Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Një fermë klikimesh”, aplikacioni që shpërblen me pikë pëlqimin dhe shpërndarjen e postimeve të Partisë Socialiste

Në dhjetor të vitit 2022 Partia Socialiste prezantoi një aplikacion të quajtur “Aktiv1st”. Krijuesit e kanë përshkruar atë si një “platformë që i jep mundësi çdo personi që ka ide dhe dëshirë të jetë pjesëmarrës në gara lokale ose kombëtare, të çojë përpara nismat e tij dhe të jetë faktor aktiv në komunitet”.

Një burim pranë një prej bashkive më të mëdha në vend i tha Citizens Channel se “Aktiv1st” është shumë i përhapur tek punonjësit e administratës publike, që janë njëkohësisht anëtarë të Partisë Socialiste.

“Tek partia vdesin për t’u mburrur. Jo unë kam kaq vota, jo unë bëj namin te lagjja, jo unë kam 30 vjet në parti. Shpesh kjo situatë ka nxitur konflikte”, tregon ai në kushtet e anonimatit.

I njëjti burim tregon se prej dy vitesh Partia Socialiste ka ndërmarrë hapa për të krijuar një sistem të matshëm,kjo është një mënyrë për ti futur njerëzit në garë që kur të vijë momenti ta dinë se kush ka bërë më shumë punë”, tregon ai.

“Si funksionin Aktiv1st?”

Citizens Channel vendosi të krijojë një llogari të rreme në aplikacion, duke analizuar se si qëllimet e platformës janë shumë larg nga ajo që paraqitet në përshkrim. Aplikacioni premton të jetë një platformë nismash qytetare, por në brendësi ka vetëm katër të tilla, të cilat duket se nuk ia kanë arritur qëllimit. As aplikacioni e asnjë platformë informative nuk ka asnjë informacion që lidhet me rezultatin e këtyre fushatave.

Në vend të aktivizmit, elementi që zë hapësirën kryesore është klikimi dhe shpërndarja e aktivitetit të Kryeministrit dhe ministrave, i cili shpërblehet me pikë në një renditje publike.

Foto-galeri: “Nismat e afishuara në aplikacionin Aktiv1st”

Hapja e profilit në aplikacion të detyron të japësh disa të dhëna personale, adresën e-mail, numrin e telefonit, njësinë bashkiake ku jeton, adresën dhe profesionin. Përpara se të marrësh të drejtat për të hyrë në aplikacion, secili përdorues kalon në një proces autentikimi.

“Në momentin që regjistrohesh aplikacioni të autentikon me profilin në Facebook ose Instagram dhe i jep të drejtë aplikacionit që të lexojë të gjitha gjërat që ti poston, komenton, bën “like”, bën “share” etj. etj. Në momentin që një ministër bën një “share” automatikisht aplikacioni sheh cilët persona e kanë bërë share dhe cilët jo”, -sqaron Gentian Progni, specialist i sektorit IT.

Aplikacioni shpërndan veprimtarinë e rrjeteve sociale të përfaqësuesve të qeverisë, dhe të shpërblen me 5 pikë, për çdo klikim të këtyre linqeve në Facebook ose Instagram. Në kategorinë “lajm” aplikacioni ndan artikuj të pabalancuar nga faqe që paraqesin në dritë pozitive punën e qeverisë.

Foto: Klikimi i ikonave “Facebook dhe Instagram” të ri-drejton menjëherë në profilin personal në rrjetet sociale

Burime pranë administratës shtetërore tregojnë se kjo veprimtari nuk kalon pa një proces kontrolli. “Ka një skuadër prej 30 vetash që kontrollon 100 përdorues çdo ditë”, tregon një punonjës i administratës, “Sistemi punon me dy pjesë. Është ai publiku, ka dhe një sistem të brendshëm që bën “check”, por për atë duhet një app që ndryshohen vpn-të, pra ju nuk futeni dot pa aksesin e partisë”, sqaron ai.

Sipas programuesit Gentian Progni ky aplikacion shkel një sërë rregullash: “Shkel dy ligje, që janë mbledhja e të dhënave në mënyrë të tërthortë, edhe ligjin e administratës që nuk duhet të jetë i përfshirë në politikë”.

“Aktiv1st” bën publike një renditje mujore të personave që kanë grumbulluar më shumë pikë. Mes kryesuesve të listës gjenden punonjës të administratës publike, që kanë grumbulluar deri në 24,000 pikë, shumë e barabartë me klikimin e 4,800 linqeve në rrjetet sociale.

Një vëzhgim në profilet publike të këtyre personave tregon se aktiviteti i pëlqimeve dhe shpërndarjeve kryhet masivisht gjatë orarit zyrtar të punës, kohë kur përdorimi i rrjeteve sociale është i ndaluar.

Renditja publike e kryesuesve të aplikacionit “Aktiv1st”

Një “fermë klikimesh” që shkel të dhënat personale

Mekanizmi i përdorur në këtë aplikacion funksionon ngjashëm me platformat që shesin “like” dhe “share” në këmbim të parave. Të tilla aplikacione klasifikohen si “clickfarm” (fermë klikimesh) ose “pay-per-click” (paguaj për klikime).

“Modele të tilla më shumë përdoret nga India, Kina, Bangladeshi, Pakistani që i kanë metoda për të suportuar studentët. Që do të thotë studentët futen në një aplikacion të tillë dhe fitojnë pikë dhe në fund këto pikë i përkthejnë në para”, shpjegon programuesi Progni.

Ai shton se në logjikën e të dhënave të marketingut online interaktiviteti që gjenerohet me pagesë është fals.

“Facebook-u nuk e quan dot si fake në term teknik sepse thotë është një user i vërtetë, por në logjikën e të dhënave është fake sepse ai user nuk ka interes për atë like që ka bërë, pra nuk e lidh asgjë me atë like, mund të jetë një nga Bangladeshi, nga Kina etj., etj., dhe këtu pastaj futet ai “term of use” në Facebook që thotë të gjitha veprimet duhet të jenë organike”, – përfundon Progni.

Aplikacioni “Aktiv1st” merr automatikisht të drejtën për të sjellë njoftime “push-notifications”. Ky privilegj duket se i është rezervuar vetëm Kryeministrit Rama, pasi gjatë një jave Citizens Channel mori rreth 35 njoftime të tilla, të gjitha të lidhura vetëm me faqen e Kryeministrit në “Facebook” apo “Instagram”.

Foto-Galeri: Njoftimet mbi aktivitetin e Kryeministrit Rama nga aplikacioni Aktiv1st

Fushata politike nga “derë më derë” në online 

Ekspertët e komunikimit e shohin lindjen e këtij aplikacioni të lidhur ngushtë me afrimin e fushatës për zgjedhjet lokale.

“Nëse databaza e patronazhistëve ishte një monitorim dhe kalkulim i nëndheshëm, sepse shkel ligjin për të dhënat personale, “Aktivist” është një teknikë monitorimi publike për të para nivelin e angazhimit të atyre që konsiderohen si mbështetës besnik të partisë“,-argumenton Elvin Luku, pedagog komunikimi në Universitetin e Tiranës.

Sipas Lutfi Dervishit “lufta virtuale ka marrë përmasa groteske. Ka më shumë vëmendje për liket, share dhe komente se për realizimin e objektivave në terren”.

Dervishi thotë se nëse kjo gjë shtrihet në administratë është e rrezikshme: “Brenda PS-së, mund të bëjnë çfarë të duan, por kur kjo shtrihet te arsimtarët apo punonjësit e shëndetësisë, kjo është e rrezikshme sepse politizon në ekstrem administratën dhe heq dallimin mes shtetit dhe partisë në pushtet”.

Dervishi dhe Luku e shohin si ende të pahetuar fenomenin e patronazhistëve.

“Hetimi për patronazhistët ose listës së parë nuk u bë i plotë. Nëse do të ishte bërë ky hetim siç duhet mbase nuk do të kishim më rrjedhje te pagave, patentave etj,“-shprehet Lutfi Dervishi për Citizens Channel.

Sipas Elvin Lukut, të dhënat e përcjella nga patronazhistët janë një çështje ligjore dhe jo politike sikurse është trajtuar deri më tani nga kryeministri Rama.

“Patronazhistë ose aktivistë, është e drejta e tyre të jenë dhe punojnë apo afilohen me cilëndo parti, por grumbullimi i një numri të dhënash personale sipas kuptimit të ligjit, si karta ID, telefoni, punësimi nga grupe apo institucione që nuk parashikohen nga ligji është shkelje e tij dhe duhet dënuar. Po të dëgjoni KM thotë se nr. ID s’ka asnjë vlerë pasi karta është bosh si një targe, kjo është akoma më e rëndë sepse kemi paguar miliona euro për të ngritur një sistem identifikimi dixhital që menaxhohet nga ALEAT, e cila praktikisht nuk i ofron qytetarëve asnjë shërbim dixhital”-përfundon Luku.

Që prej vitit 2021 Shqipëria është përballur me dhjetëra sulme kibernetike dhe rrjedhje të dhënash, duke ekspozuar kështu thuajse të gjithë privatësine që qytetarët ia besojnë ekskluzivisht operatorëve shtetërorë, financiare apo atyre të komunikimit masiv.

Fillimisht, më 11 prill 2021 u bë publike një sistem të dhënash e njohur tashmë si Databaza a patronazhistëve”. Raportimet treguan se databaza e krijuar nga Partia Socialiste mbante të dhënat personale të 910 mijë votuesve, përfshirë numrat e telefonit, ID, adresën, vendin e punës si dhe preferencat politike. Madje kjo databazë kishte edhe të dhëna që tregonin një përgjim të qytetarit, pasi “patronazhisti” mbante shënime mbi preferencat politike të qytetarit, si kishte ndryshuar kjo ndër vite.

Komentet e patronazhsitëve u kthyen madje edhe në një vepër arti, e cila ishte si një lloj revolte kundrejt pushtetit i cili survejon qytetarët e vet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *