Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatër në pyllin e Laknasit

Tre kandidatë për kryetarë bashkie premtojnë për një të ardhme të gjelbër për qytetin gjatë fushatës elektorale. Fill pas zgjedhjeve, premtimet e kandidatit fitues tjetërsohen krejtësisht.

Kjo histori erdhi përmes një pjese teatrale të quajtur “Pyllishte” e vendosur në skenë nga aktivistët e grupit “ATA”, frymëzuar nga rezistenca e komunitetit të Laknasit në mbrojtje të pyllit “Plepat e Brukës” nga ndërtimi i në thertoreje.

Ronald Qema, përfaqësues i grupit “ATA” shprehet se kjo shfaqje vjen si shëmbëlltyrë e luftës 3-vjeçare të tyre në mbështetje të banorëve të Laknasit.

Ronald Qema, Grupi “ATA”

“Eksperiencat tona, ndjesitë tona, përshtypjet tona mbi mjedisin, se si e shohim mjedisin, si e shohim natyrën, se si i ndjejmë mbi veten politikat që quhen mjedisore por nuk janë aspak të tilla, të gjitha këto janë përkthyer në këto tre personazhe që aktorët dhe njëkohësisht aktivistët e grupit ata i sollën në skenë. Themi në skenë për hir të të thënit, por në pyllin Plepat e Brukës që për kaq vite banorët bashkë me grupin ATA si një ndër komponentë e qytetit e kemi mbrojtur këtë pyll”,-u shpreh Qema.

Sipas tij, vënia në skenë e një kauze mjedisore kishte vështirësitë e veta.

Problemi i parë ishte që nuk ka një tekst. Nuk ka një tekst të përkthyer, por edhe një tekst të huaj që ti përshtatet aktualitetit shqiptar. Bashke me aktorët dhe regjisoren dhe aktivistët e grupit ATA, kanë punuar së bashku për të krijuar një tekst bazuar kryesisht në rezistencën e banorëve, por edhe të gjithë aktivizmit tonë që ka rrjedhur ndër vite në mbështetje të tyre”.

Për Greta Baci, regjisoren e shfaqjes teatrale, shfaqja ndërtohet duke u bazuar në dy pika kryesore.

Greta Baci, regjisore

Kanë qenë pylli, ka qenë edhe bashkia, politika. Duke qenë se një nga gjërat që më ka ngacmuar më shumë është fakti që këto toka që supozohet të jenë pyje apo që janë pyje të mëdha, nuk kanë një institucion i cili i mbron, por janë të gjitha pronë e bashkisë dhe nëse vjen një kryetar dhe ikën një kryetar ato mbeten në dorë të njerëzve më shumë se sa të një institucioni që është për to. Dhe kam dashur që ti mëshoj pak këtij fakti dhe gjithashtu edhe pjesës së politikës përderisa politikanët e kanë në dorë dhe do duhet të jetë diçka që ata do të duhet ta menaxhojnë, të dinë ta vlerësojnë për atë që është dhe ta mbrojnë për atë që është sepse çështja e pyjeve sot është pak problem që nuk i mëshohet:,-rrëfen Greta.

Shfaqja luhej nga të rinj të cilët e prekën teatrin për herë të parë, pavarësisht se nuk është profesion i tyre.

Kevin Lasku

“Isha në një udhëkryq mes dy rrugëve, e para nëpërmjet ministrit, kryetarit apo drejtësi për ata banorë të gjorë dhe unë sigurisht si një filozof nga ndërgjegjja e madhe zgjodha drejtësinë për ata banorë pasi është shumë e vërtetë që kanë vuajtur për këtë zonë, kanë bërë shumë dhe pse jo ne nëpërmjet kësaj shfaqjeje dëshirojmë të përcjellim një mesazh …..”,-rrëfen Kevin Lasku, i cili në pjesën e dytë të shfaqjes luajti rolin e këshilltarit të kryetarit të bashkisë.

Për Desara Hysenajn, roli që luajti i përcolli shumë emocione dhe përgjegjësi për mënyrën se si do pritej nga banorët.

Desara Hysenaj

“Emocione…më dridheshin duart. Mendoja reagimin e tyre, si do e prisnin? A ishte fiks ajo tema që ne po flisnim. A do ndërhynin vërtet me mendimet e tyre, doja dhe opinionin e tyre patjetër dhe fakti që në fund ata ishin tepër të lumtur dhe po na jepnin komente si ishin bërë si janë kanë dalë dhe si kanë luftuar dhe mendoj që vërtet kjo ia vlejti dhe kemi bërë një punë të përkryer”,-rrëfen Desara.

“Fakti që studioj arkitekturë, më bëri të mendoj se ka shumë ndërtesa rreth e rrotull dhe mjedisi është shumë pak. Ka shumë pak gjelbërim dhe mendoj se kjo është një temë fiks ajo që duhet prekur dhe thashë pse jo ta transmetoj në mënyrë të drejtpërdrejtë të publiku”,-përfundon Desara.

Për Igli Bresan, ky lloj teatri i zbritur te njerëzit, në natyrë është një formë aktivizmi për çështjet mjedisore.

Igli Bresa

“Çështjet mjedisore kanë qenë një ndër çështjet që I kam ndjekur më së tepërmi edhe në protestat e pyjeve të tjera për shembull më ekzaktësisht ajo e pyllit të Zall Gjocaj, kam marrë pjesë dy herë në protestën e saj dhe besoj se është një ndër temat që të gjithë së bashku të angazhohemi”,-tha Igli.

Për organizatorët e shfaqjes, kjo formë teatri shërben edhe si një thirrje ndaj institucioneve për veprim.

“Në tërësi normalisht që pylli i plepave të brukës e ka pritur shumë mirë shfaqjen sepse është për të dhe është për të kërkuar edhe njëherë të drejtën e këtij pylli për tu njohur ligjërisht, për të mos u njohur një zallishte por për të qenë një pyll. Ligjërisht i bëjmë thirrje edhe Këshillit bashkiak të Kamzës që e ka si detyrë për ta quajtur këtë zonë si pyll. Për ti kthyer plepat e brukës në një pyll që pastaj të marrë edhe mbrojtjen ligjore te nevojshme për të mos pasur nga këto kërcënimet që ka pasur tre vitet e fundit”,-argumentoi Ronald Qema nga grupi “ATA”.

“Plepat e Brukës”, tre vjet rezistencë 

Për tre vite banorët e Laknasit  protestuan kundër ndërtimit tjetërsimit të pyllit për të cilin kujdesen prej 30 vitesh.

Rezistenca nga banorët nisi në vitin 2019, kur u njohën me vendimin për të ndërtuar në “Plepat e Brukës” vetëm përmes tabelës së vendosur për nisjen e punimeve dy vite më herët.

Pa asnjë konsultim publik nga bashkia Kamëz dhe asnjë informacion edhe kur tentuan t’i drejtohen këtij institucioni me këtë kërkesë.

Banorët iu drejtuan më vonë Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin e punimeve. Gjykata pranoi kërkesën e banorëve duke pezulluar punimet. Por për shkak të ankimimit nga kompania në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin e Gjykatës Administrative duke rrëzuar masë ne sigurisë.

Referuar lejes së dhënë nga Bashkia Kamëz toka në të cilën pritet të ndërtohet thertorja dhe agroturizmi konsiderohet si zallishte. Mirëpo banorët, të cilët janë kujdesur për 30 vite për “Plepat e Brukës”, duke i mbjellë vetë pemët në tokën publike, insistojnë se kjo tokë është një pyll.

Ekspertët e ngarkuar nga gjykata për të bërë verifikimin në terren u gjobitën dy herë për mos veprim, duke bërë që seancat pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të shtyhen.

Ndërsa në seancën e 28 shkurtit të vitit 2022 u provua eksistenca e një pylli në Laknas përkundrejt pretendimeve më herët si zallishte. Grupi i ekspertëve, dorëzoi pranë gjykatës një akt-ekspertizë ku konfirmohej ekzistenca e pyllit, me 22% të hapësirës me pemë.

Ligji 57/2020, e përcakton qartë se kur një territor quhet pyll. Sipas pikës 48 të nenit 3 të këtij ligji, “Pyll është sipërfaqja e tokës më e madhe se 0.5 ha, e mbuluar me drurë më të lartë se 5 metra dhe me shkallë mbulimi mbi 10 për qind, ose me drurë të aftë për të arritur këto pragje”.

Vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga palët e paditura, por sipas avokatëve që kanë ndjekur çeshtjen, deri në përfundim të procesit gjyqësor pylli nuk mund të preket.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *