Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“15 muaj pa çati”, Cirku Kombëtar jep shfaqje vullnetare për festat e fundvitit

Kanë kaluar rreth 15 muaj që nga çmontimi i tendës së Cirkut Kombëtar të Tiranës, por situata mbetet e njëjtë. Artistët janë pa çati, pa tendë, pa arenë por jo pa shfaqje. Trupa e Cirkut Kombëtar u bë bashkë në një shfaqje vullnetare për vigjilje të Krishtlindjeve.

“Gjithkush prej nesh i duhet të nxjerrë një përfundim mbi atë që krijuam dhe interpretuam në atë skenë, e cila për fat të keq nuk ekziston më…”, citoi gjatë fjalimit të tij Vilson Gjoçaj, mjeshtër veteran kllounate.

Çmontimi i tendës së Cirkut, Tetor 2022 | Foto: Citizens Channel

Shfaqja e vënë në skenë sillte për publikun sfidat reale që po përballen artistët, të konkretizuara përmes pjesëve me prezencë të forcave policore, momente të emigrimit dhe stërvitjes në kushte të pafarvorshme.

“E gjithë shfaqja është e konceptuar në situatën në të cilën ne ndodhemi aktualisht, që patjetër na jep shumë vuajtje që e shikojmë”, tha për Citizens Channel një prej akrobatëve, Gerlad Shima.

Shima shton se një pjesë shumë e madhe e artistëve emigruan dhe cirku nga 180 pjesëtarë që ka pasur në kulmet e tij, në vitet e tij të arta, arriti që të zvogëlohej dita ditës dhe sot rezulton me 38 vetë të punësuar.

Minsitria e Kulturës ende nuk është deklaruar për një zgjidhje të situatës, duke ofruar provizorisht ambientet e shkollës “Sinan Tafaj” për stërvitje, situatë e cila nuk u prit mirë nga artistët.

“Deri tani nuk kemi marrë një përgjigje të saktë se cirku ku do zhvendoset ose më saktë ku do ndërtohet cirku i ri, në çfarë zone dhe kur”, thekson Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së artistëve të cirkut.

Artistët nuk e kanë humbur shpresën se do tu jepet një zgjidhje situatës së tyre.

“Shpresa vdes e fundit! Shpresojmë shumë që të bëhet, mezi po e presim! ”, shprehet akrobatja Eris Hoxha.

“Cirku shëtitës”

Kjo nuk është hera e parë që Cirku i Tiranës funksionon me shfaqje vullnetare, edhe në fund vitin e kaluar trupa e Cirkut Kombëtar dha shfaqje për Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, por gjithashtu trupa ka performuar në qytete të ndryshme të vendit.

“Kemi bërë shfaqje në Durrës, në Elbasan, kudo në çdo hapësirë që na është mundësuar, ku ka qenë Teatro dhe jashtë nëpër Tiranë”, tregon akrobatja Eris Hoxha.

Disa prej artistëve kanë zgjedhur të stërviten privatisht me shpenzimet e tyre për shkak të mungesës së kushteve.

Stina e dimrit është një nga periudhat më të vështira për artistët pasi në ambientet e stërvitjes kushtet janë aspak favorizuese, ku mungon edhe ngrohja.

Pas heqjes së tendës, u shkarkua drejtori i këtij institucioni Ilirjan Gjini dhe momentalisht nuk ka një drejtues të Cirkut Kombëtar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *