Një raport i Qëndresës Qytetare ka analizuar e Vendimit të Këshillit të Ministrave 589/2022, si një formë amnistie për kompanitë që ndërtuan pa leje.

Qeveria vendosi në 12 shtator një rregull që konfiskon sipërfaqet pa leje për t’i përdorur për strehim social, duke bërë të mundur që ndërtuesit ta dhurojnë pronën dhe t’i shpëtojnë “ligjit”.

Ky vendim qeverie vjen me pikëpyetje dhe shumë i debatueshëm duke qenë se jemi përballë shumë kontradiktave me ligjin”, thekson raporti i QQ-së.

Në një analizë të mëparshme, Citizens Channel ka trajtuar se si kjo VKM nuk i shërben strehimit social, sikurse propagandohet si dhe antikushtetueshmërinë e saj. Sipas analizës së Citizens Channel, rezulton se përpos faktit që kjo VKM nuk i shërben strehimit social gjithashtu bën të ligjshme ndërtimet pa leje.

“Eyes of Tirana” në sheshin Skenëdërbej, një nga 15 objektet e prekura nga VKM-ja/ Foto: Arbjona Çibuku

Raporti i Qëndresës Qytetare sjell gjithashtu në vëmendje këto pika problematike të VKM-së, që nga strehimi e deri tek legjitimimi i ndërtimeve pa leje për kompanitë e mëdha, pasi sikurse theksohet në raport e njëjta gjë nuk ndodh me rastet e individëve.

Sa i përket aspektit urbanistik të çështjes, raporti thotë se “nuk ekziston një mënyrë për të kontrolluar se sa te sigurta për jetesë janë këto kate që po ndërtohen”.

“VKM-ja përballë strehimit social”

VKM-ja përcakton në pikën e dytë të saj se si katet pa leje do të përdoren për strehim social, duke u bërë kështu mekanizmi i radhës i përdorur nga qeveria për të shtuar fondin e banesave sociale.

Një analizë e kuadrit ligjor dhe zbatimit të tij tregon se deri më tani qeveria nuk ja ka dalë të përfitojë apartamente për të pastrehët nga privatët.

Ligji Për Strehimin Social”, i miratuar në vitin 2018, parashikon në nenin 19 se çdo subjekt privat që aplikon për leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2, është i detyruar t’i kalojë shtetit 3% të sipërfaqes për fondin e banesave sociale.

Një nga 15 objektet e ndërtuara pa leje në Tiranë, të konfiskuara nga VKM-ja 589/2022/ Foto: Arbjona Çibuku

Bashkia e Tiranës ka premtuar se do të përdorë zonën e “5-Majit” ku po zbatohet një Plan i Detyruar Vendor për shndërrimin në “Tirana Riverside”, i cili ka hasur në jo pak kundërshti nga banorët që preken nga ndërtimi.

Raporti i Qëndresës Qytetare analizon çështjen e pazgjidhur të strehimit social, duke e vendosur atë në kontekstin e kësaj VKM-je.

“Historia tregon se strehimi social është një çështje e ndjeshme në vendin tonë, si nga efektiviteti që ka, por edhe nga mënyra se si është përdorur”, thuhet në raport. Më tej raporti trajton çështjen e shpronësimeve si pasojë e projekteve të reja, duke përmendur projektin e Unazës së Re. 

Sipas të dhënave zyrtare, 35 mijë familje në Republikën e Shqipërisë kanë probleme serioze me strehimin”, thuhet në raport. Po ashtu tregon se në politikat për strehim social, ka pasur shumë abuzime. 

Në kërkime të të dhënave mbi përfituesit e strehimeve sociale për vitin 2021, nga 2405 përfitues të trajtimit me kredi me interes të ulët, 890 janë punonjës te administratës publike”, përcjell raporti.

“Legjitimimi i ndërtimeve pa leje vetëm për kompanitë e mëdha”

Në analizën e kësaj VKM-je, Citizens Channel trajtoi si si ky vendim i hap rrugë legjitimimit të ndërtimeve pa leje. 

Sipas pikës 4 të VKM-së, ndërtimet e konfiskuara mund të blihen nga ndërtuesi apo kushdo subjekt i autorizuar prej tij. Sipas eskpertëve kjo VKM nuk bën gjë tjetër veçse favorizon regjistrimin e ndërtimeve pa leje.

Raporti thekson se aplikimi i këtij vendimi shërben vetëm për kompanitë e mëdha të ndërtimit.

Një nga 15 objektet e ndërtuara pa leje në Tiranë, të konfiskuara nga VKM-ja 589/2022/ Foto: Arbjona Çibuku

Jemi përballë këtij fakti, kur shohim se si kompanitë e ndërtimit amnistohen për prona miliona euroshe të ndërtuara pa leje. Diferencimi që duket se krijon kjo VKM, është i pamundur për të mos u vënë re”, përcjell raporti. 

Sipas të dhënave të përcjella në raport, 3415 persona janë dënuar për vepren penale të “ndërtimit të paligjshëm” ndërsa mijëra të tjerë janë përballur me ndjekje penale dhe sanksione administrative”.

VKM-ja përcakton se vlen vetëm për ndërtimet pa leje me qëllim përfitimi, kësisoj lë jashtë ndërtuesit për qëllim jetese.

Shirit i vendosur tek objekti i konfiskuar/ Foto: Arbjona Çibuku

Një VKM e tillë s’bën asgjë vecse thellon ciklin e padrejtësive në vendin tonë”, thekson raporti duke sjellë në vëmendje rastet e individëve të thjesht të cilët kanë marrë gjoba, ose janë dënuar me burg për ndërtimin e një shtese në banesat e tyre.

Deri në shtator të këtij viti, për veprën penale të ndërtimit pa leje janë hetuar 27 raste ku 23 prej tyre janë dënuar”, thuhet në raport.

Aktualisht, bazuar në këtë VKM janë konfiskuar katet pa leje të 15 objekteve në kryeqytet.

Nuk ka ende informacion nga organet përkatëse mbi mënyrën se si do të kalohen këto kate për strehim social.

Ndërtimet në qendër të Tiranës/ Foto: Arbjona Çibuku

Raporti rekomandon që kompanitë e ndërtimit që ndërtojnë pa leje duhet të përballen me akuzën për veprën penale që kanë kryer e për rrjedhojë të vuajnë dënimin që parashikon ligji.

Për katet e ndërtuara pa leje duhet të bëhet një kontroll i rregullt urbanistik për të vërtetuar qëndrueshmërinë e objektit”, është rekomandimi tjetër i raportit.

Së fundmi, raporti rekomandon se në rastet kur një qytetar hap ose mbyll një dritare ose ndryshon çatinë e shtëpisë “nuk duhet të konsiderohen ndërtimeve pa leje në bazë të Kodit Penal” dhe duhet të ndalojë ky lloj klasifikimi.

 

 

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu