Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Një mijë pisha në malet e shpyllëzuara të Munellës”

Roland Lleshi, së bashku me organizatat mjedisore PPNEA dhe HBS (Heinrich Böll Foundation) ndërmorën në muajin nëntor fushatën për mbledhjen e dhurimeve në platformën “GoFundMe” për rigjenerimin një pjesë të malit të Munellës. Brenda pak ditëve, u arrit dhe u tejkalua shuma e kërkuar për mbjelljen e 1000 fidanëve.

E gjithë vlera monetare është realizuar në bazë të donacioneve që e kanë dhënë kryesisht shqiptarë të diasporës, por jo vetëm”, – pohon për Citizens Channel Lleshi.

Edhe shumë të huaj që kanë parë bukuritë por edhe realitetin tjetër – dëmet, kanë qenë shumë të ndjeshëm ndaj problematikave dhe kanë dhuruar”, – vijon më tej ai.

Rreth 40 aktivistë u angazhuan në mbjelljen e 1000 fidanë të pishës së zezë, aksion i dytë i kësaj natyre në Munellë.

Aktivistët mjedisorë mbjellin fidanë të pishës së zezë në malin e Munellës

Ne jemi ndarë në tre grupe; grupi i parë, hapim gropat. Mundohemi t’i hapim dy metra larg nga njëra-tjetra. Grupi tjetër vjen me fidanë që i kemi sjellë për t’i vënë në gropa dhe grupi i tretë i mbulon”, shpjegon Ardita Cacani, pjesëmarrëse në këtë aksion.

Skenari ideal, shpjegon Roland Lleshi është që të mbijnë së paku 80% e fidanëve të mbjellë. Në këtë rast, duhen angazhuar punëtorët e Bashkisë, në mënyrë që të ruhen fidanët nga kafshët barngrënëse dhe bagëtitë.

Çfarë i ka ndodhur malit të Munellës?

Munella ndodhet në kufi të Pukës dhe Mirditës. Pas viteve 1990 është dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme nga zjarret dhe prerjet. Aksionet e tilla, pohojnë organizatorët, kanë si qëllim të rrisin ndërgjegjësimin, pasi janë mbi 3000 hektarë tokë të shpyllëzuara.

Kjo zonë ka pësuar ndër vite dëme të vazhdueshme, në vitet 90-të pastaj ka vazhduar në vitet 91-92, pastaj në vitin 2004 dhe 2007”, – sqaron për Citizens Channel Sokol Vataj, inxhinier pyjesh në Bashkinë Fushë-Arrëz.

Malet në Munellë të dëmtuara nga zjarri dhe prerja e pemëve ndër vite

Sipas inxhinierit Vataj, rikuperimi i dëmeve ka qenë shumë i vështirë pasi malet janë shfrytëzuar për qëllime fitimi ndërsa ka munguar infrastruktura e duhur për të ndaluar zjarret e njëpasnjëshme. Duke iu kthyer situatës aktuale, ai shprehet se aksionet e mbjelljes që bën Bashkia janë të pamjaftueshme krahas dëmit në terren.

Ka mbjellje çdo vit, pesë hektarë, dhjetë hektarë ose tre hektarë të shumtën e herës. Me dy-tre hektarë mbjellje në një disa mijëra hektarë të abandonuara është sikur të hedhësh një gur në lumë”, – përfundon Sokol Vataj.

Një ndër arsyet pse është zgjedhur Munella, sqaron për Citizens Channel Ilir Shyti nga PPNEA (Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri) është se aty gjenden katër individë të rrëqebullit të Ballkanit, një specie e rrezikuar. Ballkani ka 40 individë të këtij lloji, ku jo më shumë se 10 ndodhën në Shqipëri.

Me dëmtimet e këtyre masiveve të mëdha pyjore, është pakësuar popullata e rrëqebullit. Përveçse rrëqebullit është pakësuar edhe preja e tij, kaprolli, lepuri, dhia e egër”, – përfundon Shyti.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *