Çdo ditë të vitit mes vapës e shiut, librashitësit e rrugës bëjnë “panairin e tyre” të vogël të librit. Tek ata mund të gjesh libra të përdorur dhe të rinj me çmime të ulëta duke nisur nga 100 lekë.
Malko Zaçe e ushtron këtë profesion prej 20 vitesh dhe nuk ka menduar asnjëherë që ta ndryshojë pavarësisht vështirësive që ka.

“Asnjëherë s’e kam menduar, sepse unë librin e kam pasion, unë mund të shisja dhe patate po nuk e bëj se nuk shkëputëm dot nga libri”, rrëfen Zaçe, teksa tregon librat që mban në një hyrje të vogël në rrugën “Jordan Misja”.

“Në fillim kam shitur tek Pazari i Ri, po na spostuan këtu, edhe pak edhe kush e di ku do na çojnë”, thotë ai teksa shton se paguan qira për godinën e vogël ku mban librat.
Fillimisht e ka nisur profesionin me librat që ka pasur në bibliotekën personale. “Pastaj fillova të mbledh tek familjet e tjera, ose mi sjellin ata vetë, kur nuk i duan më dhe unë i shes këtu me çmim shumë të lirë”, tregon Zaçe. Ai ka shkruar dhe një libër të cilin na e tregon.

Gjatë këtyre viteve ai ka shfletuar shumë libra duke pritur në rrugë që të shesë ndonjë, pjesën më të madhe të librave që shet ai thotë se i ka lexuar.
“Por kam lexuar dhe libra të njerëzve të thjeshtë sepse ata kanë në vetvete gjëra që ne nuk i gjejmë as tek autorët e mëdhenj. Ja para pak kohësh lexova një mësues nga Përmeti”, tregon Zaçe.

Teksa e pyesim nëse do kishte dashur të kishte një stendë në panairin e librit ai shprehet se “është shumë shtrenjtë, nuk e përballoj dot”, por shton se aty libri është kthyer në biznes dhe kjo gjë e mërzit.

Pak metra më tej qëndron një tjetër librashitës, i cili po ashtu ushtron këtë profesion prej 20 vitesh.

“Unë nuk bëj asnjë punë tjetër veç kësaj, i vetmi problem që kam pasur është që më ka ardhur bashkia e më ka shtyrë sa në një rrugë në tjetrën”, tregon ai.
“Kam një faqe në internet i shes aty dhe ka shumë interes”, rrëfen librashitësi.

Tek kryqëzimi i rrugës Sami Frashëri gjetëm një librashitëse, Koleta Hajdari, e cila e ka nisur para dy vitesh këtë profesion.

“Jam shumë e lumtur me punën time të re, më përpara punoja në fabrikë këpucësh, një punë shumë e rëndë”, tregon Hajdari.

Ajo shprehet se puna e re i ka shtuar dhe dëshirën për librin. “Më përpara nuk lexoja shumë se nuk kisha as kohë, por tani jam më e lirë dhe këtu kur pres lexoj, kam krijuar dhe një bibliotekë në shtëpi sëbashku me bashkëshortin tim”, i tha Citizens Channel Koleta.

Përpos pasionit që ajo ka për punën e saj shprehet se ka shumë vështirësi, sidomos në ditët me shi.
“Kur bie shi nuk shesim dot, kemi këto plasmaset që i përdorim, por na lodhin”, shprehet ajo.

Në zonën e njohur si “Ura e Bllokut” takohemi me një tjetër çift librashitësish.

“Kam shumë vite që e bëj këtë profesion”, thotë ai dhe na tregon librat që shet, të cilët i mbledh nga librari private. “Çmimet i kemi më të lira se në panair”, përmbyll ai.
