Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punëtoret e fasonerive po organizohen sindikalisht për të fituar të drejta në punë

43-vjeçarja Mirjeta Shega, nënë e tre fëmijëve, duhet të qepë me nxitim, për të kapur normën e përcaktuar në turnin tetë orarësh. 

Ajo jeton në Bilisht dhe punon në sektorin e fasonerisë prej 25 vitesh. “Në këtë firmë që punoj tani kam filluar që prej gjimnazit por kam bërë edhe shkëputje, kam shkuar në kompani më të mëdha. Gjithë jetën kam punuar në fasoneri në kompani të ndryshme”, tregon Mirjeta për Citizens Channel.

Vitet e punës në këtë sektor e kanë bërë njohëse të mirë të problematikave dhe vështrësisë së organizimit për t’i zgjidhur ato.

Mirjeta Shega – Kryetare e degës së Bilishtit në Sindikatën e Punëtorëve të Fasonerisë

Na privohet e drejta e organizimit sindikal, pagat shumë të ulëta, kushtet, ambienti, pastërtia, ngrohja është një problem shumë i madh”, rrëfen Mirjeta.

Ajo sot është kryetare e Sindikatës së Punëtorëve të Fasonerive në degën Bilisht (SPF), ndërsa  tregon kalvarin e gjatë të përpjekjeve deri në formimin e sindikatës, që në 6 janar të këtij viti arriti fitoren e parë.

Më 29 dhjetor asaj iu njoftua pushimi nga puna “për arsye të ristrukturimit në kompani”. Pasi denoncoi rastin dhe nuk mori përgjigje, së bashku me punëtore të tjera të fasonerisë, u organizuan në protestë duke bojkotuar punën.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) në një përgjigje për Citizens Channel renditi 8 shkeljet e konstatuara nga kompania “Toni Oil”. Sipas institucionit, kompania i ka mbajtur pagën 5 punëtoreve në mënyrë të padrejtë. 

Puntoret e fasonerisë përballë kompanisë gjatë bojkotit të punës/Janar 2022

“Paga konsiderohet e paprekshme në masën që është e nevojshme për të siguruar jetesën e punëmarrësit dhe të familjes së tij”, është një nga shkeljet e konstatuara. 

Më tej renditet mospagesa e punëtorëve në rast sëmundjeje si dhe largimi i padrejtë nga puna për shkak të organizmit sindikal.

“Gratë e fasonerive drejt sindikalizmit”

Pas protestave dhe këmbënguljes së punëtoreve, kompania u tërhoq dhe plotësoi kërkesat e tyre duke kthyer edhe Mirjetën në punë. Por përpara kësaj fitoreje, prej një viti Mirjeta dhe gratë e tjerë punëtore janë përballur me sfida të shumta. 

Puntoret e fasonerisë përballë kompanisë gjatë bojkotit të punës/Janar 2022

“E gjitha ka nisur një vit më parë, ishte pothuajse fundi i janarit 2022. Ne kërkuam rritje page, pasi pagat që kishim ishin shumë të ulëta. Fillonin nga 8 mijë lekë të vjetra dhe paga më e lartë ka qenë 12 mijë lekë”, kujton Mirjeta.

Kërkesa e tyre u rrëzua disa herë nga kompania e cila u kërkonte që të rrisnin normën e punës nëse donin rritje rroge. “Mirëpo kjo tani është e tepërt, njeriu nuk mund të japë më shumë, se ne nuk jemi makineri i shton gazin edhe jep më shumë”, shprehet Mirjeta.

Pasi punëtoret dhe kompania nuk po binin dakord mbi këtë çështje, ato morën hapin e radhës dhe bojkotuan punën në fund të janarit 2022.

Të gjitha ne punëtoret kërkuam sërish të vendosura që duam rritje page dhe pronari na u kthye me një fjalor arrogant dhe në atë moment ne dolëm të gjitha jashtë dhe bojkotuam punën”, rrëfen Mirjeta mbi ngjarjen e ndodhur një vit më parë. 

Ajo tregon se ishte pikërisht ky momenti kur ato ndjenë nevojën për t’u organizuar sindikalisht.

“U bëmë bashkë dhe vendosëm që të merrnim rrugën e krijimit të sindikatës, që nuk ka qenë aspak e lehtë. Një rrugëtim i gjatë, ka pasur moskomunikim me pronarin dhe kjo e ka bërë shumë të vështirë”, tregon ajo duke shtuar se pas formimit të sindikatës u përballën me presione dhe fjalë të ashpra. Për to vështirësia më e madhe ishte njohja e sindikatës nga kompania.

Edlira Xhafa, studiuese e çështjeve të punëtorisë e njëkohësisht drejtoreshë e Akademisë “Global Labour University“ rendit disa faktorë që vështirësojnë sindikalizmin në vendin e punës.

Sipas Xhafës, mundësitë e kufizuara për punësim në Shqipëri ose “despotizmi i tregut luan një rol të forte disiplinor të punëtorëve”.

Së dyti, mungesa e historive të organizimit sindikal në vend si edhe trashëgimia e një sistemi totalitar që ka gërryer solidaritetin shoqëror. E së treti, sindikatat ekzistuese (zyrtare) të cilat tërësisht inefektive për të thënë me të paktën, i kanë bërë një dëm të jashtëzakonshëm lëvizjes punëtore në këto 3 dekadat e fundit”, shprehet Xhafa për Citizens Channel.

Për të, sektori i fasonerive operon me marzh fitimi shumë të ulët, çka çon drejt “shfrytëzimit të egër të punëtorëve” dhe kjo është arsyeja thotë Xhafa që “sektori tërheq një profil demografik të caktuar – gra, shpesh nga provincat dhe nga familje ku rregullat patriarkale vazhdojnë të jenë të forta”.

Edlira Xhafa, studiuese e çështjeve të punëtorisë e njëkohësisht drejtoreshë e Akademisë “Global Labour University“

Sipas saj normalizmi i shtypjes si pasojë e patriarkalizmit, e pengon edhe më shumë formësimin e ndërgjegjes për t’u organizuar sindikalisht tek këto gra. “Në të njejtën kohë, angazhimi sindikal kërkon kohë dhe këto janë punëtore që shpesh punojnë me orë të gjata dhe kanë përgjegjesine e punëve të shtëpisë”, shprehet studiuesja Xhafa.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) pranon se organizmi sindikal i punëtorëve në fasoneri është relativisht i dobët.

“Paga të ulëta, orare të zgjatura dhe aksidentet në punë”

Punonjëset e fasonerisë prej kohësh janë përpjekur të realizojnë marrëveshjen për kontratën kolektive, nga e cila shpresojnë të marrin dinjitet në punë dhe siguri.

Edhe pse sektori i fasonerisë ndryshe nga minierat apo ndërtimi nuk përballet me një numër tepër të lartë të aksidenteve, ato vijojnë të jenë prezente dhe trajtimi i punëtorëve është i ngjashëm.

Sektori fason edhe pse nuk klasifikohet në subjektet me rrezikshmëri të lartë në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë përsëri shfaq problematika në lidhje me aksidentet në punë”, deklaron ISHPSHSH.

Mirjeta shprehet se “aksidente të vogla ka pothuajse gjtihmonë, ndodhin zakonisht tek pjesa e duarve”. Ajo shton se aksidentet janë vetëm pjesa e dukshme, ndërsa ka shumë sëmundje që ato marrin nga copat dhe pluhurat.

Një shoqja ime kapi gishtin me pineskë, tek kjo kompani, dhe nuk ndodhur asgjë, as raport dhe madje e kanë detyruar të punojë ashtu me gisht të dëmtuar, nuk ka pasur lëshime në këtë pjesë”, tregon Mirjeta.

Inspektoriati i Punës i tha Citizens Channel se nga historiku i kontrolleve që ata kanë ushtruar në këtë sektor, shkeljet më të shpeshta janë: moslidhja e një kontrate pune, mospagesa e raporteve mjekësore, moskryerja e plotë e lejes vjetore, mospagesa e ditëve të festave si dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës pa respektuar ligjin.

ISHPSHSH e klasifikon sektorin fason me risk mesatar në lidhje me zbatimin e dispozitave  ligjore si të marrëdhënieve të punës. 

“Problematikë kryesore e këtij sektori është mosdeklarimi real i të gjithë marrëdhënies së punës dhe mosrespektimi i procedurave ligjore që rregullojnë  këto marrëdhënie pune”, thotë më tej Inspektorati. 

Institucioni tregon se për shkak se është rritur ndërgjegjësimi tek punëtorët ka pasur rritje të ankesave.

74% e  tyre janë zgjidhur plotësisht dhe pjesërisht në favor të ankuesve duke u dhënë të drejtë në  pretendimet e tyre, ndërkohë që rastet e pazgjidhura janë ato të cilat janë jashtë kompetencës  sonë”, tha ISHPSHSH për Citizens Channel.

“Domosdoshmëria e kontratës kolektive”

ISHPSHSSH shprehet se për të pasur një ndikim pozitiv në të drejtat e punëtorëve është e nevojshme dakordësia mes palëve “për të lidhur një Kontratë Kolektive në nivel sektori e cila vlerësohet se do të adresonte zgjidhje të shumë problematikave që shoqërojnë këtë sektor”.

Kryetarja e sindikatës, Mirjeta Shega tregon se për të dhe punëtoret e tjera, kontrata kolektive është një domosdoshëmri. “Është gjëja kryesore që një punëtor duhet të ketë në vendin e punës, ke të drejta ke dhe detyrime. Përmes kontratës kolektive, punëtori ndihet i mbrojtur, ti përmes asaj përfiton çdo gjë që ta jep ligji”, shprehet Mirjeta.

Sipas Organizatës Botërore të Punës (ILO), kontraktimi kolektiv është një formë komplementare e rregullimit të ligjeve të punës. Studiuesja Edlira Xhafa sqaron se kontrata kolektive është një mekanizëm i cili përforcon zbatimin e ligjit dhe rregullave të punës, si dhe i lejon palëve të përmirësojnë çka parashtrohet në minimumin ligjor. Po ashtu, kontrata kolektive merret me çështje që janë specifike për kompaninë.

Kontraktimi kolektiv përpiqet të gjejë zgjidhje që janë specifike për sektorin (kontraktim kolektiv ne nivel sektorial) apo kompaninë (kontraktimi ne nivel kompanie)”, sqaron Xhafa.

Ajo shprehet se ligji është i qartë ku përcakton se “organizata sindikale që ka përfaqësueshmërinë më të madhe ka të drejtën t’i kërkojë punëdhënësit për të hyrë në negociata për kontratën kolektive”.

Xhafa shton se nëse sindikata paraqet dokumentacionin e duhur të përfaqësueshmërisë, punëdhënësi është i detyruar të hyjë në procesin e kontraktimit kolektiv.

Por Xhafa thotë se ka shumë pengesa që bëjnë që në Shqipëri  kontrata kolektive të mungojë ose të jetë e padobishme.

“Në sektorin e minierave ne pamë se edhe kur sindikata e vërtetë (SMBB) tregoi që kishte shumicën e punëtorëve si anëtarë, pronari refuzoi te negocionte dhe përdori sindiakatën e verdhë të KSSH-se për të minuar negocimin”, u shpreh Xhafa duke shtuar se nuk ka as vullnet nga autoritetet shtetërore si Inspektorati i Punës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *