Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ura e Zogut si “monumenti i heshtjes” së Ministrisë së Kulturës

Autore: Doriana Musaj*

Një tjetër këmbë e urës është fundosur, ndërsa e gjithë struktura ka pësuar dëmtime pas prurjeve të shtuara të lumit Mat për shkak të reshjeve të shumta të shiut të ditëve të fundit. Më herët, prurjet e shkarkimeve nga Hidrocentrali i Shkopetit, kishin fundosur një pjesë të strukturës së monumentit. Duket sikur kjo strukturë e ndërtuar në vitin 1927 po na tregon se nuk mund të presë më burokracitë dhe neglizhencën e institucioneve përgjegjëse të mbrojtjes së trashëgimisë, të cilat nuk kanë marrë asnjë masë për ta shpëtuar por janë të zënë në heshtjen që i ngarkon me faj.

“Heshtja është miratim”

Pavarësisht rëndësisë së trashëgimisë industriale dhe faktit që Ura e Zogut është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë me vendimin të Këshilli i Ministrave, nr.313 të datës 08.07.1999, ura nuk është mirëmbajtur dhe është në një gjendje të avancuar prishjeje. Struktura është në rrezik kolapsi total, për shkak të dëmtimit të shkaktuar në njërën prej këmbëve të saj. Gërryerjet e shtratit të lumit, nga kompanitë që marrin inerte për ndërtim si zall dhe rërë, shpesh në mënyrë të paligjshme, janë toleruar edhe kur janë identifikuar. Jo rrallë shfrytëzimi pa kriter ka sjellë dëme të pariparueshme për pasuritë kulturore dhe ato natyrore.

Keqshfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe rritja e industrisë së ndërtimit ka shumëfishuar shfrytëzimin e lumenjve, kodrave dhe pyjeve për material bazë. Në Fushë Krujë, Krujë, Berat, Tomorr, dhe kudo të lëvizësh nëpër Shqipëri, sheh kafshata dhe llokma të shqyera të maleve dhe kodrave, të cilat më shumë se sa kompani të licencuara dhe kontrolluara nga shteti, të ngjajnë me kusarë që vjedhin duke keqtrajtuar çfarë mbetet pas. Eskavatorët me kokë në lumë, si kuçedrat që duan të shuajnë etjen e parasë dhe pushtetit, kanë dëmtuar lumenj, brigje, pasuri natyrore dhe pasuri kulturore kudo kanë mundur, kudo institucionet kanë heshtur duke miratuar, gllabërimin, vjedhjen dhe shkatërrimin e pasurisë publike.

Historia

Foto historike nga Friedrich Walisch

Në vitet ‘20, nevoja për rrugë, si arteriet kryesore të qytetërimit ishte imediate. Qeveria e kohës, me ndihmën e kapitalit të huaj (borxhe publike) dhe atij vendas (investime private), në fillimet e themelimit të shtetit shqiptar, ndërtoi, jo pak vepra të mëdha, pjesa më e madhe e të cilave, vjen e trashëguar deri më sot. Arteriet që lidhnin vendin, pas copëtimit të 1913, rijetëzimi i qendrave urbane të dëmtuara nga luftërat ballkanike, dhe themelimi i ekonomisë prodhuese dhe eksportuese do të vendosnin në krye të investimeve publike rrugët dhe urat lidhëse të brigjeve.

Të konsideruara si “vepra arti” këto objekte inxhinierike, në Shqipërinë e viteve 20-30 të do të shiheshin si “kryevepra”, për nga rëndësia kombëtare dhe më tej për nga arkitektura e veçantë dhe elementët artistikë të përdorur. Veprat e mëdha publike si urat, përgjatë monarkisë së Mbretit Zog, iu tenderuan kompanive të huaja, të cilat ndryshe nga sot ku kontrata të tilla ndërmerren për efekt spekulimi me territorin, ato të qeverisë dhe më pas mbretërisë së Zogut, kishin për qëllim, të sillnin eksperiencën më të mirë nga Europa Perëndimore, në mungesë të specialistëve vendas. Në fund të viteve ‘20, dhe fillim viteve ’30, specialistë si, arkitektë, inxhinierë, të cilët u arsimuan jashtë Shqipërisë, kryesisht në Austri dhe Itali, do të riktheheshin për tu bërë pjesë e zyrave të projektimit dhe jo në pak raste edhe si udhëheqës të projekteve në investime publike apo private.

Vlerat kulturore

“Ura e Zogut, apo Ura e Matit, është një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan” konsideruar kështu nga paneli këshillimor i Europa Nostra-s, organizata e cila e shpalli një nga monumentet më të rrezikuara në Europë, për vitin 2022. E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat në Shqipërinë e Veriut, është e njohur për strukturën e saj arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve të saj prej çeliku. “Konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e konstruksioneve metalike dhe strukturave prej betoni të ndërtuara mbi lumenj në Evropën Jugore”. E projektuar nga inxhinierë gjermanë dhe zviceranë, ndërtimi i urës u zbatua nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri, duke përdorur materiale të importuara nga Italia. Me emrin e mbretit Zog I-rë të Shqipërisë, ura njihet edhe si “ura me pesë harqe” edhe se fillimisht, ajo përbëhej nga gjashtë harqe, por një nga harqet u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vlerat sociale

Që nga janari i vitit 2021, komuniteti lokal ka kërkuar vazhdimisht të ndërgjegjësojë institucionet dhe publikun e gjerë në lidhje me urën e Zogut dhe gjendjen aktuale të saj. Për këtë, Organizata Sebastia dhe qytetarët nisën një peticion drejtuar autoriteteve shqiptare, për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës dhe kërkuan nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë, që të merren masa emergjente për ndaljen e rrënimit të urës si dhe të hartohet një projekt për mbrojtjen afatgjatë të saj, peticion i cili u nënshkrua nga më shumë se 3000 qytetarë. Protesta të tjera janë organizuar në nivel lokal dhe janë paraqitur nga mediat kombëtare.

Të rinjtë e Kurbinit kanë organizuar në shtator të 2021, një marshim në mbrojtje të “Urës së Mbretit Zog” e ndërsa iniciativa për ta nominuar si nga monumentet kulturore me vlerë evropiane do të ishte kurorëzimi i një lëvizjeje komunitare, e cila u aktivizua për të sjellë në diskutim edhe një herë, vlerën e pazëvendësueshme të trashëgimisë kulturore dhe rrezikun eminent ku ndodhet kjo pasuri në Shqipëri.

Ura së Zogut, si një nga objektet e trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë për vitin 2022

Barrikadat për bllokimin e qarkullimit në hyrjen e Urës së Zogut

Ura e Zogut nuk është i pari monument kulture, i cili cilësohet si një nga më të rrezikuarit të Europës. Më herët, Amfiteatri i Durrësit do të ishte ai që do të tërhiqte vëmendjen e europianëve si më i rrezikuari për vitin 2013; dhe Teatri Kombëtar i cili u nominua në listën e 7 objekteve më të rrezikuara për vitin 2020. E ndërsa Teatri u shemb brutalisht mëngjesin pa gdhirë të 17 majit 2020, do të konsiderohej një rast i paprecedent në komunitetin europian të shkatërrimit me dashje të trashëgimisë së vlerësuar dhe nominuar.

Nominimi i urës së Zogut në programin e 7-të më të rrezikuar 2022 u bë nga një anëtar i Europa Nostra-s, në Shqipëri dhe sugjerimet për përmirësimin e situatës së urës së Zogut përfshijnë hartimin e një plani inxhinierik për përmirësimin e gjendjes së saj dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme, mbështetjen e kolonave ekzistuese dhe reduktimin e aktiviteteve të paligjshme që çojnë në erozionin e vazhdueshëm të shtratit të lumit Mat.

Paneli Këshillimor i Programit “7-të më të Rrezikuarat” komentoi se: “Ura e Zogut është zyrtarisht një monument kombëtar, por nuk është kryer asnjë mirëmbajtje gjatë shumë viteve, duke rezultuar në faktin se një nga shtyllat ka pësuar rënie përkatëse dhe e gjithë ura është duke u përballur me një rrezik shumë të lartë shembjeje lidhur me dëmtime të tjera dytësore. Gjithsesi, për sa kohë që zgjidhja për riparimin e tij mund të identifikohet dhe zbatohet lehtësisht, nëse kryhet shpejt, nuk do të kishte nevojë për një mobilizim të madh fondesh”. Paneli Këshillimor gjithashtu theksoi se “Ura e Zogut, duke qenë një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të 20-të në Ballkan, meriton vëmendje dhe kujdes, që do të rezultonte në rritjen përfundimtare të vlerave të saj goditëse”.

Urat i merr lumi – Ministria e Kulturës, mbron fantazmat e tyre

Vitet e fundit janë disa ura, të cilat edhe pse nën mbrojtjen të shtetit janë shembur plotësisht, duke humbur kështu një pjesë të trashëgimisë kulturore e historike. Pak ditë më parë, Ura e Bahçallëkut në Shkodër, monument kulture i kategorisë së dytë u shemb, për shkak të prurjeve të lumit, dhe mungesës së ndërhyrjeve për ta shpëtuar. Ura e Hoshtevës, në Zagori të Gjirokastrës, monument kulture i kategorisë së parë, ndërtuar gjatë periudhës së Ali Pashës, u shemb në vitin 2021, duke humbur në rrjedhën e lumit. Prurjet e Osumit në vitin 2021, shkatërruan edhe harkun e mbetur të urës së Orgockës, në Kolonjë, në të cilën nuk ishtë bërë asnjë ndërhyrje restauruese ndër vite. Ura e Orgockës, i përkiste shekullit të 18-të  dhe përfaqësonte një vepër të rrallë inxhinierike, të ndërtuar e gjitha në gurë.

Mbrojtje në letër- shkatërrim në terren

Megjithëse, urat e lartpërmendura, janë shembur tërësisht, duke humbur gjurmët e shekujve nga territori, ato vazhdojnë të gjenden të listuara në listat e mbrojtjes nga ana e Ministrisë Kulturës dhe institucioneve të varësisë së saj (IKTK). Monumente të cilat nuk gjejnë vëmendjen e institucioneve, prakikisht vdesin brenda listave pa kuptim, lista të cilat me sa kuptohet, monumentet vendosen dhe hiqen sipas skemave të paqarta, pa metodologji dhe pa transparence për publikun.

Trashëgimia kulturore, që nga ligji i ri, i hyrë në fuqi, në vitin 2018, ka pësuar më shumë dëmtime dhe shkatërrime të qëllimshme, nga neglizhenca, paaftësia dhe injorimi i institucioneve, edhe pse ironikisht shumë syresh janë identifikuar si pasuri me vlera të rralla kulturore të patjetërsueshme nga vetë ato.

Institucione që ruajnë monumentet në lista dhe letra bakalli, që zënë pluhurin e harresës dhe propagandojnë zhvillime të rreme dhe investime inekzistente, nuk mundet të quheshin asgjë më pak se sa Institucione që promovojnë, zhdukjen, shkatërrimin dhe shvlerësimin e vlerave kulturore, por sigurisht që nuk mund të cilësohen kurrësesi si insitucione që përçojnë vlera dhe kontribuojnë në kulturë.

*Doriana Musaj, është arkitekte/urbaniste, pedagoge në Universitetin Polis dhe kërkuese shkencore në çështjet urbane dhe të drejtën mbi qytetin.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *