Ilustrim grafik: Elsa Paja

Citizens Channel prezantoi sot raportin “Hartëzimi i lajmeve lokale”, një monitorim i tre mediave kombëtare: Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, me qëllimin e të kuptuarit të raportimit mediatik rreth lokalalitetit, krahas hapësirës mediatike që u jepet institucioneve dhe kryeqytetit. Studimi u realizua me mbështetjen e fondacionit “ Friedrich-Ebert-Stiftung” në Tiranë.

Përmes një metodologjie të hartuar nga studiuesi i medias, Emiljano Kaziaj, u vëzhguan në bazë ditore edicionet qendrore të tre televizioneve kombëtare me synimin për t’ju  dhënë përgjigje pyetjeve që lidhen me temat më të shpeshta të mbuluara për lokalitetin krahas kryeqytetit dhe institucioneve, cilësia e lajmeve lokale në televizionet kombëtare si dhe mungesa e përfaqësisë së shumë qyteteve në këto media. Sipas metodologjisë së ndjekur, lajmet nga Bashkia Tirana janë kategorizuar si lokale.

Të dhënat e nxjerra nga studimi

Lokaliteti përtej Tiranës dhe Tirana: Sipas të dhënave nga monitorimi, rezulton që nga 3078 lajme të monitoruara, 2158 lajme (70%) i përkasin institucioneve qendrore të raportuara nga Tirana dhe vetëm 920 lajme (30%) i përkasin çështjeve lokale.

Nga 920 lajme lokale për gjithë Shqipërinë, 349 lajme apo 40% i përkasin vetëm Tiranës.

Qytete ku nuk ndodh asgjë: Nga të dhënat e monitorimit, rezulton që në tre muaj, nuk ka asnjë lajm për Mallakastrën, Kolonjën, Kuçovën, Matin, Librazhdin dhe Skraparin. Qytete më të mëdha si Vlora, Shkodra dhe Durrësi kanë një mbulim mediatik shumë më të vogël, ndërkohë që kryeqyteti ka mbulim mbizotërues.

Tirana si një realitet i fabrikuar: Lajmet nga Bashkia Tiranë janë më shumë se totali i lajmeve të prodhuara nga: Saranda, Kavaja, Kukësi, Dibra, Lushnja, Pogradeci, Kruja, Mirdita, Gjirokastra, Malësi e Madhe, Berat dhe Tropojë, të gjitha të marra së bashku, për një periudhë 3-mujore. Shumë prej materialeve të transmetuara në televizionet kombëtare të marra në studim kanë të njëjtat pamje, të njëjtët tituj dhe të njëjtin tekst.

Jashtë Tiranës ka dhunë, viktima dhe aksidente: Të dhënat e këtij monitorimi tregojnë se 46% e lajmeve me karakter lokal raportojnë mbi dhunën, aksidentet dhe viktimat.

Ekonomi, natyrë/mjedis, edukim: Lajmet lokale me tematika të rëndësishme si: Ekonomi, Natyrë/Mjedis apo Edukim zënë përkatësisht 4%, 3,4% dhe 1,5% të totalit të lajmeve.

Rajoni dhe bota: Studimi i kryer për një periudhë tre-mujore tregon se në tre televizionet kombëtare janë transmetuar 588 lajme nga rajoni dhe bota, 17 lajme më shumë nga rajoni dhe bota sesa nga gjithë Shqipëria, jashtë Tiranës.

Nuk ka komunitete, ka vetëm individë: Monitorimi tregon se shumica e lajmeve mbi aksidentet rrugore, rasteve të krimit dhe dhunës apo daljet e politikanëve lokalë në media, me karakter lokal, nuk fokusohen tek ngjarje apo tematika që prekin të gjithë komunitetin nga ku po raportohet ngjarja, por fokusohen tek individë të caktuar.

Shumë pak korrespondentë, pak ekspertë, pak vox-pop dhe shumë politikanë: Monitorimi i kryer për periudhën 3-mujore në tre televizionet kombëtare tregon se vetëm 52,1% (ose gjysma) e lajmeve lokale raportohen nga korrespondentë në terren; në 18% të rasteve në lajmet me karakter lokal citohen politikanë. Vetëm 15,5% e lajmeve lokale citojnë një ekspert nga zona ku po raportohet.

Lexo studimin e plotë këtu.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu