Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Korçë: Masat parandaluese nuk i ndalojnë të miturit të konsumojnë duhan

*Ky shkrim është realizuar nga Seni Cene, nxënës i klasës së XI-të B, shkolla “Themistokli Gërmenji” Korçë, pjesëmarrës në trajnimet e programit “Youth Reporting Albania”, një bashkëpunim i Citizens Channel me IREX Albania që nxit të rinjtë të raportojnë për problematika lokale të qyteteve të tyre.

“Duhani për mua është më i rëndësishëm edhe se ushqimi”,-shprehet I.L, një 16 vjeçar nga qyteti i Korçës, i cili paratë që i japin prindërit i shpenzon për të blerë duhan.

Sipas tij shkaqet që e shtyjnë drejt konsumit të duhanit janë problemet familjare.

“Kam nisur të konsumoj duhan që në moshën 12 vjeçare”, -shprehet ai gjatë intervistës. 16 vjeçari tregon se për herë të parë e ka provuar në ambientet e shkollës 9-vjeçare me miqtë e tij. Sipas tij nuk ka qenë aspak e vështirë sepse nuk ka pasur kontroll.

“E kemi pirë mbrapa oborrit të shkollës. Nuk kemi pasur frikë sepse mësuesit nuk ndodhen aty, ne e konsumojmë zakonisht te tualiteti i shkollës ose në ambiente afër shkollës”, –tregon i riu.

Në korrik të 2022, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi miratimin e vendimit për rritjen e numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla deri në 70. Përpara këtij vendimi, në shkolla ushtronin detyrën 150 oficerë sigurie.

Këta oficerë sipas vendimit nuk do të jenë më vetëm në shkollat e mesme, sikurse ndodhte në 2018, por edhe në shkollat 9-vjeçare, dhe prioritet kanë shkollat me numër të lartë nxënësish. Por përpos rritjes së numrit të oficerëve, shifrat tregojnë për një shtim të numrit të adoleshentëve që konusmojnë duhan.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), 6.4% e konsumatorëve të duhanit në moshat 13-15 vjeç janë djem dhe 2% janë vajza, ndërsa adoleshentët zgjedhin hapësira jashtë ambienteve të shkollës për të konsumuar duhanin.

Studimi i ISHP me temë “Sjelljet e shëndetshme tek fëmijët e moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç”, rekomandon që “profesionistët e shëndetit publik duhet të bëjnë një punë më të fokusuar drejt promocionit dhe promovimit të një stili jetese më të shëndetshëm për shoqërinë dhe adoleshentët në veçanti”.

Mbi arsyet që i shtyjnë të rinjtë drejt konsumit të duhanit, 16 vjeçari nga Korça shprehet se një nga arsyet kanë qenë problemet familjare.

“Prindërit e mi jane të divorcuar dhe kam shumë probleme dhe më duket sikur gjej qetësi tek konsumi i duhanit”, thotë ai teksa shton se një arsye tjetër është për tju bashkuar shoqërisë. “Dëshira për tju bashkuar shoqërisë është arsye gjithashtu, kur pinë të gjithë ti s’do që të të përjashtojnë”, -shprehet i riu.

Ai tregon se fenomeni është i përhapur tek bashkëmoshatarët e tij.

“Në klasën time të gjithë pothuajsë e konsumojnë duhanin duke përfshirë edhe vajzat, vetëm një grup i vogël janë që nuk e konsumojnë”,-shprehet adoleshenti.

Edhe pse e ka nisur konsumin e duhanit që në moshë të hershme, i riu shprehet se ka dëshirë ta ndalojë sepse ka nisur të ketë shqetësime shëndetësore.

“Tani jam 16 vjeç dhe ndonjë më të riu se vetja nuk do ia sugjeroja asnjëherë. Kam pasur probleme shëndetësore, por e kam të vështirë ta lë tani”, -shprehet ai.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, në tre vitet e fundit ka gjobitur 875 dyqane për shitjen e duhanit dhe alkoolit te të miturit.

*Shënim: Në shkrim janë përdorur inicialet, pasi i riu preferon të mbetet anonim 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *