Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: Dhuna dhe ngacmimet seksuale mbeten problematike pavarësisht denoncimeve në rritje

Një studim kombëtar për “Dhunën seksuale dhe ngacmimet seksuale” në Shqipëri, tregoi se mungesa e informacionit mbetet problematike, pavarësisht se numri i denoncimeve është rritur.

Konfuzioni mes termave, dhunë seksuale dhe ngacmim seksual është pjesë e problemit sipas autores Elona Dhëmbo.

Autoret e studimit Elona Dhëmbo dhe Veronika Duci gjatë prezantimit të studimit

“Mungesa e edukimit seksual”

Studimi i realizuar nga Albanian Women Empowerment Network (AWEN) tregon se mentaliteti patriarkal në familje ndikon tek mosraportimi i rasteve, pasi diskutimi për çështje të tilla konsiderohet “turp”.

Kur ishim në klasë të 8 – të që do na shpjegonte zysha se çfarë ishte dhuna seksuale ose seksi, zysha na ndante”, është shprehur njëra nga vajzat e intervistuara në studim.

Në studim theksohet se disa prej të intervistuarave janë shprehur se dhuna seksuale ndodh vetëm mes partnerëve, ndërsa ngacmimi seksual ndodh në rrugë.

Brenda institucioneve ka njerëz që e kanë për turp të flasin për këto – ndërkohë që ngacmimi në shkolla, në autobus, në mjedise publike bëjnë kërdinë”, ka thënë një nga të intervistuarat përfaqësuese e shoqërisë civile në Tiranë.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile çështja e ngacmimit seksual është ende e paqartë në Kodin Penal.

Tjetër gjetje e studimit është se shumica e rasteve të dhunës seksuale ndodhin nga familjarët e vajzave dhe rrethi i besimit.

Xhaxhai bënte gjeste me prekje, ka ndodhur diku e 3 herë. Ajo mendoi se ndoshta do të ndryshonte…por i ka treguar një familjar që i kishte parë babait të vajzës, që të mos e çojnë më gocën andej”, ka rrëfyer njëra nga të intervistuarat.

“Institucionet nuk i mbrojnë vajzat nga dhuna”

Viktima është ajo që i trembet stigmës dhe jo dhunuesi, tregon raporti, ndërsa mungesa e besueshmërisë tek institucionet mbetet barrierë.

Kam qenë dhe në polici, nuk është se ka ndonjë shërbim. Edhe atje kam pasur një ngacmim seksual nga një polic, më thoshte ‘Je shumë e bukur…a je ti këtu në telefon?”, ka treguar një nga viktimat.

Përpos mungesës së ndihmës nga institucionet, problem i përsëritur mbetet mungesa e sigurisë në shkolla. Studimi sjell në vëmendje rastet e abuzimeve seksuale në mjediset shkollore. 

Një prej vajzave të intervistuara ka treguar shembullin e një vajze të përdhunuar nga një punonjës ndihmës i shkollës, ndaj të cilit nuk u mor asnjë masë veç largimit nga puna, pasi vajza nuk e denoncoi. 

Gjatë prezantimit të studimit,  aktivistja Romina Sefa ngriti si shqetësim mungesën e  ndihamave për viktimat e dhunës.

A përfitojnë ato bonus qiraje, paketa ekonomike? Këto mendoj se janë çështje me rëndësi për tu advokuar”, u shpreh Sefa.

Mosha e vajzave të intervistuara në studim është nga 13 deri në 49 vjeç.  Si pjesë e rekomandimeve për të përmirësuar situatën, studimi përmend përmirësimin e kuadrit ligjor, edukimin e hershëm dhe gjithëpërfshirës, edukimin e prindërve, informimi, kthimi i besimit tek institucionet si dhe monitorim dhe raportim i vazhdueshëm.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *