Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat mjedisore dërgojnë në gjykatë aeroportin e Vlorës

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqëria Ornitologjike Shqiptare (AOS) kanë paditur në Gjykatën Administrative institucionet qeveritare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Të mbështetura edhe nga organizatat ndërkombëtare EuroNatur dhe komuniteti shkencor ndërkombëtar, organizatat mjedisore e kanë konsideruar të paligjshëm ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke prekur një prej rrugëve më të rëndësishme të shtegtimit të shpendëve.

“Ky ndërtim i paligjshëm ndodh në një ndër ligatinat më të rëndësishme dhe me biodiversitet të lartë të vendit, si dhe përgjatë korridorit të Adriatikut, një prej rrugëve më të rëndësishme për shtegtimin shpendëve. Institucionet shqiptare po shkelin ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare, duke anashkaluar procedurat dhe duke hedhur poshtë vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare”,-thuhet në deklaratën e organizatave mjedisore.

Projekti për ndërtimin e aeroportit ka hasur në kundërshti që prej fillimit nga organizatat mjedisore, pasi zona e mbrojtur Vjosë-Nartë ku aeroporti do të ndërtohet, sipas aktivistëve mjedisorë strehon mbi 10 mijë shpendë, të cilët krijojnë folezimet e tyre. Ky ndërtim do të sjellë sipas tyre pasoja për habitatet e shpendëve deri në zhdukje.

“Pala paditëse është e përgatitur të ndërmarrë një betejë ligjore në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor deri në Gjykatën e Lartë, duke synuar ruajtjen e tërësisë së ekosistemit ekologjik dhe duke u shprehur në emër të specieve të faunës dhe florës që jetojnë në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë”,-deklarojnë organizatat në njoftim.

Prej një viti, punimet për ndërtimin e aeroportit kanë filluar teksa kontrata koncensionare u nënshkrua në vitin 2021 mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe përfaqësues të kompanive Mabetex Group në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe dy kompanive turke YDA-Group dhe 2A Group.

Sipas organizatave paditëse në gjykatë, qeverisë shqiptare i janë dërguar thirrje të përsëritura për të revokuar ndërtimin e aeroportin. Megjithatë asnjë veprim nuk u ndërmosh nga qeveria.

“Duke ndërtuar një aeroport në një peizazh të mbrojtur, qeveria shqiptare po anashkalon sundimin e ligjit në dëm të natyrës dhe në favor të interesave të veçanta. Procese si ky duhet të frymëzojnë mosbesim në Bashkimit Evropian”, – shprehet në deklaratë Annette Spangenberg, drejtuese e Konservimit pranë EuroNatur.

Sipas Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA-s shqetësimet për ndërtimin e aeroportit janë ngritur që në bërjen publik të vendodhjes së projektit.

“Është e paimagjinueshme që një infrastrukturë kaq e madhe të ndërtohet brenda një zone të mbrojtur, qëllimi i së cilës është të ndalojë realisht projekte të tilla të ndodhin në atë vend. Nëse ky projekt ecën përpara me të gjitha parregullsitë që janë evidentuar nga një mori ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, atëherë i gjithë rrjeti i zonave të mbrojtura të Shqipërisë është nën kërcënim për të ardhmen”,-shprehet Aleksandër Trajçe.

Ndërsa kreu i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, Taulant Bino deklaroi se ndërtimi i aeroportit në një zonë të mbrojtur mund të cenojë integrimin evropian të vendit.

“Duket e paimagjinueshme që Shqipëria të njollosë kontributin e saj në trashëgiminë natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke ndërtuar një aeroport që shkatërron biodiversitetin e zonës së mbrojtur Vjose-Nartë dhe ligatina të tjera të rëndësishme të Adriatikut”-u shpreh Taulant Bino.

Hapësira ku po ndërtohet sot aeroporti gëzonte statusin e mbrojtur deri më 26 tetor 2022, kur me një vendim të Këshillit të Ministrave nuk e ka më këtë status edhe pse ndërtimi ka filluar një vit më herët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *