjen

Elez Lleshi, i pranishëm në takimin në fshatin Muhurr, thotë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë një jetë të kënaqshme në Dibër. “Mu këtu më bahet mirë”, – pohon ai për Citizens Channel, teksa shprehet se ka refuzuar me vetëdije jetesën në Tiranë,

Këtu kënaqem me bashkëfshatarët e mi, jo në Tiranë ku s’të thotë kush mirëmëngjesi dhe mirëmbrëma. S’të njeh kush”.

Elezi nuk e koncepton që pasardhësit e tij ta gjejnë Dibrën nën ujë. “Tashi, të vij unë me fëmijët, me brezat e ardhshëm me anije dhe t’u them këtu poshtë kam pasur shpinë… ça do të kuptojnë fëmijët e mi aty?”, – ngre pyetjen e ai.

Mehmet Mikli, një tjetër dibran, ndan të njëjtin shqetësim. Ai, së bashku me gjithë familjen e tij, ndjek hap pas hapi zhvillimet dhe deklaratat rreth hidrocentralit të Skavicës mbi lumin e Drinit të Zi. Mehmeti jeton në fshatin Muhurr, ndërsa fëmijët e tij kanë emigruar.

Familjen e kam në Itali. Çunin e madh kam 40 vjeç, të dytin 37, më thonë: ‘Babi jo Skavicës, babi të na marrësh në telefon gjithçka që të ndodhë për Skavicën edhe kundër Skavicës’”, – shprehet Mikli.

Mehmeti thotë se do të jepte çdo gjë që zotëron, vetëm që ky hidrocentral të mos ndërtohej. “Kam një shtëpi me 250 metra katror. I fal këto, Skavica mos të bëhet”.

Banorët e Katundit të Ri kundër Skavicës

Në po të njëjtën ditë, organizata “North Green Association” zhvilloi një tjetër takim në fshatin Katund i Ri. Ashtu si në Muhurr, sërisht banorët shfaqën kundërshti ndaj hidrocentralit të Skavicës.

Takim në fshatin Katund i Ri

Ma të mrekullueshme se kjo zonë nuk ka”, – thotë Hashim Damzi duke iu referuar fshatit Katund i Ri, që sipas tij, është harruar nga institucionet. “Ky është fshat turistik, por nuk ka investime”, – tregon Hashimi.

I ati i Hashim Damzës, Fiqiriu, po ashtu është bashkuar kundër hidrocentralit të Skavicës. Ai më herët, në vitin 1967 ka punuar si brigadier punëtorësh gjatë ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Ai e kujton atë periudhë si të vështirë, pasi dëshmoi shpërnguljen e shumë familjeve; ngjarje që pas 50 vitesh, “po i vjen në prag të derës”. Në atë periudhë, thotë Fiqiri Damzi, familjet u lajmëruan dy vjet më parë dhe morën një kompensim minimal.

Shkoja unë me punëtorë, ta hapim rrugën për të shku atje te diga. Nuk dilshin fëmijët nga shtëpia, i nxjerrshim me zor fëmijët nga shpia. Mund të jenë prish afërsisht 200 shpi”, – rrëfen për Citizens Channel i moshuari Fiqiri Damzi.

Duke iu kthyer situatës aktuale, ai pohon së dëmi i Skavicës është shumë më i madh. “Këtu tashi edhe ma keq, se këtu prishin edhe ma shumë toka, edhe ma tepër popullsi”.

Bashkëshortja e Fiqiriut, Hane Damzi, tregon se toka është e begatë dhe se marrin prodhime të shumta. “Këtu bahet çdo gja bahet, me molla, me dardha, me rrush, me groshë, me misër. Ku të shkojmë të lajmë gjithë këtë tokë?”.

Hane dhe Fiqiri Damzi, banorë të fsahtit Katund i Ri, Dibër

KESH dhe Bechtel, takim me banorët e Dibrës

Banorët e fshatit Muhurr dhe Katund i Ri u shprehën se përfaqësues të firmës amerikane Bechtel dhe të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) kanë zhvilluar disa takime me komunitetin.

Ismail Farruku nga Muhurri ishte pjesë e këtij takimi. “Na pyesnin ça kërkoni ju. Qysh kërkojmë na? Na kërkojmë mos të bahet Skavica”, – pohon Farruku.

Shalqi Manuka, një tjetër banor nga Katundi i Ri, tha për Citizens Channel se ka marrë pjesë në takimet e zhvilluara nga KESH dhe Bechtel, por nuk morën asnjë përgjigje konkrete rreth të ardhmes së tyre në Dibër.

Pyetëm po nuk dinin gjë edhe ata. Ne kemi ardh thjeshtë për sqarime thanë. Deri në fund të majit 2023 nuk japim asnjë lloj përgjigje, thanë”.

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion KESH rreth takimeve që po zhvillohen me banorët. Në përgjigjen zyrtare, KESH pohoi se kompania amerikane Bechtel po kryen studimin e fizibilitetit që konsiston në vlerësimet inxhinierike, prodhuese, ekonomike e financiare, mjedisore e sociale.

Pra, takimet e nisura ne muajin tetor në zonën e Dibrës janë në kuadër të grumbullimit të informacionit që i shërben vlerësimit të gjendjes ekzistuese sociale”, – shkruhet në përgjigjen zyrtare. Deri në datë 25 tetor, sipas KESH, janë zhvilluar tetë takime, me 200 pjesëmarrës.

Këto takime do të vijojnë edhe gjatë këtij muaji dhe “parashikohen të prekin rreth 22 fshatra”.

Informacioni mbledhur përmes këtyre takimeve do të shërbejë si bazë për hartimin e komponentit social të draft-raportit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor e Social (VNSM). Lajmërimi për këto takime është bërë përmes kryepleqve të fshatit dhe kategorizohen si fokus-grupe.

Pasi të përpilohet draft-raporti i VNSM-së, do të zhvillohen dëgjesa publike me komunitetit dibran, shpjegohen në përgjigjen e KESH. Ky draft-raport po hartohet nga kompania “Golder” dhe “GR Albania”.

Euronatur: Hidrocentralet e mëdha çlirojnë gaz metan, të dëmshme për mjedisin

Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, hidrocentrali i Skavicës do të rrisë sigurinë e digave të hidrocentraleve ekzistuese dhe do të rrisë kapacitetin menaxhues të rezervës hidrike në kaskadën e lumit Drin.

Objektivat e projektit lidhen me rritjen e kapacitetit gjenerues të energjisë, rritjen e pavarësisë ndaj importeve”, – thuhet më tej në përgjigjen e KESH.

Sipas deklaratave të mëhershme të qeverisë shqiptare, hidrocentrali i Skavicës do të shtojë me 20% prodhimin e energjisë në vend dhe do ta bëjë Shqipërinë një vend lider në eksportin e energjisë elektrike në rajon.

Sipas Gabriel Schwaderer, dejtorit ekzekutiv të organizatës mjedisore gjermane Euronatur, varësia e plotë e Shqipërisë nga hidrocentralet në prodhim energjie, është një “vendim i papërgjegjshëm” në kushtet e ndryshimeve klimatike.

Shqipëria tashmë është përballur disa herë – edhe tani – me mungesë uji. Nëse nuk ka ujë në Drin, për shkak të mungesës së reshjeve, një digë shtesë nuk do të ndihmonte”, – shpjegon ai për Citizens Channel.

Krijimi i një liqeni të madh artificial si në rastin e Skavicës, do të sillte shumë dëme ne biodiversitet si pasojë e ndërprerjes së rrjedhës së ujit, sqaron Gabriel Schwaderer.

Sipërfaqja e madhe ujore, në varësi të vendndodhjes, rrit numrin e ditëve me mjegull. Ka prova që liqenet e mëdha artificiale emetojnë gazin metan. Metani është 25 herë më i dëmshëm sesa dioksidi i karbonit”, – përfundon Schwaderer.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *