Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Efekte anësore të tërmetit”, banorët e 5 Majit prej një viti në pritje të shtëpive

“Pse ishte kaq urgjencë për t’i prishur në një kohë që s’është ndërtuar? Sot atje s’ka filluar ndërtimi”, – tha për Citizens Channel Gjin Nikolli, një nga banorët e lagjes “5 Maji” që protestuan sot përpara Bashkisë Tiranë.

Më 19 Janar 2022 nisi shembja e 164 banesave në lagjen “5 Maji”, duke i hapur rrugë projektit “Tirana Riverside” që mban firmën e arkitektit të njohur Stefano Boeri, ku parashikohet ndërtimin e 3500 apartamenteve.

Një ditë më pas, në 20 janar 2022, zëvendës-kryetari i bashkisë Arbjan Mazniku premtoi në një dalje mediatike se banorët e dëbuar nga shtëpitë e tyre do të strehohen në apartamentet e reja “jo më shumë se një vit nga sot”.

“Në 164 ndërtesa që janë shpronësuar ose prona që janë  shkatërruar…nuk ndodhet as edhe një, as edhe një që sot të jetë kompensuar ose të jetë likuiduar në një farë mënyre që ti jepet ose banesë ose lekë, asnjë, absolutisht asnjë”, – thekson Ndue Marku.

Përpara 10 ditësh kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se së shpejti do të hidhet shorti për 150 familjet e reja që priten të akomodohen tek pallatet e ndërtuara në lagjen 5 Maji. Ky është shorteu i dytë që do të hidhet pas të parit që u mbajt më dhjetor të 2022 ku u akomoduan 58 familje në pallatet e reja. Në asnjë nga këto dy shorte nuk janë përfshirë banorët prekur nga shembjet.

“Aq më tepër kur e sheh kryetarin e bashkisë që del për çdo lajm dhe thotë, do i sistemojmë si te 5 Maji. Çfarë sistemove te 5 Maji? Mua më le jashtë, mua më shkatërrove jetën. Shkon te njësia dhe pyet se çfarë do bëhet, kush është vazhdimi, si do shkojnë gjërat, nuk jep njeri informacion”, – pohoj Klodian Laçi.

Banorët e 5 Majit trajtohen me bonus qiraje për të cilin shprehen se është i pamjaftueshëm.

“Ne nuk jemi të prekur nga tërmeti por ne jemi prekur nga tërmeti i Bashkisë dhe i qeverisë që prishi banesat tona dhe do të ndërtoj kulla dhe biznese aty te ne. Pra nuk jemi të njëjtët me rindërtimin ne, nëse ne na kishte prishur rindërtimi ose të na e kish prish tërmeti shtëpinë ne nuk do kishim dal në protesta asnjë ditë”, – përfundon Elson Marku.

Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji, ku Bashkia Tiranë u caktua si zbatuese e projektit. Ndërsa më 13 maj 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor (PDyV) për këtë zonë.

Një pjesë  madhe e banorëve të lagjes “5 Maji” ishin në proces legalizimi të shtëpive të tyre. Proces ky i cili i është pezulluar.

Mungesa e transparencës dhe konsultimit mbi projektin ka sjellë që shumë banorë të mos nënshkruajnë akt-marrëveshjen me Bashkinë Tiranë për kompensimin e pronës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *