Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: “Shëndetësia me koncension i kushton miliarda lekë taksapaguesve”

Koncesionet në fushën e  shëndetësisë i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 5,6 miliardë lekësh. Përmes Partneritetit Publik Privat, Ministria e Shëndetësisë ka kaluar 4 shërbime shëndetësore tek privatët. 

Kontratat koncesionare janë ndeshur që në fillim me mungesë transparence, kosto të larta dhe akuza për korrupsion.

“Kontratat koncensionare në shendetësi janë shndërruar në barrë financiare për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)”, thekson raporti i realizuar nga organizata “Together For Life”

Katër shërbimet të cilat shteti i kaloi privatëve janë: Kontrolli bazë mjekësor, i njohur si “check-up”, Sterilizimi i Instrumenteve Kirurgjikale në Spitale, Dializa dhe Shërbimi Laboratorik Spitalor. Sipas raportit, vlera e katër kontratave për të gjithë periudhën e koncesionit është 45,5 miliardë lekë ose 376 milionë euro. 

Deri në fund të vitit 2022, kompanitë kontraktore përfituan 22.3 miliardë lekë (189 milionë euro) ose 50% të vlerës totale. Raporti ka gjetur se mungon një analizë nga ana e institucioneve mbi rezultatet e këtyre koncesioneve në përmirësimin e cilësisë së shërbimit. 

Sipas analizës së “Together for Life”, shuma që kanë përfituar kompanitë kontraktore do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar tri spitale. 

“Gjatë zbatimit kostoja e kontratave është rritur edhe me tej, teksa janë konstatuar pagesa më shumë se projeksionet në kontrata, shpesh duke shkelur ligjet”, thuhet në raport, teksa shton se mbi këto kontrata kanë nisur hetimet nga SPAK.

Deri në fund të vitit 2021, dëmi ekonomik nga koncesionet në shëndetësi, bazuar në gjetjet e Kontrollit të lartë të Shtetit, është  rreth 5,6 miliardë lekë ose 47 milionë euro.  Nga kjo shumë, 1,5 miliardë lekë janë pagesa për shërbime që nuk janë kryer ndaj koncesioneve të “Checkup” dhe “Dializës” për periudhën 2015-2021.

“Rreth 4,1 miliardë lekë janë dëm në përllogaritjen e TVSH-së në kundërshtim me ligjin e TVSH për kontratat e Sterilizimit dhe “Checkup” për të gjithë periudhën 10 vjeçare. Ligji për TVSH i përjashton barnat, pajisjet, furnizimet dhe shërbimet në sektorin shëndetësor nga TVSH-ja, por ato kanë vijuar të faturojnë me TVSH”, thuhet në raport.

Investimet që koncensionarët  parashikojnë nuk janë më shumë se 4,3 miliardë lekë ose rreth 9% e fondit të përfituar nga buxheti i shtetit. 

Teksa kompanitë koncesionare marrin miliona euro çdo vit nga taksapaguesit, një pjesë e pagesave shkojnë për shërbime që pacientët shqiptarë nuk i marrin nga këto kompani, zbuloi auditimi i KLSH.

Koncesionet në fushën e shëndetësisë janë vlerësuar si rast i nivelit të lartë të korrupsionit nga Transparency International.

Sipas analizës së kryer nga TFL, vlera më e ulët e investimit në raport më të ardhurat është nga koncesioni i Checkup-it, me koncesionar “3P Life Logistic”.  Kompania ka parashikuar të investojë vetëm 1,9 për qind të të ardhurave. Vlera e kontratës së Check-Up është 72,4 millionë euro. Kjo është dhe kontrata e parë koncesionare me PPP e lidhur në fushën e shëndetësisë e cila ka nisur në 2015 dhe do të vijojë deri në 2025. 

Përgjatë viteve 2015-2021 kompania ka marrë pagesa nga buxheti i shtetit në vlerën e 4,3 miliardë lekëve dhe mbeten për t’u paguar edhe 4.6 miliardë lekë.

Për të gjithë periudhën e koncesionit të ardhurat e Checkup janë përllogaritur 8,7 miliardë lekë pa TVSH, ndërsa investimet vetëm 172 milionë lekë”, thotë raporti dhe shton se pjesa më e madhe e shërbimeve të Check-Up kryhen nga personeli shëndetësor publik pa pagesë. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *