Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Në fshatin Madhesh të gjithë burimet e ujit po kthehen në hidrocentrale

Zona e Madheshit në Mat përshkohet nga dy përrenj që dikur shërbenin si burime të mjaftueshme për të furnizuar lagjen Gurrë e Madhe dhe Lunre me ujë për vaditje, bagëtinë dhe mullirin shumëvjeçar.

Prej vitit 2018, situata ka ndryshuar. Uji i përroit të lagjes Gurrës e Madhe tashmë shkon për prodhim energjie, pavarësisht kundërshtive të banorëve. Edhe burimi i fundit i mbetur në fshatin Madhesh, përroi i Lunresë, gjendet para rrezikut serioz për t’u futur në tuba për prodhim energjie.

Ashtu si dikur, edhe sot, dy lagjet e të njëjtit fshat i bashkon uji. Dikur, përroi i Gurrës së Madhe furnizonte Lunrenë me ujë për vaditje përmes kanalit, ndërsa sot, banorët e Gurrës së Madhe janë bashkuar me Lunrenë për të shpëtuar rrjedhën e fundit të lirë të mbetur në Madhesh.

Me ma falë krejt Shqipninë nuk e du, du vetëm ujin dhe tokën sikur ka qenë”, – thotë për Citizens Channel Ladi Fufi, i lindur dhe rritur në fshatin Gurrë e Madhe. Ndonëse nuk jeton më aty, ai nuk i ka braktisur planet që një ditë t’i rikthehet vendlindjes e ta ndërtojë jetën aty ku vazhdimisht kujdeset për kullën e vjetër dhe tokën bujqësore që trashëguar.

Unë në plan e kam pas me vu nja dy vaska peshku këtu, se kam tokën time, me gjithë axhat e mi. Edhe stalla. Se i ka pas ai axha dhitë, edhe unë kam dasht me i vu në tokë time”, – thotë ai, teksa shpjegon situatën aktuale. “Pa ujë s’kam ça me ba. Edhe vetëm s’mun jetoj me familjen time”.

Dikur, përroi i Gurrës së Madhe vinte në punë mullirin e vjetër që përdorej nga të dyja lagjet e fshatit Madhesh.

15 vjet e këtej mulliri nuk ka funksionuar ma. Njerëzit u shpërngulën edhe fillun duke mbledh miell gruri, edhe nuk përdori kush misër ma, veç për bagëtitë. Tashi është prish krejt se ky ka qenë funksional deri tashi vonë fare”, – shpjegon Gjergj Gjegji. Ai beson se këto mullinj mund të kishin shërbyer si atraksion turistik nëse do të ishin mirëmbajtur.

E kanë marrë këtë pasuni, fut në tuba dhe katër-pesë persona marrin të ardhura nga ky ujë me të cilin kanë pasë jetu mbi 50 shtëpi, 50 familje”, – vijon Gjegji duke iu kthyer hidrocentralit “Gurra” mbi përroin e Gurrës së Madhe.

Nga ana tjetër e fshatit vazhdohet e njëjta betejë. Edi Miza prej më shumë se dy vitesh është organizuar bashkë me komunitetin kundër hidrocentralit që do t’i sillte të njëjtin fat komunitetit dhe përroit të Lunresë.

E morën këtë e futën në tuba”, – thotë ai duke iu referuar përroit të Gurrës së Madhe. “Ekziston mundësia që të merret dhe në krahun tjetër, të vetmen shpresë që të vadisim tokat tona”, – përfundon Edi Miza.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *