Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shfaqja “Emigrantët” afron qytetarët e Kamzës në teatër

Hapësira e një pallati në ndërtim e sipër u bë në fundjavë streha e shfaqjes “Emigrantët” në Kamëz.

“Emigrantët”, vepër e autorit polak Slawomir Mrozek u vu në skenë me nismë të grupit “ATA”, përkthyer dhe përshtatur nga aktori dhe regjisori Endrit Ahmetaj.

Endriti dhe aktivisti Klodian Gjonpalaj përmes lojës skenike sollën shqetësimet e një emigranti që ëndërron për një jetë të rehatshme kur të kthehet në atdhe dhe të një intelektuali të përndjekur për bindjet e tij politike.

Endrit Ahmetaj, aktor-regjisor

“Duke qenë se jam vetë emigrant se kam ikur që i vogël nga Shqipëria dhe jam rritur jashtë shtetit e kuptoj shumë mirë ndjesinë e një emigranti që largohet nga vendi i tij dhe siç thonte personazhi tjetër: “nuk iket drejt diçkaje, por iket nga diçka”. Me një fjalë askush nuk do të lerë vendin e vet, familjen e vet, por iket gjithmonë nga një hall, nga një situatë, iket për mire”,- u shpreh Endrit Ahmetaj, regjisor dhe njëkohësisht aktor i kësaj pjese.

Për Klodian Gjonpalaj, aktivist i grupit “ATA” dhe student i artit dhe dizajnit, kjo vepër është shumë pranë edhe realiteti të tij personal.

“Unë vetë jam larguar dy herë nga Shqipëria. Tani po qëndroj këtu për të përfunduar studimet, më pas për të parë se si na shkon jeta. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne zgjodhëm këtë pjesë dhe unë isha aq i gatshëm për të marrë pjesë këtu dhe për ta aktruar”.

Rol i tij, i intelektualit të përndjekur mishërohet edhe te shumë të rinj shqiptarë që kanë vendosur të largohen nga vendi i tyre, por që mbeten ende të ngecur për lirinë.

Klodian Gjonpalaj, aktivist i grupit “ATA”

“Mua nga një anë më vjen keq se si një intelektual përndiqet nga vendi i tij për tu larguar, duke parë që edhe në rol unë jam goxha inteligjent, i zgjuar, merrem me studime. Dhe ndopshta më mirë këto studime duhet të ishin bërë në vendin tim, për ti shërbyer vendit tim, por fatkeqësisht jam larguar nga aty. Kjo më ngjan edhe pak mua duke qenë se ndoshta më duhet të largohem për të ndjekur studimet e mia diku jashtë apo të jap frutin tim diku jashtë dhe është gjë e keqe për Shqipërinë sepse jam rritur këtu, do më marri malli për Shqipërinë dhe do të jetë humbje si për mua edhe për vendin tonë”-rrëfen Klodiani.

Mes dinamikave të ndodhura brenda një bodrumi, ngrejnë krye dialogjet shpesh të qeta, e po aq të nxitura nga zërat e lartë e revoltues. Përmes këtyre dialogjeve, përpos nevojës për liri dhe përshtatje me një tjetër kulturë zë fill në diskurs edhe skllavëria e individit ndaj gjërave materiale.

“Këtu nuk lidhet vetëm me emigracionin. Është emigracioni sigurisht, e cila është kjo, fakti që askush nuk largohet nga vendi i tij sepse do të largohet, por largohet nga nevoja. Pastja tjetra është më njerëzore, më filozofike, më gjenerale e cila është liria e njeriut dhe skllavëria e tij ndaj gjëra materiale”,-shtjellon Endrit Ahmetaj.

Përshtatja e kësaj loje teatrale me realitetin shqiptar e solli atë më pranë publikut.

“Shumica e shqiptarëve që largohen, largohen ose për studime, ose për një jetë më të mirë. Kjo jetë më e mirë kryesisht ata mendojnë për të marrë sa më shumë para. Pasi largohen për të marrë sa më shumë para ata fillojnë e kërkojnë akoma më shumë siç është paraqitur edhe në shfaqjen tonë. Edhe kjo pastaj të ndikon sepse të bën një kafshë pune, që të punosh dy-tre punë dhe pastaj nuk i shijon as paratë e tua…”, –shprehet Klodian Gjonpalaj.

Nisma e Grupit “ATA” për ta zbritur teatrin pranë qyteteve ku zhvillimet artistike janë të pakta ose inekzistente i afron edhe më tepër pranë teatrit qytetarët në pamundësi për të ndjekur një shfaqje në përditshmëri.

“Prandaj me grupin ATA jemi munduar që të sjellim teatrin pranë njerëzve që edhe ata ta shijojnë. Në këtë rast familjarët tanë, disa banorë të zonës, banorë të pallatit, miqtë tanë, qytetarë të Kamzës që e kanë pasur mundësinë ta shohin një shfaqje pa shpenzuar, jo shumë larg qendrës së Kamzës, jo shumë larg shtëpive të tyre”, -thekson Klodian Gjonpalaj.

Ndërsa për regjisorin Endrit Ahmetaj kjo është një formë e mirë për të zhvilluar edhe teatrin.

“Besoj se është shumë e nevojshme një gjë e tillë sepse con teatrin aty ku zakonisht nuk ka një teatër. Kështu që ju jep mundësinë edhe atyre që nuk e kanë mundësinë të shkojnë në teatër, ja bën të prekshme këtë,,ia sjell aty dhe mesa duket ka shumë njerëz që vijnë, që e kërkojnë teatrin, thjesht nuk është mundësia ta kenë. Dhe kjo është një formë shumë e mirë, për ta zhvilluar edhe teatrin, por edhe ti afrosh njerëzit në teatër”.

Pas shfaqjes në Kamëz, “Emigrantët” do të udhëtojë drejt Prishtinës, Laçit, Lezhës për t’u kthyer më pas sërish në Tiranë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *