Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Elbasan: Punonjësit e pastrimit në kërkim të të drejtave në punë

Prej 18 vitesh, fshesa ka qenë mjeti i punës së Vjollcës* në mot me diell dhe me shi. Bashkë me të në Elbasan janë të punësuar edhe 130 punëtorë të tjerë në sektorin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit.

Në vitin 2021, Bashkia Elbasan ndryshoi kompaninë përgjegjëse për pastrimin duke kontraktuar “Alko-Impex General Construction”, megjithatë kushtet e punëtorëve mbetën të njëjta.

“Nuk i kemi ato pajisjet e punës, të them të drejtën ne shumicën i kemi blerë vetë, plastmasat, gjërat… Neve na dhanë një palë rrobe shumë të holla ato e fusin gjithë shiun brenda. Na u grisën më shumë. Ne s’kemi. Shumica e njerëzve i blenë vetë. Çizmet na i dhanë 45, ne i ndërruam i morëm më të vogël se ishin ato çizme ashtu…”,-rrëfen Vjollca për Citizens Channel.

Pavarësisht kushteve të vështira, punonjësit e pastrimit paguhen nën minimumin e miratuar me ligj.

“Rritje rroge s’na i kanë ashtu….një 10-çe për faqe të zezë, për turp që na e ngritën se merrshim 260 , njimene marrim 270. Njikto janë kushtet tona”,-trregon Vjollca.

Pagë kjo, e cila për një kryefamiljare me dy persona invalidë në shtëpi shton barrën financiare e atë morale.

“Ça do bëj, do laj drita, ujë. Do marr ilaçet e fëmijëve? Të tim shoqi? Edhe atij ia ulën pensionin ia banën 90 nga 110 ia banën 90. Ca ti bëj, i ka ilaçet shumë të shtrenjta, nuk ia del dot”.

Sektori i pastrimit të qytetit konsiderohet si një veprimtari me risk të lartë, pasi vendi i punës është rruga. Punëtorët shprehen se nuk janë në dijeni të të drejtave dhe detyrimeve të tyre për aq kohë sa nuk u është dorëzuar një kontratë.

“Jo, jo fare, nuk na e kanë lexuar fare se qysh i kemi këto kushtet e punës. Jo, jo fare. Biles, ne e banën edhe këtë që na mblodhën… I thamë që neve kontratën nuk e dimë fare. Na i thanë që do ti sjellin, nuk na i sollën se qysh e kemi. Se ne as nuk kemi firmos njëherë, vetëm që na morën kartat, nuk e di. Na i fotokopjuan kartat edhe kjo ishte. Asnjë gjë tjetër”,-shprehet Vjollca.

Aksidentet në punë janë të shpeshta për këta punëtorë, njëlloj si fshehja dhe mos-publikimi i këtyre episodeve.

“Ne nga komunikimi që kemi pasur me punëtorët, jemi informuar që ka pasur dhe raste të incidenteve. Të natyrës që kanë rrezikuar jetën për shkak të përplasjes nga ana e makinave, për shkak të mungesës edhe të uniformës fosforeshente që e bën të dallueshme punëtorin në rrugë nga ana e automjeteve që kalojnë, por ka pasur edhe incidente të natyrës që përgjithësisht te pjesa e punëtorëve që merren me transportin e mbetjeve, dhe përdorimin e makinerisë që bën mbledhjen ku ka pasur raste që punëtorëve u është prerë gishti. Dhe janë disa raste në fakt që ne jemi informuar nga vetë punëtorët që janë përballur me këtë lloj incidenti”-tha Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjiptian dhe Rome (LRER).

Përfaqësuesit e organizatave të angazhuara në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të pastrimit tregojnë se pjesa më e madhe e tyre i përkasin komunitetit rom dhe egjiptinan.

Ervis Cota, LRER

Sigurisht që situata është e vështirë për shkak se mungojnë kushtet e nevojshme të punës, nuk respektohen të drejtat dhe detyrimet e parashikuara edhe në kodin e punës. Dhe kjo bën që ky sektor të jetë nga më vulnerablit krahasuar me sektorë të tjerë. Kjo prodhon dhe që këto familje, këto punëtorë që punojnë në këtë sektor kanë vështirësi nga më të ndryshmet edhe sociale, sepse të ardhurat që marrin nga kjo punë janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat që ka familja e tyre. Përpos pagës që e kanë nën pagën minimale, që kjo është për një shkelje tjetër e të drejtave të parashikuara në Kodin e Punës”,-shprehet Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome.

Ndërsa presin me shpresë që të mund të marrin një pagë minimale në muajt në vijim nga kompania.

“Duke qenë se edhe me legjislacion është rritur paga minimale ka vajtur në 34.000 lek të reja, kjo nuk është reflektuar në pagën që aktualisht marrin këta punëtorë.  Do të ishte shumë mirë që të kishte një reagim pozitiv nga ana e kompanisë, por edhe nga ana e bashkisë e cila financon apo jep fondin përkatës kompanisë për ofrimin e shërbimit, të ketë edhe një reflektim te paga minimale”,-argumenton Ervis Çota.

Punëtorët nuk gëzonin as një ditë pushim në javë në kundërshtim me Kodin e Punës, deri në përfundim të vitit 2022 ku arritën ta përftojnë këtë të drejtë.

“Rasti më i freskët ka të bëjë me sigurimin e një dite pushimi në një javë. Një ditë e cila bëhet me grafikë mes punëtorëve dhe kjo është një gjë që në fakt u ka lehtësuar disi punësimin këtyre punëtorëve sepse normalisht është e nevojshme që një ditë në javë të jetë pushim qoftë edhe për një frymëmarrje të punëtorëve por edhe për nevojat e tyre që ata kanë se sigurisht jeta është dinamike dhe ka nevojë që edhe të mbulojnë, po themi të kryejnë edhe nevoja të tjera familjare”,-shtjellon Çota.

Përpos një dite pushim që përftuan së fundmi, punëtorët nuk kanë pushime vjetore.

“Pushime ne, jemi në punë. S’kemi pushime fare. Çdo lloj feste që bahet nga ne, ne s’kemi. Ne jemi në punë. Ne në datë 31 dalim mbasdite, deri në orën 7, në mëngjes do dalim nga ora 5 të mëngjesit deri në orën 9. Ne pushime nuk kemi. Pastaj fillojmë turni i tretë. Çdo rast feste, ne nuk bëjmë fare. Vetëm një dite na lejnë në shtëpi dhe asnjë gjë tjetër”.-tregon Vjollca.

Dega rajonale e Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Elbasan refuzoi të pëgjigjej ndaj pyetjeve që Citizens Channel adresoi për këtë temë.

Ndërsa në një tryezë të organizuar në fund të dhjetorit të vitit 2022 nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome (LRER) përfaqësuesi i zyrës rajonale u shpreh se janë kryer një sërë inspektimesh te kompanitë e pastrimit në qarkun e Elbasanit.

“Duhet të pranojmë faktin që gjatë vizitave inspektuese ose gjatë kontrolleve që janë bërë nga trupa inspektuese, janë konstatuar një sërë shkeljesh. Pretendimet e ngritura në njëfarë mënyre qëndrojnë. Pas ndërhyrjes sonë subjektet kanë reaguar. Kjo është faktuar nga dokumentacioni që ne disponojmë por edhe nga intervistat e marra nga punëmarrësit të cilët janë kontaktuar nga trupat inspektuese gjatë procedurave inspektuese”, -u shpreh Egliver Laloshi.

Ai pohoi se reagimi i kompanive nuk ka qenë në nivelin e pritshëm dhe janë marrë masa edhe me penalitet.

“Për këtë arsye nga trupat inspektuese gjatë këtyre vizitave inspektuese janë marrë edhe masa me penalitet. Penaliteti nuk është në prioritetet tona sepse penaliteti nuk zgjidh problemin, por në momentin që një subjekt nuk reagon, në momentin që është shkelës i përsëritur i legjislacionit të punës konkretisht atëherë jemi të detyruar që të shkojmë te penalitetet”. 

Organizimi sindikal inekzistent në këtë sektor 

Ashtu sikundër edhe shumë sektorë të tjerë, pastrimi dhe mirëmbajtja e qytetit mbetet një sektor i pa organizuar sindikalisht.

Sipas Ervis Çotës, nevoja për një organizim të tillë në këto kushte është edhe më e madhe.

“Është shumë e nevojshme që të ketë një organizim formal të punëtorëve, pra në formën e një sindikate, e cila përfaqëson në masën e duhur këta punëtorë dhe e cila është ndërmjetëse po themi mes këtyre punëtorëve dhe kompanisë dhe që adreson nevojat që kanë punëtorët dhe pse jo të negociojë me punëdhënësin për ti marrë masat e duhura për ti zgjidhur ata”.

Mungesa e këtij organizimi deri më tani sipas tij vjen edhe si pasojë e frikës mes punëtorëve.

“Deri më tani nuk ka pasur një organizim të tillë, qoftë edhe informal mes punëtorëve, për shkak te shumë arsyeve duke filluar që nga mungesa e informacionit, por edhe tek frika që ekziston në mesin e punëtorëve për të reaguar dhe për të ngritur shqetësimet te kompanitë apo te punëdhënësi i tyre”

Sipas tij në këtë fazë është e rëndësishme që puëntorët të informohen për të drejtat e tyre e më pas të vijë organizimi.

Kushtet e punës të njëjta pavarësisht viteve 

Sipas një raporti studimor të realizuar nga Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome në vitin 2020 vihet re se ka shkelje në punë, të njëjta sikurse tani.

Në marrëdhënien e punëtorëve me kompaninë vihet re se 98% e punonjësve të anketuar nuk kanë marrë një kopje të kontratës së punës.

Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve dëshmojnë kushtet e këqija të punës.

“Disa prej problemeve kryesore që listohen prej tyre janë: 1) Pagesa që përfitohet një herë në dy muaj; 2) Amortizimi i mjeteve të punës dhe i uniformave; 3) Nuk i lejohet të marrin lejen vjetore; 4) Të kushtëzuar të punojnë çdo ditë, pa asnjë ditë pushim gjatë javës apo në fundjavë; 5) Nuk alokohet pagesa për ditët kur punëtori/ja ka qenë sëmurë dhe e ka justifikuar përmes raportit”,-thuhet në raport.

92% e të pyeturve kanë deklaruar se të drejtat e tyre në punë nuk janë respektuar.

“Kryesisht, perceptimi i tyre për të drejtat kufizohet në njohjen e të drejtave që deduktohet nga përvoja dhe jo nga njohja e legjislacionit apo kodit të punës. Domethënë i referohen të drejtave bazike që burojnë prej problemeve me të cilat përballen në punë si e drejta për ta marrë rrogën në kohë, për tu pajisur me mjetet e nevojshme të punës, për të marrë lejen vjetore, për ditët pushim dhe për ditët e papaguara të mungesës së detyruar në punë të mbështetura në raport mjekësor”,-qartëson raporti.

Pjesa më e madhe e punonjësit nuk kanë dijeni për organizimet për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Nga të dhënat sasiore rezulton se 69.2% nuk e dinë se çfarë është sindikata ndërsa 80.8% nuk e dinë se çfarë është e drejta për tu organizuar në sindikatë”,-thuhet në raport.

Shënim: Zonja e intervistuar për të ruajtur anonimatin është identifikuar me emrin *Vjollca 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *